Abdullahu tregon arsyen pse Haradinaj do të mund ta tërhiqte taksën - Bota Sot
Abdullahu tregon arsyen pse Haradinaj do të mund ta tërhiqte taksën

Politika

Abdullahu tregon arsyen pse Haradinaj do të mund ta tërhiqte taksën

Nga: G.B Më: 11 janar 2019 Në ora: 12:42
Ilustrim

Reagimet për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja po vazhdojnë ende.

BE dhe Serbia insistojnë se taksa duhet të hiqet, derisa edhe presidenti Hashim Thaçi ka të njëjtin mendim.

E së fundmi ai ka thënë se taksa është vendosur nga Enver Hoxhaj dhe Kadri Veseli dhe jo qeveria.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën ”Bota sot” se presidenti dëshiron ta heq taksën ndaj Serbisë, pasi e sheh si pengesë për dialog, që në thelb ka të bëjë me korrigjim kufijsh.

Image
Faton Abdullahu

“Presidenti Thaçi është shumë i interesuar që ta heq taksën ndaj Serbisë sepse taksën e sheh si pengesë për vazhdimin e atij segmenti të dialogut që në thelb ka të bëjë me korrigjimin e kufijve të cilin e ka konceptuar ai bashkë me Vuçiqin dhe Ramën”, është shprehur ai.

Sipas tij, hapja e diskutimit se nga kush është vendosur taksa është e menduar më parë, pasi duke thënë se e kanë vendosur Veseli e Hoxhaj, nënkupton që mund ta heqin ata, pasi Haradinaj nuk po e bën këtë.

“Hapja e diskutimit se, kush e ka vendosur taksën u inicua nga Presidenti Thaçi ditë më parë, për qëllim të menduar mirë që më parë. Ky qëllim është të hapet një mundësi e re që taksa e vendosur ndaj Serbisë të hiqet sa më parë. Për shkak se këtë nuk po e bën Kryeministri Haradinaj, Presidenti duke ndërruar adresën e autorësisë së vërtetë të vendosjes së taksës, dëshiron të hap mundësi që duke thënë se këtë taksë e ka vendosur z. Veseli dhe z. Hoxhaj atëherë rrjedhimisht ata edhe mund ta heqin atë”, ka vlerësuar Abdullahu.

Por, ai mendon se kjo mund të lexohet edhe ndryshe, ku presidenti dëshiron që t’i jap mundësi kryeministrin për ta hequr taksën, para se ta zhvendos tek ata që thotë se e kanë vendosur.

“Kjo mund të lexohet edhe ndryshe, sepse është lënë edhe një mundësi tjetër brenda kësaj çështje. Me këtë Presidenti aktual i prirë nga qëllimi i tij, dëshiron t’i jap mundësi Haradinajt që të mos koritet dhe vendimin për heqjen e taksës ta zhvendos tek ata që tani po thuhet se e paskan vendosur, pra tek Veseli dhe Hoxhaj”, ka theksuar Faton Abdullahu.

Sipas tij, Haradinaj mund ta heq taksën shumë shpejt, nëse Thaçit e Veselit ju shkon për dorë ta rrezikojnë ekzistencën e Qeverisë aktuale.

“Konsideroj se nëse Thaçit dhe Veselit ju shkon për dore ta rrezikojnë ekzistencën e Qeverisë aktuale, atëherë Haradinaj do ta heq taksën shumë shpejt. Ata që mendojnë se Haradinaj nuk do ta bëjë këtë le ta shikojnë të kaluarën jo të largët kur Haradinaj ndërroi fjalët për demarkacionin”, ka përfunduar Abdullahu për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...