Ramush Tahiri flet për dilemat e LDK-së, a duhet kjo parti të bëhet pjesë e dialogut?

Politika

Ramush Tahiri flet për dilemat e LDK-së, a duhet kjo parti të bëhet pjesë e dialogut?

Nga: N.H Më: 3 janar 2019 Në ora: 15:12
Ramush Tahiri

Përkundër interesimit të vazhdueshëm të administratave ndërkombëtare që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të ndryshojë qëndrim, një gjë të tillë nuk po arrin ta ketë efektin e saj, pasi që edhe me tej ky subjekt opozitar deklaron se nuk do të bëhet pjesë e asnjë ekipi të unitetit për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Së fundi, është ambasadori i ri amerikan, Philip Kosnett, i cili nga shtëpia e Isa Mustafës ka inkurajuar  gjithë-përfshirje në procesin e dialogut, duke vlerësuar edhe rolin e LDK-së.

Partia më e madhe opozitare konsideron se nuk do të bëhen pjesë e këtyre e ekipeve, sepse këto janë pazare politike dhe nuk janë ekipe që përfaqësojnë interesin e shtetit të Kosovës.

Politologu i njohur në vend, Ramush Tahiri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK është parti e frymës dhe e vizionit evropian dhe se presidenti historik dr. Ibrahim Rugova pikënisje të çdo politike, por edhe të veprimit praktik e kishte: Miqësinë e përjetshme me SHBA-të, andaj sipas tij, edhe janë të pritshme kërkesat e ambasadorit amerikan drejtuar Isa Mustafës.

“LDK është parti e frymës dhe e vizionit evropian, ndërsa presidenti historik dr. Ibrahim Rugova pikënisje të çdo politike, por edhe të veprimit praktik e kishte: miqësinë e përjetshme me SHBA-të, për ketë është shumë e pritshme që nëse ambasadori i Amerikës në Republikën e Kosovës Kosnett e ka kërkuar nga kryetari Mustafa dhe nga kryesia e LDK marrjen pjesë të kësaj partie politike opozitare pjesëmarrjen aktive në dialogun Kosovë - Serbi”, ka thënë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës domosdo që do të bëhet pjesë e Ekipit Negociator, por, siç shprehet ai, me kushtet e saja.

“Atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës domosdo që do të bëhet pjesë e Ekipit Negociator por gjithsesi me kushtet e saja si në ndërtimin e platformës politike e gjithashtu edhe në rikonfigurimin e ekipit të bisedimeve si edhe të vet procesit të dialogut. Kjo do të thotë gjithë përfshirje duke siguruar dy të tretat e votave në Kuvend por do të thotë edhe dinamizim. LDK me të drejtë po kërkon legjitimim të ri dhe në këtë bazë zgjedhje të reja parlamentare me të cilën gjë nuk pajtohen as këta që janë tash në pushtet, pra koalicioni qeverisës e nuk po pajtohen as faktori ndërkombëtarë duke e shprehur këtë qëndrim nëpërmjet ambasadave të tyre në Prishtinë”, ka thënë ai.

Krejt në fund, politologu ka nënvizuar se dilemat e LDK-së të futet ose të mbesë jashtë dialogut janë evidente dhe me pasoja për të ardhmen.

“Lidhja Demokratike e vetme por as së bashku me Vetëvendosjen nuk po mundët që të provokojë rënien e Qeverisë e as zgjedhjet e reja të përgjithshme. Gjithashtu faktori i fuqishëm ndërkombëtarë me ngulm po kërkon që çështja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arrihet, të nënshkruhet dhe të miratohet brenda këtij viti, madje edhe me ndryshim kufiri nëse palët pajtohen. Partitë politike që janë në këtë vijë i presin edhe benefitet e tyre nga ky angazhim. Prandaj edhe dilemat e LDK-së të futet ose të mbesë jashtë dialogut janë evidente dhe me pasoja për të ardhmen”, ka përfunduar politologu Ramush Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat