Zogaj: Vrasja e Smajl Hajdarajt ishte e pastër politike

Politika

Zogaj: Vrasja e Smajl Hajdarajt ishte e pastër politike

Nga: N.H Më: 17 janar 2019 Në ora: 12:27
Skënder Zogaj

17 vite më parë, pranë banesës së tij në Pejë, ishte vrarë në një pritë misterioze deputeti i atëhershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëherit ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Rugovë, Smajl Hajdaraj.

Edhe pse ka kaluar kohë e gjatë, vrasja e Hadarajt dhe vrasja e shumë aktivistëve dhe veprimtarëve të devotshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe me tej po vazhdojnë të arkivohen në dosjet e pazbardhura.

Bashkëpunëtori i aferat i ish-deputetit Smajl Hadaraj, Skënder Zogaj, thotë se ish-komandanti i UÇK-së në Rugovë ishte një personalitet me vlera të çmueshme atdhetare, dhe pikërisht kjo veçanti e tij, ishte arsyeja që korbat e zi antikombëtar ia shuan jetën.

“Smajl Hajdaraj është demokrati i orëve të para të LDK-së, luftëtari dhe komandanti i orëve të para të luftës çlirimtare të Kosovës, deputeti i Parlamentit nga orët e para të Kosovës së çliruar dhe burri i urtë, i mençur, guximtar dhe i paepur për jetësimin e ëndrrës së lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës. Pra ishte një personalitet me vlera të çmueshme atdhetare, dhe pikërisht kjo veçanti e tij, ishte arsyeja që korbat e zi antikombëtar ia shuan jetën”, thotë Zogaj.

Sipas tij, kjo vrasje ishte politike, për të cilën thotë se ishte realizuar nga smirëzinjtë ideologjikë, që ketë po e bënim për ta dobësuar krahun e demokracisë Rugoviane.

 “Vrasja ishte e pastër politike, nga smirëzinjtë ideologjikë që ketë po e bënim për ta dobësuar krahun e demokracisë Rugoviane dhe për ta rrëmbyer pushtetin me dhunë. Krahas Smajl Hajdarajt prandaj janë vra edhe kolosët si Ahmet Krasniqi, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Ismet Raci, Tahir Zemaj, Ukë Bytyçi, Sebahate Tolaj, e shumë bashkëpunëtorë të tjerë të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova. Janë vra dhe që dy dekada institucionet shtetërore heshtin, nuk guxojnë të zbardhin këto vrasje, dhe kjo është dëshmia se vrasësit e mbajnë të kapur shtetin”, thotë ai.

Në fund, ai nënvizon se mos-zbardhja e vrasjes së bijve më të mirë të Kosovës është mallkim i pafalshëm që populli i Kosovës duhet ta ndjejë dhe të mos e lejojë.

“Kjo kapje po e ngulfat edhe fatin e shqiptarëve të Kosovës, sepse, jemi dëshmitarë të pengut të tmerrshëm që po e ngulfat jetën tonë, lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Mos-zbardhja e vrasjes së bijve tanë më të mirë është mallkim i pafalshëm që populli i Kosovës duhet ta ndjej dhe të mos e lejojë. Institucionet drejtësisë paçin faqen e zezë”, thotë në fund Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat