Kosova përballë synimeve të Serbisë për destabilizim dhe ndarje

Politika

Kosova përballë synimeve të Serbisë për destabilizim dhe ndarje

Nga: Zejnepe Bekteshi Më: 18 janar 2019 Në ora: 13:42
Aleksandar Vuçiq, Federica Mogherini dhe Hashim Thaçi

“Që nga fillimi, Serbia dialogun e ka përdorur vetëm për ta përmirësuar imazhin e vet dhe në të njëjtën kohë ka bërë presion dhe tentativa për destabilizim të Kosovës, si dhe për moslejimin e inkuadrimit të saj në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Albert Krasniqi, këshilltar politik pran Nismës Socialdemokrate.

Çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka bërë që në Kosovë të ketë debate nga pozita e opozita.

Sipas pozitës dhe opozitës,  arritja e një pajtueshmërie nga politika e Kosovës, nuk është e lehtë por nuk është as e pamundur.

Fusnota e ka dëmtuar Kosovën në shumë procese.

Po ashtu, shumica e marrëveshjeve të arritura me Serbinë në Bruksel, nuk janë zbatuar  dhe kjo e fundit nuk pritet të reflektojë në këtë drejtim, shkruan gazeta “Bota sot”

Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë deri më tani kanë shkuar në favor të Serbisë . Kosova nuk ka pasur një plan strategjik  në të cilën përfshihen synimet dhe objektivat e saj.

Thaçi- Dragusha: Serbia nuk ka përfituar diçka më shumë se Kosova në dialog

Evgjeni Thaçi- Dragusha, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thotë në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, se vetë fakti që Kosova zhvillon bisedime me Serbinë, si dy shtete të barabarta, tregon dy gjëra të rëndësishme, e para është se respektohet subjektiviteti i Kosovës dhe e dyta që palët janë të interesuara që përmes mjeteve paqësore të gjejnë zgjidhje për të gjitha çështjet.

Image
Evgjeni Thaçi- Dragusha

“Sigurisht që dialogu nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk janë arritur pritjet tona, sidomos në implementimin e marrëveshjeve, shumë prej të cilave Serbia njëanshëm nuk i ka respektuar, mirëpo nuk mund ta cilësoj si proces të dështuar përderisa kemi arritur ne fazën finale te tij”- u shpreh Thaçi-Dragusha.
Po ashtu, ajo tha se fusnotën askush nuk e ka mirëpritur, por ka qenë një kompromis që Kosova të prezantohet në rastet kur nuk është lejuar si shtet i pavarur :

“Fusnota njeh vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës, dhe ka bërë që ne të lidhim marrëveshje që kanë sjellë miliona euro institucionet dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian të cilat mbajnë qëndrim neutral ndaj statusit të vendit tonë”, potencoi ajo.

Sa i përket rezultateve të deritanishme Thaçi-Dragusha, tha për “Bota sot” se janë të njëjta për të dyja palët .

“Unë nuk mendoj se Serbia ka përfituar diçka më shumë apo ka bërë hapa tutje që çojnë drejt anëtarësimit në BE. Përkundrazi, ne mund t’i referohemi qëndrimit zyrtar të shtetit gjerman, sipas të cilit Serbia nuk mund të bëjë asnjë progres drejt anëtarësimit në BE, nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”-theksoi Thaçi-Dragusha.

Gecaj: Shtetet mike, ia kanë bërë të qartë Serbisë se pa rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk mund të bëhet anëtare e BE-së

Bajram Gecaj, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, tha për "Bota sot" se dialogu mundet gjithherë të formësohet dhe organizohet në mënyra nga më të ndryshmet.

Gecaj shfaqi besimin se edhe ai dialog i çalë ka pasur sukseset e veta, dhe nuk ka qenë tërësisht i pasuksesshëm.

Sipas tij, janë një mori marrëveshjesh që janë zbatuar, por ka marrëveshje që nuk janë zbatuar, siç është ajo e energjisë.

“Megjithatë, kjo nuk duhet të ishte arsye që tani të diskutojmë për territore por të ulemi së bashku e të diskutojmë për rrjedhën e dialogut “, shtoi ai.

Ngecjet e Kosovës sipas Gecajt, nuk duhet shikuar krye-këput si rezultat i dialogut, por edhe i shumë rrethanave tjera, në veçanti të kriminalizimit të vazhdueshëm të skenës politikë.

Image
Bajram Gecaj

“Edhe avancimet e Serbisë duhet vështruar nga kënde tjera, jo vetëm ai i dialogut, marrë parasysh se rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian është një proces shumë i ndërlikuar dhe me mjaft kërkesa. Megjithatë, shtetet mike të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian, ia kanë bërë disa herë të qartë Serbisë se pa rregullimin e marrëdhënieve me Kosovën.  Serbia nuk do të mund të bëhet kurrë anëtare e Bashkimit Evropian. Kosovarët, do të duhej të kthenim kokën kah të metat e problemet tona, e jo ne vazhdimësi të tentojmë ta hedhim fajin diku tjetër”- potencoi Gecaj për Bota Sot.

Ai tha se është koha e fundit që qytetarët mos të kënaqen me dobi sipërfaqësore dhe përmbushjen e nevojave individuale nga individ të kriminalizuar, por votën t'ua japin personave për të cilët besojnë se do të avancojnë vendin dhe interesin e përgjithshëm te tyre.

Krasniqi: Synimi i Serbisë ka qenë destabilizimi Kosovës dhe ndarja e saj

Albert Krasniqi, këshilltar politik i grupit parlamentar Nisma Socialdemokrate, për “Bota Sot” ka thënë se, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë, që ka filluar nga viti 2012, kishte nisur si dialog i çështjeve teknike, për të vazhduar në atë politike.

“Kësisoj, mendoj që Serbia deri tani ka arritur të përfitoj atë që ka synuar nga fillimi, hamendjen e shumë shteteve se a meritojmë të kemi shtetin dhe se a dimë të bëjmë shtetin.  Krejt kjo falë qasjes së gabuar të palës kosovare në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Që nga fillimi, Serbia dialogun e ka përdorur vetëm për ta përmirësuar imazhin e vet dhe në të njëjtën kohë ka bërë presion dhe tentativa për destabilizim të Kosovës, si dhe për moslejimin e inkuadrimit të saj në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Krasniqi.

Ai thotë se, synimi i Serbisë ka qenë destabilizimi Kosovës dhe ndarja e saj.

Image
Albert Krasniqi

“Fusnota ka qenë një mundësi për Kosovën që ka diferencuar vendin tonë nga Rezoluta 1244, por ajo nuk ka forcuar pozicionin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Problemi i deritanishëm i ngecjes së Kosovës ka qenë qasja jo e duhur e palës kosovare dialoguese, e cila ka dialoguar pa një platformë konkrete, pa synime dhe objektiva. Strategjia e ndërtimit të sa më shumë marrëveshjeve teknike që të shfaqin njohjen defacto të Kosovës nga Serbia kanë dështuar”, u shpreh ai.
Krasniqi: Ekipi shtetëror po punon për një platforë konkrete

Sipas Krasniqit, sot gjendemi në një pozicion krejtësisht tjetër të dialogut, pas presioneve ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve.

“Kosova sot ka një ekip shtetëror për të negociuar me Serbinë, i cili është votuar në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka një rezolutë  po ashtu të votuar në Kuvendin e Kosovës që përcakton temat që do të bisedohen”, shtoi ai.

Po ashtu, Krasniqi foli edhe për ekipin shtetëror, i cili po punon në krijimin e një platforme konkrete, e që në esencë ka njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia zgjidhen shumë çështje tjera që tashmë janë diskutuar, dhe do të respektohen dhe zbatohen marrëveshjet teknike të arritura deri më tani”, theksoi ai.

Imeri flet për fusnotën

Dorajet Imeri, asistent në Shkencat Politike, në Universitetin e Prishtinës, tha se çështja e dialogut duhet të analizohet, pasi janë disa ngjarje që i kanë parapri kësaj faze.

“E para lidhet me dërgimin e çështjet së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Serbia, e cila ka kërkuar një përgjigje lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që në planin praktik-politik ka pas për qëllim të ngadalësojë forcimin e subjektivitetet politik të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ngadalësimin e njohjeve dhe ndërrimin e strategjive lobuese të Kosovës”, potencoi ai.

Gjithashtu, Imeri ka folur edhe për pozicionin fillestar për bisedimet teknike, në mes Kosovës dhe Serbisë dhe e thotë se këto negociata nuk kanë pasur një strategji të mirëfilltë të implementimit.

Image
Dorajet Imeri

“Nuk ka gëzuar përkrahje popullore dhe shumica e marrëveshjeve që janë marrë, nuk janë diskutuar në parlament dhe të njëjtët nuk janë implementuar në praktikë. Ideja e fusnotës, lidhet me idenë e mundësimit të Kosovës që të marrë pjesë në nivele ndërkombëtare, por vetë ideja se ajo duhet të negociohet me Serbinë, lë të kuptohet se si mund të jetë ajo në praktikë, për më tepër, kjo marrëveshje në esencë tregon se çështja e Kosovës është ende e papërfunduar, pasi ajo ka një status tjetër të trajtimit nga shtetet e tjera”, theksoi ai.

Kosovës i ka munguar plani i veprimit

Imeri shtoi se, Kosovës, i ka munguar dhe i mungon strategjia, plani i veprimit, në të cilat përfshihen, synimet, qëllimi, objektiva, metoda, instrumentet, mekanizmat shtetëror të pozicionit politik të vendit në raport me Serbinë.

Ai ka folur edhe për Gjykatën Ndërkombëtare, e cila thotë se ka dhënë një vendim, i cili ka qenë i pritshëm, por i detyrua si vendim nga ndërkombëtarët.

“Kjo i bie se Kosova që nga ai moment është dashur të tejkalonte atë që e kishte negociuar me parë, pra Planin e Ahtisaarit ku dhe filloi të zbatohej plani gjashtë pikësh i Ban Ki Moonit. Para secilës negociatë ose bisedim të këtij niveli, duhet ë parashihen disa gjëra, që lidhen me pozicionin politik, klimën politike, planin strategjik, pritshmërinë, raporti politike e ekonomike me palën ndërnegociuese, e deri të roli i klasës politike”, ka theksuar Imeri  “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat