Serbia ka merituar masa shumë më të rënda, por me taksën Haradinaj po “mbulon” keqqeverisjen

Politika

Serbia ka merituar masa shumë më të rënda, por me taksën Haradinaj po “mbulon” keqqeverisjen

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 janar 2019 Në ora: 18:10
Qeveria Haradinaj

“Situata e krijuar është mjaft e koklavitur pasi që në njërën anë kemi një Serbi që nuk pranon të ulet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr vendimi për taksën dhe kemi Kosovën, apo kryeministri Haradinaj që ka mbetur thuajse i vetëm së bashku me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, duke insistuar që vendimi të jetë në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë analisti Musa Preteni për “Bota sot”.

Autoritetet e Kosovës ngritën taksën mbi produktet serbe në 100 për qind në dhjetor të vitit të kaluar. Ky veprim erdhi si rezultat i një fushate të egër të Serbisë kundër Kosovës. Edhe pse i pëlqyer nga shumica dërmuese në Kosovë, miqtë ndërkombëtar këtë vendim të qeverisë së Kosovës e kanë parë si të ngutshëm dhe të pakoordinuar.

Përfaqësues të opozitës dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se asnjë individ nuk është më i rëndësishëm se sa marrëdhënia me miqtë ndërkombëtar, e posaçërisht me SHBA-të. Prandaj, për veprimet e tilla, këta të fundit shtojnë se duhet një koordinim paraprakisht dhe jo të merren vendimet si të ishin duke tregtuar.

Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Brukseli shprehen se nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100 për qind, nga ana tjetër, qeveria aktuale shpreh rezistencë ndaj këtij vendimi duke mos menduar në asnjë moment për acarimin e raporteve mes Kosovës dhe fuqive të mëdha.

Ambasada e SHBA-së deklarohet rreth taksës

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zyrtarë për informim të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, kanë deklaruar se SHBA në vazhdimësi ka kërkuar heqjen e kësaj takse.

Sipas Ambasadës së SHBA-së, Kosova nuk përfiton diçka nga masa në fjalë.

“Pozicioni ynë mbi taksen nuk ka ndryshuar. SHBA-të në vazhdimësi kanë kërkuar nga udhëheqësia Kosovare ta pezullojnë menjëherë taksen për produktet Serbe dhe ato të Bosnje e Hercegovinës. Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, nuk shohim se Kosova përfiton diçka nga kjo mase. Fuqishëm bëjmë thirrje që të rishikohet fokusi thelbësore i interesit të Kosovës - e që është e ardhmja Evropiane dhe normalizimi i raporteve me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, dhënë për gazetën “Bota sot”. 

Gecaj: Koordinim me SHBA-të ose të shkojnë te shtëpia

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se koalicioni aktual taksën 100 për qind për mallrat serbe e ka shfrytëzuar që të mbuloi keqqeverisjen dhe dështimet e tyre të përditshme.

Image
Bajram Gecaj

“E kam thënë edhe më herët se Serbia ka merituar masa shumë më të rënda se kjo taksa, dhe se kjo është një masë e cila i ka pëlqyer bash secilit qytetarë të Republikës së Kosovës, përjashto komunitetin serb, të cilët janë krejtësisht të manipuluar nga Beogradi zyrtar. Megjithatë, problemi është se koalicioni qeverisës nuk e ka bërë këtë për arsyet e deklaruara, por që përmes një çështjeje popullsite të mbulojë keqqeverisjen dhe dështimet e tyre të përditshme”, ka thënë Gecaj.

Tutje, Gecaj ka folur edhe për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën ka thënë se gjithherë kanë qenë afër nesh.

“Politikanët e Kosovës, si në periudhën para, gjatë por edhe në atë të pasluftës vendimet e mëdha e të rëndësishme i kanë marrë gjithherë në bashkëpunim me miqtë e dëshmuar ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-të. Kjo pasi që liria dhe pavarësia jone është projekt i përbashkët dhe i përbashkët do të jetë edhe rrugëtimi ynë drejt integrimeve euro-atlantike”, ka deklaruar Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Anëtari i partisë më të madhe në vend ka theksuar se asnjë individ në Kosovë nuk është më i rëndësishëm se sa marrëdhënia jonë me SHBA-të.

Andaj ai ka nënvizuar se tani ose duhet koordinim me amerikanët ose të shkojnë të shtëpia.

“Asnjë individ në Kosovë nuk është më i rëndësishëm se sa marrëdhënia jonë me miqtë ndërkombëtar, posaçërisht me SHBA-të. Prandaj veprimet e tilla duhet koordinuar paraprakisht, e jo të merren vendimet si të ishin duke tregtuar: dikush kërkonte dyfishim, tjetri 30 për qind, ndërsa Kadriu e ngrite në 100 për qind, si të binte nga qielli, pa asnjë analizë paraprake. Tani ose duhet post-festum të koordinohen me SHBA-të, ose të shkojnë të shtëpia, sepse janë të gjithë të vegjël sa “miza” në krahasim me marrëdhënien tonë me SHBA-të”, ka përfunduar Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Preteni: Vendosmëria e Haradinajt dhe Limajt do ta çojë vendin në zgjedhje

Ndërsa, politologu Musa Preteni, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vendi tani ndodhet para dy opsioneve, apo thënë më saktë kryeministri Haradinaj i cili është akter kyç në vendosjen e taksës dhe njëkohësisht edhe në vendimin për heqjen e saj.

Image
Musa Preteni

“Kosova momentalisht gjendet para dy opsioneve, apo thënë më saktë kryeministri Haradinaj i cili është akter kyç në vendosjen e taksës dhe njëkohësisht edhe në vendimin për heqjen e saj. Ndërhyrja amerikane për taksën e ka sjellë kryeministrit para dy opsioneve. E para është pezullimi i taksës ashtu siç kanë kërkuar amerikanët dhe e dyta mosndryshimi i vendimit dhe shkuarja në zgjedhje. Situate e krijuar është mjaft e koklavitur pasi që në njërën anë kemi një Serbi që nuk pranon të ulet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr vendimi për taksën dhe kemi Kosovën, apo kryeministri Haradinaj që ka mbetur thuajse i vetëm së bashku me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, duke insistuar që vendimi të jetë në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia”, ka thënë Preteni.

Me tej, ai potencon se situata e krijuar së fundi po e pamundëson edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Preteni, krejt në fund nënvizon se rezistenca e Haradinajt dhe e Limajt si duket do ta çojë vendin në zgjedhje, duke krijuar një situatë komplet tjetër.

“Kjo situatë po e pamundëson dialogun i cili nuk ka opsion tjetër, andaj edhe palët duhet të lëvizin nga pozicionet e ngrira që kanë marrë. Po ashtu këtu shtrohet edhe një detaj vendimtar që dallon dy palët në pozicionet e tyre. Pala serbe është e bashkuar në qëndrimin e saj që nuk ka dialog pa heqje të taksës, kurse në Kosovë kemi kryeministrin me pak mbështetës që janë për mbajtjen në fuqi të këtij vendimi dhe në anën tjetër presidentin dhe një numër të madh liderësh dhe zyrtarë të lartë shtetëror që pas kërkesës amerikane janë për heqje të taksës, duke përfshirë këtu edhe ish partinë e presidentit Thaçi, LDK-në dhe disa zyrtarë pjesë e koalicionit. Vendosmëria e Haradinajt dhe Limajt si duket do ta çojë vendin në zgjedhje, duke krijuar një situatë komplet tjetër”, ka përfunduar politologu i njohur në vend, Musa Preteni për gazetën “Bota sot”.

“Gjuha e Haradinajt fshatareske, por taksa s’do të jetë “mollë sherri” për prishjen e raporteve me Amerikën”

E, analisti politik, Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk beson se taksa për mallrat serbe do të jetë 'mollë sherri' për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Mendoj se qasja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket taksës që i ka vënë Qeveria e Kosovës shtetit të Serbisë nuk besoj se do të jetë ‘mollë sherri’ për prishjen e raporteve në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Kryeministri Haradinaj është një njëri i cili nuk merr vesh në diplomaci dhe gjuha e tij është krejtësisht fshatareske dhe nuk duhet të përgjigjet me atë qasje”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, Haradinaj është njëri i etur për pushtet dhe me çdo kusht tenton t’i mashtrojë qytetarët e Kosovës se kinse është i dashur për popullin.

Image
Jeton Kelmendi

“Është një njeri i etur për pushtet, njëri që pa mërit e ka marrë atë pozitë dhe me çdo kusht tenton t’i mashtroj qytetarët e Kosovës se kinse qenka shumë i dashur për popullin e vet, nuk e ka shumë hallin sepse në fakt qytetarët nuk i besojnë kryeministrit Haradinaj, por vetëm një pjesë e fshatrave, po i quaj kështu në kontekstin e të menduarit”, ka thënë ai.

Kelmendi më tej nënvizon se kryeministri Haradinaj nuk ka guximin që ta kundërshtoj SHBA-të rreth taksës, ndërsa thekson se do të veproj sikurse me demarkacionin.

“Edhe ketë do mund ta heqë sikurse demarkacionin, nëse e kanë seriozisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Haradinaj po orvatet që t’i mashtrojë përsëri ata votuesit, sepse nuk mendoj se ka guximin ky njeri që të kundërshtoj SHBA-në, por këta të fundit e sugjerojnë Haradinajn në mënyrë që të hapen rrugë për dialogun”, ka përfunduar analisti politik, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat