Merovci: Rugova ishte i urtë por jo i butë, ishte njeriu i përmasave përtej kombëtare

Politika

Merovci: Rugova ishte i urtë por jo i butë, ishte njeriu i përmasave përtej kombëtare

Nga: A.M Më: 21 janar 2019 Në ora: 10:16
Ibrahim Rugova dhe Adnan Merovci

Në 13 vjetorin e vdekjes, Presidenti historik  dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, është përkujtuar me fjalët më të mira nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

I pyetur nga “Bota sot” se si e kujton presidentin Rugova në këtë 13 vjetor të vdekjes së tij, Adnan Merovci, njeriu më i afërt i tij është shprehur se e kaplojnë dy momente.

“Thuhet se koha e bënë të veten. Kjo thënie është shumëdimensionale. Koha sqaron shumë çështje, koha vërteton shumë çështje, koha artikulon njerëzit në vendet e tyre. Kur i referohem kohës dhe dua të shprehem për Presidentin RUGOVA, disi pakontrollueshëm më kaplojnë dy momente. Njëri emotiv-nostalgjik për njeriun që e njoha dhe punova me të nga afër dhe tjetra për njeriun e përmasave përtej kombëtare”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se presidenti Rugova po kalitet në kujtesë si njeri që njohu popullin e vet dhe artikuloi kërkesat politike për Kosovën dhe me fanatizëm politik krijoi opinionet publike ndërkombëtare në favor të saj.

“Presidenti RUGOVA pas 13 vjet ndërrim jete vetëm sa po kalitet në kujtesat tona si njeri i veçantë, i urtë, por jo i butë, njeri që njohu popullin e vet dhe artikuloi mrekullueshëm dhe koherentshëm me kërkesat politike për Kosovën që aq shumë e deshi dhe me fanatizëm politik krijoi opinionet publike ndërkombëtare në favor të saj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka thënë se, presidenti Rugova mori në mbrojtje popullin e vet karshi okupimit klasik serb.

“Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ai mori në mbrojtje popullin e vet karshi okupimit klasik serb. Organizoi jetën, arsimin, shëndetësinë, solidaritetin, kulturën, diplomacinë duke ruajtur qenien njerëzore të popullit të vet, e cila kanosej të asgjësohet po të lejonte luftën e hapur në fillim të dekadës në fjalë. Ai këto i arriti vetëm me fuqinë e idesë së tij të artikuluar me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme të cilat populli i kuptoi, pranoi dhe respektoi deri në fund”, ka theksuar Merovci për “Bota sot”.

Ndërsa, si bashkëpunëtor i afërt, Merovci thotë se e nga Presidenti Rugova ka marrë shumë mësime.

“Personalisht, Presidentin RUGOVA e kujtoj si një njeri nga i cili mësova shumë duke u rrezatuar nga reflektimet e tij njerëzore, intelektuale dhe miqësore”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Merovci për “Bota sot” është shprehur se presidenti Rugova po na mungon, por e ka kryer misionin e tij.

“Motoja e Presidentit RUGOVA ishte: liri, pavarësi, demokraci! Liria dhe pavarësia u realizuan. Demokracia është element fluid, i lëvizshëm, i gjallë, ka nevojë për afirmim, ushqim, mirëmbajtje! Demokracia e shëndoshë d.m.th shoqëria e shëndoshë dhe me perspektivë. Marrë parasysh këto, them se Presidenti RUGOVA po na mungon, megjithatë ai kreu misionin e tij. Na mbetet neve që të punojmë dhe vazhdojmë shtigjeve që na i trasoi ai. Jo rastësisht motoja: “Në hap me RUGOVËN”, është doktrinë dhe porosi që ne duhet vazhdimisht ta synojmë!”, ka deklaruar Merovci për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat