“Sondazhet dhe zgjedhjet janë dy anë të kundërta”

Politika

“Sondazhet dhe zgjedhjet janë dy anë të kundërta”

Nga: G.B Më: 10 janar 2019 Në ora: 22:43
Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë partia e parë në vend, ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lideri më i përshtatshëm për kryeministër të Kosovës.

Kjo, sipas një sondazhi të VV-së të nxjerrë së fundmi, e të realizuar në majin dhjetor nga kjo parti.

Në bazë të rezultateve të publikuara, LDK kryeson sondazhin me 27%, e dyta renditet VV me 22%, PDK 20%, AAK 12% si dhe NISMA që do e kalonte pragun.

Ndërsa, në bazë të sondazhit të VV-së, 19.7% e të anketuarve preferojnë Kurtin për kryeministër, i cili pasohet nga Kadri Veseli me 15.8%, Ramush Haradinaj me 14.9% dhe Isa Mustafa me 13.2%. Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj, Mimoza Kusari dhe Behgjet Pacolli radhiten të fundit me 4.4%, 4.3%, 2.3%, dhe 1.4 % respektivisht

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot” ka vlerësuar se sondazhet janë të kundërta me zgjedhjet, pasi mund të mos dalin të sakta.

“Sondazhet dhe zgjedhjet janë dy anë të kundërta. Në zgjedhje dihet saktë forca e çdo partie politike. Kurse sondazhet janë një matës që jo rrallë herë mund të mos dalin të sakta. Edhe në SHBA Hillary Clinton printe bindshëm ndaj rivalit të saj Donald Trump, por Trump fitoi bindshëm ndaj Clinton”, ka theksuar ai.

Sipas Krasniqit, VV dhe LDK duhet të fitojnë bindshëm, njëra nga to të dalë e para që ta udhëheqë Qeverinë, derisa ai shpreh habinë për renditjen e PDK-së në këtë sondazh.

“Në bazë të aktualitetit, zhvillimeve dhe keqqeverisjes nga koalicioni PAN edhe rreth 20 parti të tjera, VV dhe LDK si dy parti opozitare në zgjedhje duhet të fitojnë bindshëm. Çfarë më çudit është përqindja e lartë e PDK-së, një parti që është ALFA dhe OMEGA e krimit ekonomik dhe politik në Kosovë. Sidoqoftë, Vetëvendosje ose LDK duhet të dalin njëra prej tyre e para në zgjedhje, në mënyrë që këto dy parti ta udhëheqin Qeverinë. Çdo variant tjetër i qeverisjes nuk do ta ndryshonte gjendjen në Kosovë”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën "Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat