A do ta mbajë fjalën Haradinaj për taksën edhe nëse rrëzohet qeveria?

Politika

A do ta mbajë fjalën Haradinaj për taksën edhe nëse rrëzohet qeveria?

Nga: G.B Më: 19 janar 2019 Në ora: 19:39
Ramush Haradinaj

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar së fundmi në lidhje me taksën dhe kërkesën që ajo të hiqet, derisa ka ngritur dyshime se taksa po përdoret për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Përmes një komunikate për media, KMDLNJ thotë se me rishikimin e taksës mund të rishikohet edhe posti i kryeministrit Haradinaj.

Se sa mund të përdoret taksa për rrëzimin e Qeverisë, politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka rikujtuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinajt, se nuk do ta heqë taksën me së paku deri në vitin 2022 e të tjerët japin deklarata të ndryshme.

“A do ta lidhë Qeveria Haradinaj fatin e vet me heqjen apo mbetjen e taksës të vënë unanimisht në erën 100 për qind ndaj mallrave që Kosova i importon nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina, me arsyetim politik e jo si masë e politikave ekonomike, gjykuar sipas deklaratave të Kryeministrit Haradinaj duket se taksa mbetet së paku deri në vitin 2022, ndërsa gjykuar sipas deklaratës së zëvendës kryeministrit Enver Hoxhaj, taksa nuk është reale të pritet se do të sjellë njohje nga Serbia të shtetit të Kosovës ndërsa zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i jashtëm Behgjet Pacolli, thotë se Kosova duhet të dëgjojë miqtë e saj, SHBA-të dhe BE-në dhe duhet të heqë taksën”, është shprehur ai.

Tahiri thotë se kjo flet për politikë parimore dhe joparimore, derisa mbetet të shihet se qëndrimi i kujt do të jetë deri në fund, se a do ta mbajë fjalën Haradinaj edhe nëse rrëzohet qeveria.

Image
Ramush Tahiri

“Kjo flet vetvetiu për politikë parimore dhe joparimore edhe mbetet të shihet sa i qëndrueshëm është qëndrimi i Haradinajt se ai këtë bindje do ta mbajë edhe nëse qeveria e tij rrëzohet ose nëse eventualisht gjendet në Hagë, ajo që dihet është se Behxhet Pacolli si partner i vogël i koalicionit qeverisës nuk do ta ndanë këtë fat ndërsa për qëndrimin e PDK duhet të shprehet Kadri Veseli dhe jo Hoxhaj edhe pse jo shumë kohë më parë Presidenti Hashim Thaçi u lavdërua se pikërisht Hoxhaj propozoi taksën për 10 për qind ndërsa Veseli e ngriti në 100 për qind”, ka vlerësuar Tahiri.

Sipas tij, në dilemën se a duhet hequr taksën që të ruhet miqësia me SHBA-në, PDK dhe AKR zgjedhin ta heqin apo suspendojnë atë, por që kjo nuk i konvenon Kosovës, pasi askush nuk garanton që Serbia në fund do ta njohë Kosovën.

“Në dilemën hamletiane a me mbajt taksën e me i prishë marrëdhëniet me SHBA apo me e ruajt miqësinë dhe marrëdhëniet e mira sigurisht që edhe partneri i madh PDK edhe i vogël AKR e zgjedhin me e heqë ose me suspenduar taksën. Kjo në vazhdimin e dialogut me Serbinë duket nënçmuese për Kosovën dhe është pozicion fillese më i dobët se deri tash aq më parë se as SHBA e as BE nuk mund të japin garanci për Serbinë që në fund të procesit do ta njohë Kosovën si shtet”, ka theksuar politologu Ramush Tahiri.

Sipas tij, duke u bazuar në qëndrimet e kundërta, vendi duhet të shkojë në zgjedhje në pranverë, por kjo do ta shtynte dialogun me Serbinë për në qershor, që nuk shihet si gjë e mirë.

“Në qëndrimet e kundërta të shprehura është më se normale që vendi të shkojë ne zgjedhje të parakohshme këtë pranverë dhe mbetet mënyra si do të bëhet kjo me mocion votëbesimi, në Kuvend, me dorëheqje të Kryeministrit ose me vet shpërndarje të Kuvendit me dy të tretat e votave të deputetëve. E gjithë kjo do të shtyjë dialogun Kosovë-Serbi së paku deri në qershor, që për faktorin ndërkombëtar nuk shihet si gjë e mirë sepse marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizim do ta arrijë brenda vitit 2019 duke e përmbyllur Kosovën si shtet sovran e të pavarur”, ka deklaruar Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat