17 vite më parë, pranë banesës së tij në Pejë, ishte vrarë në një pritë misterioze deputeti i atëhershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherit ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Rugovë, Smajl Hajdaraj.
Djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, thotë se është punuar pak për zbardhjen e vrasjes së babit të tij.
Hajdaraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se ani pse po bëhen 17 vite që nga vrasja e ish-deputetit të LDK-së edhe me tej nuk ka asnjë rezultat në zbardhjen e kësaj vrasje enigmatike.
“Shumë pak është punuar. Duke marrë parasysh se po bëhen 17 vite që nga vrasja, dhe nuk e kemi asnjë rezultat , atëherë lirisht mund të themi se kemi zero rezultate”, ka thënë Hajdaraj për gazetën “Bota sot”.
Me tej, ai shprehet se ka humbur shpresat tashmë në zbardhjen e këtij krimi makabre, e sidomos nga organet e kompetente vendore.
“Pyetja legjitime që duhet të bëj është se edhe sa duhet të zgjasë kjo marri dhe apati? Fatkeqësisht , përgjigjja është se nuk do marrë asnjë përgjigje nga askush, e aq më pak nga organet kompetente të Republikës së Kosovës”, përfundoi i zhgënjyer Shpëtim Hadaraj për gazetën “Bota sot”.
Edhe pas 12 viteve, vrasja e Hadarajt dhe vrasja e shumë aktivistëve dhe veprimtarëve të devotshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe me tej po vazhdojnë të arkivohen në dosjet e pazbardhura.