Ish-deputeti i Kosovës, Adem Salihaj, thotë se, në Kosovë nuk do të ndodhë arrestimi i ndonjë funksionari të lartë, sepse gjykatat dhe prokuroria janë të kapura.
Salihaj thotë se, kjo i bie sikur mafia politike e Kosovës të vendosë ta arrestojë veten.
“Ndonjë arrestim edhe mund të bëhet, por vetëm nëse ai person ose grup kriminal nuk është i lidhur me pushtetin, ose nëse vetë pushtetarët kanë vendosur ta sakrifikojnë ndonjë anëtar të tyre, për të lënë përshtypjen e rrejshme se po luftohet krimi i organizuar”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.
Ai shprehet se, pavarësisht se nuk ka aq besim te Gjykata Speciale, mendon se disa prej emrave të rëndësishëm të PDK-së do të arrestohen.
“Se sa do të dënohen nuk e di, sepse duhet ta kemi parasysh se do të ketë mjaftë dëshmitarë, të cilët nuk do të kenë guxim të dëshmojnë, për shkak të rrezikut për jetën e tyre. Ne të gjithë e dimë se janë vrarë numër i madh i dëshmitarëve. Deri tash, as shteti ,e as gjykatat ndërkombëtare nuk kanë treguar gatishmëri për mbrojtjen e dëshmitarëve. Një gjë është e sigurt, deri sa Thaçi të ketë ende shokë për të dërguar në Gjykatën Speciale, ai nuk do të arrestohet. Shpesh e kam thënë se Thaçi do të arrestohet i fundit, kur më të mos ketë shokë për të arrestuar”, përfundon Adem Salihaj.