Ish-gazetari i luftës i hutuar me thjeshtësinë e Rugovës: Ndaloi SHIK-un enverist të Shqipërisë dhe UDB-në të pushtonte Kosovën

Politika

Ish-gazetari i luftës i hutuar me thjeshtësinë e Rugovës: Ndaloi SHIK-un enverist të Shqipërisë dhe UDB-në të pushtonte Kosovën

Nga: A.M Më: 21 janar 2019 Në ora: 12:59

Në 13 vjetorin e vdekjes së presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, ka folur për gazetën “Bota sot”, publicisti dhe ish-gazetari i luftës Rexhep Shahu.

Ai ka deklaruar se gjithnjë e më shumë bëhet më e ndjeshme për shqiptarët mungesa e presidentit Rugova, pasi që ai ishte president-modeli i paarritshëm dhe ishte e mbeti frymë.

“Çdo ditë që po kalon, gjithnjë e më shumë bëhet më e ndjeshme për shqiptarët mungesa e Ibrahim Rugovës. Jo thjeshte se ishte president-modeli i paarritshëm dhe jo lehtë i kopjueshëm për askënd e aq më pak për të padijshmit që marrin atë post, por për faktin se ai ishte e mbeti frymë, mbeti ndër shqiptarët si misionar që i udhëheq e i prinë në jetë, në punë, në politikë, në shtet-ndërtim, në përgjegjshmëri për Kosovën para njerëzve e para historisë, mbeti si një shenjt real, i prekshëm, i dukshëm, i besueshëm, i adhurueshëm”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Shahu ka rrëfyer edhe momentin kur u takua me presidentin Rugova dhe se mbeti i hutuar nga thjeshtësia e tij.

Image
Rexhep Shahu

“Në 2001, kisha botuar librin tim “Misioni për Paqen”, me intervista dhe impresione me misionarë të huaj  e shqiptarë që kishin vepruar në Kukës, Has, Tropojë, etj për Kosovën në vitet 1998-2000. Miku im Skënder Zogaj bisedoi me stafin e Rugovës dhe shkova në zyrën e Presidentit për t’ia dhuruar librin. Ishte fenomenale. Më hutoi thjeshtësia e tij. Mu shterën fjalët në fillim. Pastaj sikur ishim miq qe 200 vjet. U ngrit në këmbë me libër në dorë dhe më falënderoi për kontributin mediatik për “çështjen tonë kombëtare”. Kur po bënim fotografitë, unë mbaja kokën nga ai në të djathtën time dhe e shihja në sy. Fotografët përballë reaguan që të shihja nga ato. Rugova duke qeshë më tha, Rexh, shih përpara. Më dhemb se nuk i kam krejt ato foto, m’i kanë marrë miq e të afërm dhe më dhemb. Por kur m’i kanë parë miqtë në Kukës ato foto me Rugovën, më graduan dhe më shpallën të privilegjuar, autoritet të lartë moral”, ka treguar Shahu për “Bota sot”.

Për më tepër,  ai ka thënë se presidenti Rugova, mbeti më trimi ndër trima dhe se në çastet më vendimtare mbrojti luftëtarët e Kosovës.

“Presidenti Rugova, mbeti më trimi ndër trima sepse punoi e luftoi në punë, në zyrë deri në çastin e vdekjes, nuk u ankua, nuk qau, nuk u qurravit, nuk u bë për mëshirë kurrë. Nuk jetoi spitaleve, nuk iu shmang jetës, punës, përgjegjësisë, nuk u mbyll të qante e ta priste vdekjen në krevat, në shtëpi. Ai nuk e njihte mëshirën. Ai në çastet më vendimtare mbrojti luftëtarët e Kosovës, kur tha se “ata po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre”, pasi bota atë besonte në Kosovë dhe askënd tjetër asnjëherë si atë, pasi askush asnjëherë nuk e arrin besueshmërinë e tij, autoritetin e tij moral e politik. Nuk qëlloi kurrë për asgjë që ai të mos kishte të drejtë. Ai ishte trim, qëndrestar dhe mori përgjegjësi kur të tjerët fshiheshin ose dredhonin bishtin. Presidenti Rugova ishte antienverist dhe është i pari shqiptar i madh që sfidoi regjimin diktatorial në Shqipëri, refuzoi Enver Hoxhën”, ka shtuar Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, presidenti Rugova nuk u tremb kurrë prej askujt,  ecte drejt qëllimit dhe ishte i pacenueshëm nga asnjë lloj “sirene”.

“Ai ishte institucioni më i madh i nderit, dashurisë për atdhe, më i larti, idhnak si ai, që nuk pranoi as toleroi kurrë fyerje, tallje, poshtërim nga institucione apo shtetarë të Shqipërisë, por i sfidoi të gjithë ata që e fyen. Sa ishte ai në detyrë SHIK-u enverist i Shqipërisë nuk mundi ta pushtonte Kosovën me eksponentët e tij të dyfishtë në harmoni me UDB-në. Ai nuk u tremb kurrë prej askujt. Ai nuk dëgjonte,  si misionar vetëm ecte, ecte drejt qëllimit dhe ishte i pacenueshëm nga asnjë lloj “sirene”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në fund, Shahu ka thënë se presidenti Rugova nuk bëri kurrë lojë me misionin e tij, nuk tradhtoi kurrë luftën e tij dhe se ishte shenjt për Kosovën.

“Rugova nuk bëri lojë asnjëherë me misionin e tij. Ai, i vetmi, nuk e tradhtoi kurrë veten e tij, i besoi deri në flijim vetes së tij dhe vetja e tij ishte Kosova. Ai nuk i tha kurrë askujt se jam unë komandanti, por e lypën të gjithë komandant, nuk e refuzoi askush si komandant. Edhe ata që e luftonin me fjalë, përballë tij ngatheshin, u “binte për thonjsh nga goja” përballë Rugovës. Se ai nuk bëri kurrë lojë me misionin e tij, nuk tradhtoi kurrë luftën e tij, Kosovën e pavarur, njëlloj të hapur si ndaj Shqipërisë e Serbisë, në miqësi të përhershme me SHBA. E qeshura e tij ishte energjia e popullit të Kosovës. Ishte shenjt për Kosovën, në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, ishte fe. Me e pyetë përditë, edhe 100 vjet ai na udhëheq”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat