Profesori i njohur: Thaçi ka shkelur shumë thellë me nismën e tij për korrigjimin e kufijve

Politika

Profesori i njohur: Thaçi ka shkelur shumë thellë me nismën e tij për korrigjimin e kufijve

Nga: N.H Më: 9 janar 2019 Në ora: 15:23
Hashim Thaçi

Prof. Dr. Binak Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth zgjedhjes së kongresistit amerikan Eliot Engel, në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin Amerikan, si dhe për idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve.

Maxharraj ka thënë se kongresmeni Engel është një figurë shumë e njohur në politikën amerikane, por edhe mik i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës.

“Eliot Engel është një figurë shumë e njohur në politikën amerikane, por edhe mik i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës. Ai gjithmonë ishte në anën e Kosovës së bashku me Bob Dole dhe DioGuardi, sidomos në vitet e 90 dhjetat kur Kosova përplasej me regjimin e egër të Millosheviçit. Engel nga Amerika ishte një zë i cili e demantonte politiken shfarosëse të Millosheviçit dhe i dërgonte sinjale botës se çfarë po ndodhë në Kosovë ndaj shqiptareve. Ai e kishte vizituar disa herë Kosovën. Eliot Engel edhe njëherë doli në sipërfaqen e politikës amerikane duke u zgjedhë në poste të larta në Kongresin Amerikan i cili tani kontrollohet nga demokratët”, ka thënë Maxharraj.

Ai ka deklaruar se Engel do të angazhohet që Kosova të ecë drejtë ardhmërisë së saj.

“Ai pa kurrfarë konkurrence të fortë u zgjodh kryetar i Komitetit për marrëdhënie me jashtë në Kongresin Amerikan. Zgjedhja e tij në ketë postë të lartë në politikën amerikane është një lajm i mirë dhe i cili u pritë mire nga shqiptarët në Kosovë. Si mik i madh i shqiptarëve Eliot Engel me siguri dhe jam shumë i sigurt se do të angazhohet me tërë fuqinë e tij për t’iu ndihmuar shqiptarëve edhe në paqe për shtet-ndërtimin e Kosovës. Ai do të angazhohet që Kosova të ecë drejtë ardhmërisë së saj, do të angazhohet për një politikbërje me stabile në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, duke folur për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Maxharraj është shprehur se duke i parë kundërshtimet e mëdha nga Evropa, Serbia dhe Rusia, themelimi i ushtrisë do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së.

Image
Eliot Engel

“S’do mend se kohëve të fundit qasja e Administratës amerikane ndaj Kosovës ka nisur të kthjellet. Ketë e tregon ndihma e Amerikës që e dha për themelimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, sepse pa ketë ndihmë, përkundër kundërshtimeve të mëdha nga Evropa, Serbia dhe Rusia, themelimi i ushtrisë do të ishte i pamundur. Ani pse në Administratën amerikane, aty afër “veshit” të Donald Trump gjendet si Këshilltar i Presidentit për siguri Nacionale të Amerikës John Bolton, i cili ishte si kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, megjithatë besoj se këshillat e këqija të tij për Kosovën nuk do të qojnë aq peshë të Presidenti, sepse Trump angazhimin e tij për Kosovën e tregoi edhe në letrën që ua drejtoi krerëve të Kosovës”, është shprehur ai.

Maxharraj ndër tjerash në ketë bisedë ka folur edhe për iniciativën për korrigjim të kufijve të lëshuar nga kreu i shtetit, për të cilën ka thënë se presidenti Thaçi ka hyrë thellë në ketë tradhti ndaj vendit, sa që nuk pritet të ndryshojë kjo qasje as përkundër ardhjes së Engelit në krye në krye të Komitetit për Marrëdhënie me jashtë.

“Presidenti Hashim Thaçi ka shkelur shumë thellë me nismën e tij për korrigjimin e kufijve, për ndarje apo copëtimin e Kosovës. Aq fortë në ketë është kap nga Serbia, sa që këtij njeriu nuk i zihet besë në asgjë, sepse është një njeri që tjetër flet, e tjetër vepron, bile edhe pas shpine pa kurrfarë transparence. Ky njeri ka hy aq thellë në ujërat e Serbisë i cili është i kapur peng nga Serbia me dosjet për të, e për ta liruar vetën nga këto dosje ai është në gjendje të beje çdo gjë, bile edhe ta dëmtojë Kosovën në qenien e saj. Nuk besoj se me zgjedhje e Eliot Engelit në Krye te Komitetit me jashtë te Kongresit Amerikan do të ketë ndonjë ndryshim qenësor në nismën e korrigjimit të kufijve, sepse Thaçi ka hyrë thellë në ketë tradhti ndaj vendit sa që nuk pritet të ndryshojë. Por, megjithatë angazhimi i mikut tonë të madh, Eliot Engelit, edhe në ketë drejtim nuk do të mungoj”, ka përfunduar Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat