“Në raport me Serbinë, Haradinaj është i pakonkurrencë që nga koha e luftës dhe pasluftës”

Politika

“Në raport me Serbinë, Haradinaj është i pakonkurrencë që nga koha e luftës dhe pasluftës”

Nga: G.B Më: 11 janar 2019 Në ora: 14:22
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi

Që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës, kishte reagime të shumta dhe vazhdon të ketë.

Bashkimi Evropian e Serbia kërkuan që ajo të hiqet, por që kërkesa për heqjen e saj pati dhe në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se taksa duhet të hiqet, derisa së fundmi ka thënë se taksën e kanë vendosur zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli dhe jo kryeministri Ramush Haradinaj.

Publicisti Rexhep Shahu, ka thënë se Thaçi ka qenë kryeministër dhe ka pasur më shumë mbështetje por nuk e ka bërë këtë që ka bërë Haradinaj, derisa ka ironizuar duke thënë se kur të hapet konkurs për ëndrra të bukura, le të konkurrojnë Thaçi, Hoxhaj, Veseli.

Image
Rexhep Shahu

“Tani që dolën bathët me mish, edhe Thaçi edhe Hoxhaj edhe Veseli i hanë bathët. Thaçi ka qenë kryeministër shumë gjatë dhe ka bërë një vrimë në ujë në raport me sjelljen ndaj Serbisë, ka qenë kryeministër me shumë mbështetje dhe nuk e ka bërë këtë që bëri Haradinaj. Edhe unë e kam pasur një ide, edhe ai Enver Hoxha i Gjirokastrës ka pasur një ide, por të gjitha mbetën ëndrra, Ramushi e bëri realitet. Kur Kosova të shpallë një konkurs për ëndrra më të bukura, le të konkurrojnë Thaçi, Hoxhaj, Veseli”, është shprehur Shahu.

Ai flet dhe për kohën e luftës, ku thotë se Haradinaj nuk ka konkurrencë për luftën e tij.

“Një gjë duhet të dijë çdo politikan ose jo i Kosovës, në raport me Serbinë, Ramush Haradinaj është i pakonkurrencë që nga koha e luftës, e pasluftës, e kohës kur ishte 100 ditë kryeministër, e kohës kur shkoi në Hagë si kryeministër. Ramush Haradinaj ka qene e mbetet komandanti më komandant sa i përket luftës sepse ai mirë apo keq, luftoi e qëndroi në luftë në Kosovë dhe nuk ka bërë luftë as në Tiranë, as në Kukës, as në Has a Tropojë e as në Durrës e as në Zvicër a Gjermani”, ka vlerësuar ai.

Sipas Shahut, ai i sfidoi të gjithë me përballjen me Serbinë me anë të taksës, ku aty kanë qenë edhe Hashimi, Enveri, Veseli, por nuk kanë mundur ta vendosin taksën, derisa shton se deklaratat e presidentit janë deklarata xhelozie fëmijërore.

“Dhe tani sa i përket përballjes me Serbinë me anë të kësaj takse, ai i sfidoi të gjithë politikanët. Aty ka qenë Hashimi, Enveri, Veseli, por nuk ua ka mbajtur me i vu taksë Serbisë, të nënshkruajnë siç ka nënshkruar Ramushi. Deklaratat e tanishme se edhe ne e kemi menduar apo kemi parë ëndërr taksën, janë deklarata xhelozie fëmijërore që nuk i kanë hije një politikani përpos politikanëve të katundeve të Kosovës që rrejnë gjithë ditën nëpër katunde për luftërat e pa bëra”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat