Rusia kërcënon aq sa tigri i letrës

Politika

Rusia kërcënon aq sa tigri i letrës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 janar 2019 Në ora: 08:07
Parada në Beograd e pritjes së Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, arriti gjatë ditës së enjte për vizitë zyrtare në shtetin e vetëm me raporte të mira në Evropë. Në një ceremoni të veçantë, Putin u mirëprit në Serbi nga presidenti i këtij vendi, Aleksandër Vuçiq.

Putini gjatë vizitës atje, vizitoi shumë vende të Serbisë, e gjithashtu ka paraqitur qëndrimin e Moskës lidhur me Kosovën. Një pjesë e madhe e takimit mes dy presidentëve i referohej dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe mundësisë së këmbimit të territoreve, gjë të cilën Rusia e përkrah.

Për shtetin të cilin e udhëheq Vuçiqi, Rusia ka rol të rëndësishëm marrë parasysh të drejtën e saj të vetos të KS të OKB-së, si dhe rolin e Rusisë në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, që garanton dhe fuqizon rrugën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Mirëpo, zyrtarët serb janë deklaruar se Vladimir Putin nuk sjellë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, por është vetëm i interesuar të dijë se cila është zgjidhja më e mirë sipas serbëve.

Vuçiqi, ka thënë se e ka informuar presidentin rus për të gjitha se çka po ndodh në raport me Kosovën.

“E kam informuar presidentin Putin për gjithçka çka po ndodh me Kosovën, përfshirë taksën e padrejtë ndaj produkteve serbe. E kam informuar edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me rezolutën 1244. Ai po na përkrah në këtë. Unë i kam thënë se Serbia ishte e gatshme për dialog e kompromise, por nuk do të pranojmë përulje”, ka thënë Vuçiqi.

Ndërkaq, presidenti rus konkludoi se Rusia është e interesuar që stabiliteti në Ballkan të ruhet.

“Sa i përket Kosovës, qëndrimi rus dihet. Ne duam që të arrini marrëveshje të pranueshme për ju me Kosovën, bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Fatkeqësisht, kohëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë veprime provokuese gjë që tensionoi situatën në rajon. Për këtë e kam fjalën, për formimin e Ushtrisë së Kosovës, e që është shkelje e rezolutës në fjalë e cila nuk e lejon këtë. Rusia e ndan shqetësimin me Serbinë për këto veprime të papërgjegjshme sepse këto veprime mund të sjellin destabilizim”, ka thënë Putin.

Në konferencë të dy presidentëve, ai serb tha se shqiptarët qartazi nuk duan kompromis derisa do të konsultohet me Putinin para çdo veprimi tjetër. Vuçiqi, po ashtu, shtoi se nuk ka gjasa që në një të ardhme të afërt të arrihet marrëveshje me Kosovën.

Putini tha se Rusia gjithmonë ka pasur rol në zgjidhjen e çështjes mes Serbisë e Kosovës, por pak çka ka lëvizur deri tash mes këtyre dy palëve. Ai përmendi mos-formimin e Asociacionit të Komunave serbe.

Putini është pritur në Beograd nga mijëra njerëz të cilët e kanë përshëndetur në të gjitha anët e qytetit.

Kjo është hera e katërt që Putin viziton Beogradin, ndërsa për herë të fundit qëndroi në Serbi në vitin 2014.

Lidhur me vizitën e tij në Beograd, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohës të rrethanave politike.

Gecaj: Takimi nuk ka peshë të madhe për problemet Kosovë-Serbi

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka thënë për “Bota sot” se vizita e Vladimir Putin në Beograd ka të bëjë më shumë me konsum të brendshëm, se sa që ka ndonjë peshë të madhe në zgjidhjen e problemeve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ai beson se roli i Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi do të vazhdoj të jetë margjinal.

 “Unë dua të besoj se roli i Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi do të vazhdoj të jetë margjinal. Rusia mund t’i japë kurajo Serbisë, megjithatë, Serbia nuk aspiron anëtarësim në komunitetin e shteteve të ndërlidhura me Rusinë, por në Bashkimin Evropian. Besoj se takimi më shumë i shërben konsumit të brendshëm në Serbi, se sa që ka ndonjë peshë të madhe në zgjidhjen e problemeve në mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Gecaj.

Ai mendon se roli i Rusisë mund të shkoj në dy drejtime.

“Megjithatë, roli i Rusisë mund të shkoj në të dy drejtimet: mund të inkurajojnë Serbinë që të eci para drejt zgjidhjes së nenit në mes dy shteteve; apo mund edhe t’i inkurajojë të rezistojnë edhe më tutje dhe mos të "dorëzohen" ende. Unë e besoj opsionin e dytë më shumë se sa të parin”, është shprehur Gecaj.

Shahu: Serbia donë BE-në dhe kërcënon me Rusinë

Image
Rexhep Shahu

Publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot” thotë se nuk ka asgjë serioze të vizitës së Putinin në Beograd.

“Unë nuk besoj në asgjë serioze të kësaj vizite. Serbia donë BE-në dhe kërcënon me Rusinë. Por tashmë politika serioze e Amerikës dhe BE e din se Rusia kërcënon aq sa tigri i letrës pasi fuqia politike e një shteti përcaktohet nga fuqia ekonomike e tij. Sot për sot Rusia vetëm viran e kthjell për të kaluarën se ajo është shtet më i dobët se Italia e shumë shtete të tjera”, ka thënë Shahu.

Ai tutje ka shtuar se Rusia përfillet aq sa ka fuqi politike e ekonomike.

“Pra, politikëbërësit e mëdhenj ia dinë fuqinë dhe e përfillin për aq fuqi sa ka por dhe për forcë. Politika shqiptare që ka politikanë që njohin fuqinë e Bashkimit sovjetik, rrinë me frikë para Rusisë, dhe ndaj Rusia bën lajm. Rusia e ka propagandën dhe shënimin e fshehtë të fuqishëm por për me fol e prodhuar lajme. Atë ushtri ka Rusia me ato ushtarë që lypnin cigare në Kosovë para 20 vitesh”, është shprehur ai.

Vizita e Putinit në Beograd do të ndikojë në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi ka thënë për “Bota sot” se, Serbia po mundohet të jetë në pozitën si, “qengji i burë i thith dy nëna”.

“Serbia historikisht ka qenë e lidhur me Rusinë, prej kohës se ish Jugosllavisë. Por gjithmonë duke e luajtur rolin "qengji i butë i thith dy nëna". Kjo lidhje raportesh lindje-perëndim e ka favorizuar në çdo aspekt, edhe ekonomikisht edhe politikisht. Prandaj Serbia është e përkëdhelura e BE-së”, ka potencuar Krasniqi.

E ai mendon se vizita e Putinin në Beograd do të ndikojë në marrëveshjen finale Kosovë – Serbi.

“Padyshim që vizita e Putinit në Beograd do të ndikojë në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, dhe Serbia do ta shfrytëzojë maksimalisht që të përfitojë nga marrëveshja finale dhe si gjithmonë ne shqiptarët do të humbasim nga kjo marrëveshje, sepse Serbia e ka një aleat të fuqishëm si Rusia”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat