Mehmeti: Me vrasjen e Enver Malokut regjimi i Millosheviqit synonte të shuante informimin e drejt dhe korrekt të qytetarëve të Kosovës

Politika

Mehmeti: Me vrasjen e Enver Malokut regjimi i Millosheviqit synonte të shuante informimin e drejt dhe korrekt të qytetarëve të Kosovës

Nga: D.RR Më: 11 janar 2019 Në ora: 17:27
Ibrahim Rugova dhe Enver Maloku

Analisti politik Faton Mehmeti thotë se vrasja e Enver Malokut ishe vazhdën e vrasjeve të orkestruara nga regjimi serb ndaj elitës së shqiptarëve të Kosovës, e kjo sipas tij u bë që të shuante informimin e drejt dhe korrekt të qytetarëve të Kosovës dhe botës për atë çfarë po ndodhte në atë periudhë me Kosovën.

“Vrasja e Enver Malokut ishte në vazhdën e vrasjeve të orkestruara nga regjimi serb ndaj elitës së shqiptarëve të Kosovës, si dhe ndaj popullit në përgjithësi. Me vrasjen e Enver Malokut regjimi i Millosheviqit synonte të shuante informimin e drejt dhe korrekt të qytetarëve të Kosovës dhe botës për atë çfarë po ndodhte në atë periudhë me Kosovën”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

Ai vlerëson lartë figurën e Enver Malokut, duke shtuar më tej se vrasja e tij ishte e rëndë edhe për presidentin Rugova.

“Natyrisht se vrasja e z. Malokut ishte shumë e rëndë për Kosovën dhe personalisht për presidentin Rugova, si krahu i djathtë i tij në përpjekjet e tyre për të sensibilizuar kauzën dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës. Gjithsesi vepra dhe puna e z. Malokut janë thesar i çmuar që duhet të na shërbej edhe në ditët e sotme, për të thënë të vërtetën edhe atëherë kur ajo paguhet me jetë”, ka thënë Mehmeti.

Kush ishte Evner Maloku?

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh. Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: Kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër. Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe, për fat të keq, nuk e huqën cakun. Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. Enver Maloku si njeri i respektuar dhe i dashur nga të gjithë, u dekorua nga ish presidenti Rugova me urdhrin "Medalja e Artë e Pavarësisë", për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës. Ndërsa ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen "Urdhëri i Artë i Shqiponjës". E në vitin 2016, presidentja e Kosovës në atë kohë, Atifete Jahjaga e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin "Hero i Kosovës", për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, me iniciativë dhe nën Patronatin e Presidentit Rugova, për ta nderuar veprimtarinë e tij, më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një Monument.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat