“Kamish”, a e din se Thaçi akuzohet për vrasje, e komandantët e UÇK-së janë të dënuar?

Politika

“Kamish”, a e din se Thaçi akuzohet për vrasje, e komandantët e UÇK-së janë të dënuar?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 janar 2019 Në ora: 20:06
Hashim Thaçi dhe Bekim Haxhiu

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se Gjykata Speciale po shërbehet me dosje të përpiluara nga LDK-ja.

Mirëpo, po harron “Kamishi” se, është vet presidentin i Kosovës, Hashim Thaçi, dikur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës prej nga vjen edhe vet deputeti Haxhiu se, i cili nuk la “gurë pa lëvizur” derisa u votua në Kuvendin e Kosovës, Gjykata Speciale.

Presioni i Thaçit për votimin e Gjykatës Speciale

Hashim Thaçi me presionin e tij, ndaj deputetëve të partisë së tij, dhe partive tjera ka bërë që Gjykata Speciale të votohet nga Kuvendi i Kosovës, pas dështimit të votimit në herën e parë.

Përveç kësaj, kemi edhe vet komandantë dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë bërë shpeshherë akuza të ndërsjella për të bëmat e tyre gjatë luftës.

Megjithatë, nuk është LDK-ja që ka përpiluar dosje të tilla, por, edhe po të ishte bërë do të ishte e arsyeshme, pasi shumë veprimtarë të kësaj partie, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, janë vrarë pikërisht nga grupet mafioze, vrasje këto të cilësuara si politike, e që disa prej tyre do të zbardhen nga Gjykata Speciale, pasi gjykatat tona, nuk e kanë filluar kurrë një hap të tillë.

Thaçi i akuzuar e komantantët e UÇK-së të dënuar!

“Kamishi” duhet ta dinë edhe një fakt se, vet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet për vrasje, kemi akuza të tilla edhe për shumë komandantë të UÇK-së.

Edhe për më keq, kemi komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pasluftës janë dënuar nga gjykatat e Kosovës për krime të ndryshme, e që normalisht këto akuza që janë bërë që gati 20 vite pas luftës, do të hetohen nga Gjykata Speciale.

Thaçi e ka dituar se do arrestohen shokët e tij

Image
Adem Salihaj

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga LDK-ja, Adem Salihaj thotë LDK-ja nuk ka bërë dosje e as akuza, ndërsa akuzat ndaj LDK-së, thotë se i bëjnë eksponentët e krimit.

Sipas tij, ata që kanë kryer krime janë shkaktarë për krijimin e Gjykatës Speciale.

“LDK-ja, për aq sa di unë, asnjëherë, nuk ka bërë asnjëherë dosje, as akuza, për asnjë person në Kosovë. Akuzat dhe shpifjet e tilla për LDK-në i bëjnë vetëm  eksponentët e krimit, askush tjetër. Shkaktarë për krijimin e Gjykatës Speciale janë drejtpërdrejt ata që kanë kryer krime, askush tjetër”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Salihaj pohon se, Thaçi është insistuesi më i madh për votimin e Specialës, ndërsa shton se, shokët e tij, nuk kanë pse të akuzojnë LDK-në, pasi Thaçi e ka ditur se ata do të arrestohen.

“Madje, vetë Thaçi ka qenë insistuesi më i madh për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kuptohet, atij i patën thënë se ai vetë, për momentin, nuk është në listën për arrestim. Por, i kanë thënë se nuk është për momentin, por jo përgjithmonë. Tash, shokët e Thaçit nuk kanë pse e akuzojnë LDK-në, sepse Thaçi e ka ditur me saktësi se ata do të arrestohen nga Gjykata Speciale dhe ai është pajtuar me këtë fakt. Madje e ka përkrahur me krejt forcën e tij”, potencon tutje ish-deputeti.

Kur po afrohet arrestimi i tyre ata po akuzojnë

Ai shton se, janë vrarë shumë veprimtarë të LDK-së, të cilët kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Siç dihet, gjatë luftës dhe pas saj, janë arrestuar, janë torturuar dhe janë vrarë shumë veprimtarë të LDK-së, të cilët kanë qenë patriotë dhe kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këto janë fakte publike, sepse shumë prej atyre që kanë shpëtuar gjallë, e kanë dëshmuar këtë. Madje, sa i përket LDK-së, ajo ka bërë ndonjë akuzë publike, por s'ka bërë asnjë akuzë serioze e as nuk ka bërë asgjë për arrestimin e vrasësve të veprimtarëve të saj”, deklaron Salihaj.

Salihaj thekson se, ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale e që po afron arrestimi i tyre nuk kanë të drejtë të akuzojnë dikë tjetër.

“Siç, dihet publikisht, të gjithë deputetët e PDK-së, e kanë votuar dhe shumica kanë qenë këmbëngulës për formimin e Gjykatës Speciale. Ata, sot, kur po afrohet arrestimi i tyre, nuk e kanë asnjë të drejtë ta akuzojnë dikë tjetër. Në fund të fundit, Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës dhe do të ishte pozitive nëse do ta pastronte atë, së paku nga një pjesë e kriminelëve, të cilët i kanë vrarë veprimtarët më të devotshëm të Kosovës”, përfundon ish-deputeti Adem Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat