"PDK mund t’i tradhtojë aleatët ose Haradinaj do të dorëzohet"

Politika

"PDK mund t’i tradhtojë aleatët ose Haradinaj do të dorëzohet"

Nga: G.B Më: 19 janar 2019 Në ora: 12:29
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar së fundmi në lidhje me taksën dhe kërkesën që ajo të hiqet, derisa ka ngritur dyshime se taksa po përdoret për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Përmes një komunikate për media, KMDLNJ thotë se me rishikimin e taksës mund të rishikohet edhe posti i kryeministrit Haradinaj.

“Tash kemi zëra edhe brenda koalicionit se heqja e taksës mund edhe të rishikohet e që nënkupton se angazhohen për heqjen e kokës së Ramush Haradinajt e cila do të shkonte bashkë me taksën 100%, përmes riformatimit të qeverisë ku do të mbizotëronin ata që e përkrahin heqjen e taksës, si kusht për vazhdim të bisedimeve dhe për këtë, pandershëm e përdorin si argument “ kërkesën e miqve amerikanë“. Ata, vendorët , po të kishin mundësi ta bëjnë riformatimin e qeverisë, pa Ramush Haradinajn , këtë do ta bënin për 5 minuta. Zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë askujt , kërkesa për to janë bllof e jo sidomos atyre që po nguten për arritjen e “një marrëveshjeje historike me Serbinë duke e luajtur lojën e kufijve”, thuhet në reagimin e KMDLNJ.

Image
Jeton Kelmendi

Lidhur me këtë, profesori Jeton Kelmendi vlerëson se taksa ka qenë pamaturi e Qeverisë, pasi në vend të saj është dashur të vendosen sanksione.

“Mendoj se vendosja e taksës ka qenë pamaturi, nuk jam kundër taksës, por nuk është dashur të vendoset taksë por të vendosen sanksione, sepse jo 100 për qind por 600 për qind që Serbia të mos fuste asnjë lloj malli, t’i vendoset embargo Serbisë, do të duhej në këtë kontest që Serbia të mos lejohej që në fillim, jo tani kur dështoi dhe u mundua të ndalohej Serbia. Mos t’i lejohen veturat sepse janë me targa serbe dhe Serbia nuk i njeh targat e Kosovës. Pra krejt çka duhet bërë është bilateralitet dhe jo taksë 100 për qind, siç e nisi kësisoj qeveria”, ka thënë Kelmendi.

Ai thotë se aktualisht jemi në situatë që PDK mund t’i tradhtojë aleatët, por që pret dorëzim të Haradinajt dhe jo prishje të koalicionit e shkuarje në zgjedhje.

“Tani jemi në një situatë që PDK mund t’i tradhtojë aleatët, është një parti e maskaradave, në shërbim të grupeve që funksionojnë e që lidhen me kokat e Thaçit Veselit. Sigurisht që ata mund ta tradhtojnë edhe Haradinajn, sikur Mustafën, por kësaj radhe janë në pozitë që nuk e kanë shumicën dhe kësisoj nuk pres se do ta rrëzojnë qeverinë, por pres dorëzim të Haradinajt i cili ka dhënë dëshmi se para faktorit politik se për ulësen e tij është në gjendje për çdo gjë, sikur që bëri dhe me demarkacionin. Edhe kësaj radhe ai do të dorëzohet”, është shprehur ai.

Sipas profesorit, zgjedhja e duhur është një protestë masive kundër pazareve me territorin e Kosovës.

“Kosova aktualisht gjendet në periudhën më kritike që nga paslufta pasi sundon pakica dhe e dyta se si 12 deputetë janë larguar nga Vetëvendosje dhe kanë krijuar parti dhe i shërben PDK-së sa herë që ajo ka nevojë. Unë mendoj se zgjidhja e gjithë kësaj është që të thirret një protestë masive që të kundërshtohet fuqishëm çdo pazar që bëhet me Kosovën nga presidenti. Normalisht se në kushte normale Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte presidentin por ajo nuk vepron pasi është e kapur, prandaj ajo duhet të ç’kapet nga populli. Tjetër zgjidhje nuk shoh”, ka përfunduar Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat