Të pagjeturit në Mitrovicë - fakte nga dyshimet për varreza

Politika

Të pagjeturit në Mitrovicë - fakte nga dyshimet për varreza

Nga: F.B Më: 13 janar 2019 Në ora: 10:21
Bajram Qerkinaj

Vetëm në komunën e Mitrovicës ende nuk dihet fati edhe i 116 personave thotë kryetari i shoqatës së personave të pagjetur "Zëri i Prindërve" në Mitrovicë Bajram Qerkinaj, shkruan "Bota sot".

Lokalet e shoqatës së personave të pagjetur “Zëri i Prindërve” sikurse thuajse secilën ditë edhe sot gumëzhinin nga hyrje daljet edhe qytetarët e familjarët e të pagjeturve që këtu vijnë të takojnë Bajram Qerkinajn kryetarin e shoqatës dhe Gjyla Hazirin asistente në shoqatë, për të mësuar ndonjë zhvillim, risi a qëndrim të institucioneve rreth zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre.

Si baca Bajram edhe Gjyla janë shumë mikpritës edhe nuk përtojnë që secilit që vjen të i përgjigjen në çështjet e ngritura, sikurse edhe në njoftimin lidhur me punën aktivitetet edhe rezultatet e takimeve që zhvillohen në nivel vendi për të pagjeturit.

Image
Bajram Qerkinaj

“Ne që nga themelimi jemi duke punuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur jo vetëm në rajonin e Mitrovicës, ku ende kemi 116 familje që presin zbardhjen e fatit të familjarëve por edhe të secilit persona që ndodhet në listën e të pagjeturve”, shprehet baca Bajram.

Ai njofton se zyra e shoqatës është qendër informimi i familjeve të personave të pagjetur  në komunën e Mitrovicës, ata këtu tradicionalisht derën e kanë hapur, vijnë, kërkojnë, informohen pro edhe ata që kanë nevojë shpesh sipas mundësisë ndihmohen.

“Ne vazhdimisht punojmë në gjetjen e të dhënave që do mund të shpinin në zbardhjen e fatit të 116 personave të pagjetur në komunën tonë, ndërkohë që po ashtu në secilin takim kemi ngritur zërin e kritikës për mungesë të presionit dhe angazhimit institucional si të institucioneve tona po ashtu edhe atyre ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbardhjen e fatit të familjarëve tanë” thotë Qerkinaj, që nënvizon se Serbia po luan lojëra me familjet e të pagjeturve, pasi ata kanë të dhëna e fakte për secilin person të rrëmbyer, burgosur apo arrestuar e vrarë në kohën e luftës.

Duhet potencuar rastin e grupit të doktor Adem Ademi, të cilët me 19 prill 1999 u ndaluan dhe më pas u ekzekutuan në fshatin Dreth të komunës së Zubin Potokut, ndërsa me pas thuhet se janë varrosur një nga një në lokalitetin Kolluder nga ushtria serbe , por sot e kësaj dite ende nuk është hulumtuar apo zbuluar vendi ku janë varrosur ata.

Një rast tjetër, për të cilin po ashtu ka fakte të institucioneve serbe, për varrosjen e dy personave (Vehbi Zasella  i datëlindjes 1938 dhe i vrarë me 31 mars 1999) dhe Ahmet Strana i lindur me 1941 dhe i vrarë në mars 1999, edhe pse ka skica nga varrimi i tyre në varrezat myslimane mes vrarëve tjera ende nuk janë zhvarrosur edhe nuk janë hulumtuar për mbetjet e tyre.

Rrëmbimi nga banesa e Hanife Rexhep Ajetit e datëlindjes 1943 me 30 prill 1999 te “Krashi” për fatin e së cilës sot e kësaj dite ende nuk dihet , rasti është lajmëruar nga Hakif Ajeti, ndërsa nga atëherë në banesën e saj banojnë serbë.

Image
Bajram Qerkinaj në takim

Një rast shumë i rëndë është ai i Sylë Sadikut – datëlindja 1938 i cili me 7 shkurt 2000 në rrethana të panjohura është rrëmbyer nga policia serbe nga shtëpia e tij e cila më pas u djeg, ndërsa ende nuk dihet për fatin e Sylës.

Po ashtu ende nuk dihet fati i Ferit Pretenit  i datëlindjes 1969 i cili është ekzekutua nga forcat serbe me 4 maj 1999 diku te “Ura e Gjakut” ndërsa sipas një pjesëtari të policisë – serb ai është varrosur në varrezat myslimane në Mitrovicë.

Këto pesë ilustrime me emra edhe mbiemra janë vetëm disa nga 116 rastet e tregimeve dhe të dhënave të cilat janë evidentuar në shoqatë dhe të cilat presin të bëhet hulumtimi edhe në 8 vende që ka dyshime për mbetje , me çka do mund të zbardhej fati i personave të pagjetur në komunën tonë thotë Qerkinaj.

Ai kritikon institucionet që nuk kanë bërë mjaft në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, duke ilustruar me fakte edhe rastin te Rashka, për çka ka informacione se me dy kamionë janë transportuar rreth 450 trupa, ndërkohë që në hulumtime janë gjetur deri më tani vetëm 56 trupa.

Qerkinaj kërkon nga institucionet tona qendrore edhe ato ndërkombëtare që të ndërmarrin masa që të bëhet sa më parë hulumtimi i vendeve të dyshimta qoftë në Ostraqe të Leposaviqit, Kalluder të Zubin Potokut, te varrezat myslimane në Mitrovicë, Jezgoviq edhe Bernjak sikurse edhe në të gjitha lokacionet ku ka dyshime të bazuara për mundësi të varrezave masive, me qëllim që njëherë e mirë të zbardhet fati i personave të pagjetur.

Shoqata “Zëri i prindërve” do të vazhdoj të angazhohet edhe trokas në secilën derë që nga komuna deri tek institucionet qendrore edhe ato ndërkombëtare me qëllim që të zbardhet fati i secilit person në komunën e Mitrovicës por edhe secilit persona të pagjetur në vendin tonë thotë Bajram Qerkinaj./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat