Kriminelët ngulmojnë në inkriminimin e UÇK-së

Politika

Kriminelët ngulmojnë në inkriminimin e UÇK-së

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 10 janar 2019 Në ora: 22:16
UÇK

Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ishte i vetëdijshëm se ai u thirr si i akuzuar dhe jo si dëshmitar, nga Gjykata Speciale. Me porosi të shefave të tij, sabotatorë të luftës, përndoqi e dënoi individë të "dyshimtë", kryesisht, mbështetës të LDK-së. Por, ne, nuk kemi dëgjuar e mësuar që juristi Dobruna të këtë reaguar, hetuar apo gjykuar kriminelët, të cilët, në emër të UÇK-së, që kidnaponin, burgosnin, maltretonin, deri në vrasje, aktivistët, luftëtarët e FARK-ut, ndoca syrësh pjesëmarrës edhe në Betejën fitimtare të Loxhës.

Edhe sot kujtohet, me indinjatë e dhimbje, kur për një provokim privat, pason hakmarrja zyrtare e bandës të uniformuar, me tri germat "UÇK", në Dukagjin. Madje, për ta kamufluar rastin, arrestojnë edhe një të dytë, nga komuna tjetër, fqinj, i ekzekutojnë së bashku dhe, në mbrwmje, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, përmes Televizionit Shqiptar, lëshon Komunikatën e  turpshme të radhës, duke akuzuar luftëtarët e lirisë, "për bashkëpunim me pushtuesin!" Ja se çfarë palo Shtabi kishte "UÇK-ja" e LPK-së.?! Ja, sa e "pastër" ishte "lufta" e kësaj biçim "UÇK-je"! Mos, vallë, kjo është drejtësia e kryetarit të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna me shokë?!

Krerët e krimit, tashmë, të tufëzuar në PAN, në pamundësi garimi e fitimi, me ata që bënë paqen dhe luftën, pra, me LDK-në, për t`i mbuluar krimet e tyre përgjatë luftës, vazhdojnë edhe krimet e pas luftës. Dhe, vërtet, qenë të suksesshëm në krime, duke terrorizuar popullin e traumatizuar nga lufta. 

Krerët kriminelë, u trimëruan aq shumë, sa më 22 qershor 1999, vetëm 10 ditë pas hyrjes së NATO-s, në Kosovë, arrestuan, në mes të qytetit, ditën me diell, oficerët e Brigadës "Mërgimi", i dërguan në zyrën e prefektit të Pejës, Ethem Çeku, i cili urdhëroi t`i dorëzohen Ramush Haradinajt. Dhe, asaj nate u ekzekutuan në malet sipër fshatit Ratish të Gjakovës. 

Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, francezi Kouchner zgërdhihej e puthej me kryekriminelët e Kosovës. Këtë gjendje të krimeve, pothuaj se, legale, e favorizoi shumë miqësia konspirative e Hashimit, me Shërbimin e fshehtë francez.

Krerët e krimit, tashmë, në pushtet, nuk pyetën fare për imazhin e shtetit të Kosovës. Për t`i përgjithësuar krimet e tyre individuale e grupore, akuzat e adresuara atyre, madje, me emër e mbiemër, ia mëveshën UÇK-së! Ata u kujdesën të krijojnë disa  Shoqata, si: Shoqata e familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës; Shoqata e të pagjeturve; Shoqata e Miqve të TMK-së. Të gjitha këto, të futura nën e ombrellën e Shoqatës më të madhe, më agresive, të veteranëve të luftës të UÇK-së. Në krye të këtyre Shoqatave, u vunë kriminelë me kartelë, pjesëmarrës në dajakosjen e vrasjen e kundërshtarëve politikë, besnikë të krerëve pushtetarë të sotëm.

Kur policia e UNMIK-ut arrestonte "komandantë gjeneralë", për krimet faktike e serike, Shoqatat e cituara, të manipuluara nga banditët, me mbështetjen direkte të krerëve të partive-banda, PDK-e dhe AAK-a, bllokonin rrugë dhe bulevarde. Nismonin nga Peja, drejt Deçanit, për t`i masivizuar deri në bulevardet e Prishtinës. Dhe, parullat bosht ishin: "Lironi luftëtarët e UÇK-së"; "Lironi komandantët e UÇK-së"; "Lironi çlirimtarët tanë!" Pra, këta "komandantë", vrasës të shqiptarëve të pambrojtur dhe të pafajshëm shqiptarë. 

Arresto e burgos, saktësisht e me prova "komandantë" e "ushtarë" të tyre. Pastaj, mbajë me javë e muaj dhe liro "me pafajësi", gjithnjë në konsultim me Serbinë dhe miqtë e saj. Kështu, UNMIK-u i blerë me milionat e kriminelëve, grabitës të pasurive të brezave shqiptarë, degjeneroi, tërësisht, sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke ndodhë e njëjta gjë edhe në Hagën e "drejtësisë". Të paktën, deri më tani, kjo është provua.

Rrjedhimisht, "komandantët" kriminelë, në sytë e botës, inkriminuan UÇK-në, thjeshtë, në përpjekjen imorale, për ta përgjithësuar fajësinë, për ta lënë atë pa adresë individuale, duke e kolektivizuar krimin, që gjithsesi ka ndodhur. Dhe, dëshmi faktike janë shumë qindra varre, anekënd Kosovës, kryesisht, shqiptarë të vrarë, nga shqipfolës kriminelë,  gjithnjë të listuar nga Shtabi i "UÇK-së" të LPK-së. 

Pas luftës, autorësia e krimeve numerike u bart ke partitë-banda, në koalicionin e sotëm PAN, i cili edhe tani po ia bënë gjëmën  Kosovës, me pazaret e pista me shtetet fqinjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat