Lepaja: Loja e Thaçit me kufijtë i ka sjellë telashe të mëdha Kosovës, taksën e vendosi insistimi i Haradinajt

Politika

Lepaja: Loja e Thaçit me kufijtë i ka sjellë telashe të mëdha Kosovës, taksën e vendosi insistimi i Haradinajt

Nga: G.B Më: 11 janar 2019 Në ora: 12:06
Fadil Lepaja

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, vlerëson se taksa 100% e vendosur për produktet serbe dhe të Bosnjës, është vendosur nga koalicioni qeverisës, me insistimin e kryeministrit Haradinaj, por që me mbështetjen e partnerëve të koalicionit.

“Taksën e ka vendosur koalicioni qeverisës, me këmbënguljen e kryeministrit Haradinaj, por gjithsesi ajo nuk do të mund të qëndronte pa përkrahjen e partnerëve të koalicionit, dhe pa mbështetjen e heshtur të opozitës. Kështu, mendoj se sido që të trajtohet ajo qoftë si meritë, qoftë si përgjegjësi, ato u takojnë partnerëve të koalicionit, gjithsesi me theksin mbi rolin e veçantë të kryeministrit Haradinaj, këmbënguljes dhe gatishmërisë për t’i përballuar të gjitha presioneve që i janë bërë deri me tani, jo vetëm në rrafshin politik”, ka theksuar Lepaja për “Bota sot”.

Sipas tij, presidenti është pjesë e një agjende që nuk e ka përkrahjen as të partive as të qytetarëve, për korrigjim të kufijve.

“Ç’është e qartë tashmë, se presidenti është pjesë e një agjende, e cila nuk ka gjetur përkrahje as te qytetarët as te partitë politike në vend, me përjashtime individuale. Kryeministri Haradinaj bashkë me koalicionin qeverisës, përfshi pra z. Limaj dhe z. Veseli janë deklaruar kundër pazareve me territor, dhe kombinatorikës evro-aziatike të rrënimit të krejt asaj çka është arritur në procesin e paqes dhe integrimeve euro-atlantike të rajonit”, ka vlerësuar ai.

Lepaja shprehet se loja e Thaçit me kufijtë i ka sjellë probleme të mëdha Kosovë që nga periudha e demarkacionit, që ka qenë parapërgatitje për projektin e shkëmbimit të territoreve.

“Loja e z. Thaçi me kufijtë i ka sjellë telashe të mëdha Kosovës, që nga periudha e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi e cila si u pa më vonë kishte qenë veç parapërgatitje për projektin e këmbimit të territoreve me Serbinë, përkatësisht për thyerjen e parimit të pandryshueshmërisë së kufijve në hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke rrezikuar kështu të rihapen të gjitha konfliktet e mbyllura”, ka deklaruar Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat