Buxhovi “godet” ekipin negociator: Dekor i pazareve të Thaçit me Serbinë, ja si të veprojnë LDK e VV

Politika

Buxhovi “godet” ekipin negociator: Dekor i pazareve të Thaçit me Serbinë, ja si të veprojnë LDK e VV

Nga: A.ZH Më: 2 janar 2019 Në ora: 11:59
Historiani Jusuf Buxhovi

Historiani Jusuf Buxhovi, ka thënë se dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, duhet të jenë më aktive për çështjen e dialogut me Serbinë në Bruksel.

Në një intervistë ekskluzive, Buxhovi ka akuzuar presidentin e vendit Hashim Thaçi se po i përdor të tjerët si marionetë, derisa ekipin negociator e ka quajtur të palegjimitet, pasi nuk ka shumicën parlamentare.

Sipas tij, ekipi negociator mund t’i shërbejë si dekor pazareve të Thaçit me Serbinë.

“Parimisht edhe LDK-ja dhe VV-ja, si parti më të mëdha që përbëjnë bllokun e opozitës, do të duhej të ishin aktive te kjo çështje, edhe pse me Kushtetutë kjo problematikë i takon Qeverisë e ku e ka vendin edhe Presidenti, por jo ashtu siç po vepron ai duke i kthyer të tjerët në marionetë. Çështjet, megjithatë janë ashpërsuar nga shkaku i punës së gabuar të ekipit negociator, krijimit të tij pa legjitimitet parlamentar si dhe mungesës së një koncepti gjithëpërfshirës, që zgjidhja e statusit të pakicës serbe në Kosovë dhe të integrimit të tyre institucional dhe shoqëror të kërkohet në dialog me serbët e Kosovës dhe jo nëpërmes Beogradit, siç është vepruar, që për pasojë ka pasur ndikimin e drejtpërdrejt politik të Serbisë në Kosovë për qëllime të caktuara politike, me çka është zhvendosur konteksti nga ai i zgjidhjes së statusit të pakicës serbe te pretendimet e Serbisë për pengimin e shtetndërtimit të Kosovës, ose të kthimit te pika zero, siç po veprohet me formulën “e pajtimit historik”, me çka i hapet rruga zhbërjes së shtetit të Kosovës. Këtu dhe te këto çështje duhet parë refuzimin e LDK-së dhe VV-së kundër grupit negociator si dhe “arrnimit” të tij, nga druajta e arsyeshme se ekipi i formuar nga Kuvendi nuk ka legjitimitet të duhur nga shkaku se nuk përfaqësojnë shumicën parlamentare (gjë që edhe është e vërtetë) e mbi të gjitha, se ky ekip mund t’i shërbejë si dekor pazareve të Thaçit me Serbinë”, është shprehur Buxhovi.

Ai ka thënë se Thaçi po nëpërkëmbë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit, mirëpo sipas tij, LDK dhe VV-ja, duhet të dalin me një platformë dhe koncept aktiv për të parandaluar çfarëdo aventure që rrezikon shtetin e Kosovës.

“Edhe përkundër dyshimit të drejtë të opozitës se Thaçi ka instrumentalizuar gjithë procesin dhe vazhdon që të veprojë kryenëvete pa ngurruar që ta nëpërkëmb edhe Kushtetutën dhe parimet bazë të shtetit, LDK-ja dhe VV-ja nuk duhet të ikin nga përgjegjësia dhe të presin deri sa puna të vijë në parlament për ta frenuar çfarëdo marrëveshje me votë. Këto parti duhet të dalin me platformë dhe koncept aktiv për të parandaluar çfarëdo aventure që rrezikon shtetin e Kosovës. Ky veprim aktiv duhet të pasqyrohet nëparlament, po edhe në organizimin e protestave popullore dhe formave të tjera të kundërshtimit publik, që  për moto duhet të ketë patriotizmin shtetëror”, ka deklaruar historiani Jusuf Buxhovi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat