Krasniqi: Ekipi negociator në grackë të Thaçit

Politika

Krasniqi: Ekipi negociator në grackë të Thaçit

Nga: N.H Më: 14 janar 2019 Në ora: 14:34
Ekipi negociator

Delegacioni shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë javën e kaluar i ka dërguar kërkesë presidentit Hashim Thaçi për marrjen e dokumentacionit lidhur me procesin e dialogut.

Por, përkundër afatit që bashkëkryesuesi i delegacionit Shpend Ahmeti i kishte dhënë kreut të shtetit për dorëzimin e dokumentacionit për dialogun, Thaçi deri më tani e ka injoruar një kërkesë të tillë.

Opozita po konsideron se mosdorëzimi i dokumentacionit të kërkuar nga ana e ekipit negociator, tregon se presidenti i vendit, Hashim Thaçi edhe me tej vuan për protagonizëm.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend mendojnë se presidenti Thaçi me ketë veprim po mundohet t'i mbaj sa më larg ekipin negociator të përbërë prej 8 vetash, në mënyrë që ta shtyjë përpara agjendën e tij.

Analisti tjetër politik, Faik Krasniqi, konsideron se presidenti Thaçi është dinak i politikës, dhe kësisoj kështu e ka pësuar edhe ekipi “mbështetës”.

Sipas Krasniqit, procesi i dialogut Kosovë-Serbi është në fazën finale dhe së çdo gjë tashmë është kryer rreth kësaj çështje.

 “Presidenti Thaçi është dinak i politikës. I ngatërron gjërat, e pastaj i futë në grackë të gjithë në ngatërresat e tij. Bisedimet Kosove-Serbi janë në fazën finale, dhe çdo gjë është e kryer”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai vlerëson se krijimi i ekipit negociator është bërë më qëllim që faji mos të ngelet vetëm tek i pari i shtetit, për çfarëdo marrëveshje që do të nënshkruhet në pranverë e këtij viti.

“Krijimi i këtij ekipi fantazmë është ide e Hashim Thaçit, në mënyrë që faji mos të ngelet vetëm tek ai, për çfarëdo marrëveshje që do të nënshkruhet në pranverë. Prandaj bën lojëra të tilla duke mos ua dorëzuar dokumentacionin e dialogut”, ka thënë krejt në fund Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat