Serbia mund ta përsërisë një “Panda” të dytë në Kosovë

Politika

Serbia mund ta përsërisë një “Panda” të dytë në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 janar 2019 Në ora: 08:03
Pamje nga Mitrovica

Taksa 100% e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për mallrat që vijnë nga Serbia, ka bërë që kjo e fundit, të rris propagandën e saj kundër shtetit të Kosovës. Madje, kohëve të fundit është raportuar se Serbia po planifikon iniciativa për “inskenimin” e incidenteve të ndryshme, për t`ia mveshur fajin Kosovës. Lidhur me këtë, njohës të çështjeve të sigurisë, deputetë e analistë u kanë bërë thirrje autoriteteve shtetërore të sigurisë, që të jenë të syhapur dhe të parandalojnë incidentet e mundshme.

Serbia ka planifikuar iniciativa për incidente të ndryshme në Kosovë, me qëllim që t'iu hidhet faji shqiptarëve.

Por, kjo nuk do të ishte hera e parë që serbet bëjnë inskenime dhe marrin iniciativa të liga, duke filluar nga ato më banalet, dëmtimet e varrezave, djegiet e objekteve fetare e deri tek vrasja e njerëzve të tyre, vetëm e vetëm për t’ua lënë fajin shqiptarëve.

Inskenime të tilla, sipas njohësve të sigurisë, analistëve dhe deputeteve, ka pasur qysh kohë më parë me dekada, pasi sipas tyre, serbët për t`i realizuar qëllimet e  veta, kanë qenë dhe janë në gjendje të bëjnë çdo gjë që është e mundur.

Sipas tyre, Serbia, edhe nëpërmjet propagandës, vazhdimisht ka provokuar incidente nga më të ndryshmet duke përfituar kështu politikisht.

Selimi: Serbia mund ta provokojë sërish situatën në Kosovë

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se Serbia ka bërë gjithmonë ashtu, i ka viktimizuar serbet lokalë për t'ua vënë fajin shqiptarëve.

“Kujtojmë rastin "Martinoviç" deri tek rasti "Panda" në Pejë, edhe ashtu, Serbia në vazhdimësi po e shfrytëzon gjendjen e serbëve në Kosovë për përfitime politike në Beograd. Natyrisht se nga "viktimizimi" i serbëve në Kosovë, fiton vetëm Beogradi. Nuk është larg mendsh që sërish Serbia do të provojë ta provokojë situatën në Kosovë, përmes inskenimit të ndonjë incidenti ndaj serbëve. Prandaj ne, mjafton që të jemi sy qelë”, ka thënë deputeti Selimi.

Mushkolaj: Në këtë situatë të ndjeshme provokimet mund të rriten

Image
Imer Mushkolaj

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se Serbia do të provojë të provokojë, por pala e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme, që të mos bie pre e provokimeve.

“Serbia edhe nëpërmjet propagandës, vazhdimisht ka provokuar incidente, duke përfituar kështu politikisht. Në këtë situatë të ndjeshme provokimet mund të rriten, por duhet shtuar edhe kujdesi nga institucionet e Kosovës, sidomos ato të sigurisë”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Kajtazi përmend faktet

Fadil Kajtazi, njohës i çështjeve të sigurisë ka thënë se përfitimi përmes kaosit, apo siç thuhet në gjuhën profesionale "duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza" është traditë e shtetit serb.

Image
Fadil Kajtazi

Ai ka deklaruar se që në fillimet e veta si shtet Serbia ka shfrytëzuar aksionet subversive për arritjen e qëllimeve hegjemoniste në drejtim të popujve jo serb të Ballkanit, ku më së shumti kanë pësuar shqiptarët.

“Tanimë nuk është kurrfarë sekreti se një pjesë të atyre që ne sot i quajmë heroi kombëtar në luftën për Pavarësinë e Shqipërisë, Serbia i ka shfrytëzuar për diversion kundër Perandorisë Osmane e pastaj kundër Lëvizjes Kombëtare për Pavarësi. Gjithashtu, atentati i Sarajevës i 28 qershorit 1914, është krijim i kaosit global përmes të cilit Serbia u zgjerua më së shumti në hapësirat Ballkanike. Mjaftojnë këto fakte për të marr në konsideratë kërcënimet potenciale për të cilat tani më flitet”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, ajo që më shumë e përforcon arsyen që ne të shqetësohemi për aksionet e shërbimeve serbe të stilit "duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza".

“Këto janë shembujt të cilët ne si gjeneratë i kemi përjetuar të cilat inskenoheshin me qëllim të diskreditimit të shqiptarëve duke filluar me të ashtuquajturat tentim dhunimet të femrave serbe të cilat zakonisht përfundonin pa autore, prishja e varrezave serbe, gjuajtja e shtëpive të serbëve me qëllim të frikësimit të tyre për t`ua shpërngulur, gjuajtja dhe dëmtimi i kishave dhe manastireve, etj. Pra të gjitha këto ishin vepra të cilat kanë qenë të realizuara nga sektor special të SDB dhe KOS-it. Akti i "shishes së Gjorgje Martineviqit" i ndodhur ne Gjilan me 1 maj 1985 dhe ai i vrasjes të rinjve serb në Pejë i njohur ndryshe si rasti “Panda” i ndodhur me 14 dhjetor 1998, janë rastet më eklatante të krijimit të kaosit me qëllim të përfitimit politik nga shteti serb”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi: Shkaktimi i "incidenteve" në vijim do të jetë i strukturuar në shumë aspekte

Ai ka pohuar se këto dy raste janë raste për studim të cilat pasqyrojnë mentalitetin dhe filozofinë e mendimit politik serb që për arritjen e qëllimit nuk zgjidhin mjete qofshin ato edhe banale siç ishte prapanica e Gjorgje Martinoviqit dhe vrasja e të rinjve serb.

“Ne kushtet pas vitit 1999, aktivitetet subversivë në drejtim të Kosovës sipas formës "Duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza" janë zhvilluar me intensitet të shtuar, dhe krejt me qëllim për të arritur në përfundim, që edhe një herë Serbia ta fut në negocim çështjen e Kosovës të humbur nga ndërhyrja e NATO-s me 1999. Fale agjenturës masive që serbët kanë pasur të instaluar në Kosovë dhe ripërtërirës së agjenturës së re, siç po shihet ata ja dolën të aktualizojnë edhe një here ekzistencën apo jo të shtetit të Kosovës. Prandaj shkaktimi i "incidenteve" në vijim do të jetë i strukturuar në shumë aspekte, duke filluar kështu nga ato propagandistike, sabotimet, e deri tek aksionar e mprehta që mund të rezultojnë me eliminim fizik të ndokujt”, është shprehur njohësi i siguresë Fadil Kajtazi.

Krasniqi: Forcat tona të sigurisë duhet të jenë vigjilente

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka pohuar se serbet janë të njohur për incidente që i shkaktojnë vet, në mënyrë që t'i fajësojnë të tjerët. Sipas tij, Serbia ka vepruar gjithmonë kështu me shqiptarët.

“Mjafton të rikujtojmë rastin në kafenë "Panda" në Pejë, ku vriten 6 të rijnë serb për t'i fajësuar dhe burgosur me dhjetëra shqiptare. Tek para disa viteve Presidenti Vuçiq e pat pranuar publikisht që shërbimet sekrete serbe e kanë kryer këtë krim, për t'i fajësuar shqiptarët. Kjo tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë serbet dhe Serbia. Prandaj forcat tona të sigurisë duhet të jenë vigjilente për të parandaluar çdo incident të mundshëm të shkaktuar dhe provokuar nga Serbia”, është shprehur Krasniqi.

Burjani: Çdo incident apo tentativë e Serbisë për të bërë problem në Kosovë do të cilësohet si agresion edhe nga NATO-ja dhe nga Kosova

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike e juridike, Blerim Burjani, ka thënë se kjo deri më tash nuk është thënë nga Serbia, por kuptohet nëse e kanë thënë ky është agresion i mundshëm në Kosovë me qëllim të destabilizimit të situatës edhe në rajon.

Sipas tij, Serbia është e pezmatuar shumë për shkak të humbjeve ekonomike, andaj edhe kjo çështje duhet të diskutohet  mes serbëve për këto humbje ekonomike.

“Ky është rezultat i politikes serbe, dhe deri më tash është mjaft e çuditshme reaksioni dhe reagimi shumë i dobët i komunitetit të biznesit në Serbi -Odës ekonomike. Çdo incident apo tentativë e Serbisë për të bërë problem në Kosovë do të cilësohet si agresion edhe nga NATO-ja dhe nga Kosova. Kuptohet se një agresion i mundshëm dhe kërcënim po ekziston si rrezik kaherë, madje shpesh herë e kanë përmendur në kokat e nxehta nacionaliste serbe”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat