Haziri: Vrasja e Malokut është porositur në hotelin ''Rogner'' të Tiranës - Bota Sot
Haziri: Vrasja e Malokut është porositur në hotelin ''Rogner'' të Tiranës

Politika

Haziri: Vrasja e Malokut është porositur në hotelin ''Rogner'' të Tiranës

Nga: D.Rr Më: 11 janar 2019 Në ora: 15:56
Nexhat Haziri

Sot janë bërë 20 vjet nga vrasja makabre e veprimtarit dhe gazetarit të shquar, Enver Maloku.

Vrasja e tij ende nuk është zbardhur, ndërsa shpresa për një gjë të tillë po mbetet vetëm te Gjykata Speciale, e jo në institucionet e drejtësisë së Kosovës. Kjo dhe vrasjet e tjera të aktivistëve të LDK-së, janë klasifikuar si vrasje politike, shkruan “Bota sot”.

Njohësi i këtyre rrethanave, Nexhat Haziri, duke folur për “Bota sot” rreth vrasjes së Enver Malokut, ka thënë se vrasja e tij vlerësohet të jetë si një nga vrasjet më të rënda që ka goditur lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës.

“Vrasja e gazetarit dhe publicistit Enver Maloku para 20 viteve, vlerësohet të jetë si një nga vrasjet më të rënda që ka goditur lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës për çlirim nga okupimi serb dhe pavarësinë e Kosovës, në kohën kur veç çështja e Kosovës kishte marrë preokupimin e fuqive më të mëdha botërore, dhe kjo falë edhe aktivitetit të pashoq të gazetarit Maloku dhe punës së tij në QIK, që sensibilizoi opinionin kombëtar e ndërkombëtar mbi zhvillimet e ngjarjeve të asaj kohë në Kosovë dhe rreth saj”, thekson Haziri.

Ai thotë se vrasja e Malokut ka qenë e paramenduar dhe vrasje politike për ta dobësuar ndikimin e presidentit historik Ibrahim Rugova, pasi Enver Maloku ishte bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik.

Haziri shpreson që vrasja e tij të zbardhet tani nga Gjykata Speciale.

“Kjo vrasje, e bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugova që për gjithë këto vite mbeti enigmë në vete, por dal nga dal bazuar edhe në deklaratat e personaliteteve politike, sidomos të atyre që vijnë nga i ashtuquajturi ''krah i luftës'' dhe disa emra të cilët janë përmendur, del që kjo vrasje është porositur nga elementi majtist i LPK-së, e që udhëhiqte me SHPUCK-së në hotelin ''Rogner'' të Tiranës gjatë kohës së luftës në Kosovë, qendër kjo nga ku janë porositur edhe vrasjet e tjera, siç është ajo e kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, etj. Pra edhe vrasja e lajmëtarit të lirisë së Kosovës, gazetarit dhe publicistit Enver Maloku, ka qenë vrasje e paramenduar, vrasje politike për ta dobësuar ndikimin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova dhe të njerëzve rreth tij gjatë dhe pas luftës, pasi ''Shtabi i Rognerit'' e më vonë e ashtuquajtura Qeveria e Përkohshëm e Hashim Thaçit, tentuan që ta kenë dhe ta mbajnë një monopol për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Shpresoj shumë që vrasja e gazetarit dhe publicistit Enver Maloku të zbardhët tani nga Gjykata Speciale dhe përgjegjësit e këtij akti të shëmtuar të marrin dënimin e merituar”, ka nënvizuar Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...