Aktakuzat e para të Speciales çështje javësh, flet avokati Tomë Gashi

Politika

Aktakuzat e para të Speciales çështje javësh, flet avokati Tomë Gashi

Nga: N.H Më: 22 janar 2019 Në ora: 19:39
Tomë Gashi

Javën e kaluar drejt Hagës udhëtuan ish-eprorët e lartë të UÇK-së Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, të cilët u morën në pyetje nga prokurorët e Speciales. Lushtaku e Mustafa atje qëndruan për katër ditë, shkruan gazeta “Bota sot”.

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se edhe pse tashmë disa nga ftesat janë bërë publike, ka informacione se numri i atyre që kanë marrë ftesa nga Gjykata Speciale është shumë më i madh.

“Tani disa ftesa nga Gjykata Speciale janë bërë publike dhe disa jo, edhe pse ka informata të sigurta se numri i atyre që kanë marrë ftesa është shumë më i madh. Një pjesë e atyre që dihen tani janë intervistuar në Zyrën e Prokurorit Special, qoftë në cilësi të të dyshuarve, qoftë në cilësi të dëshmitarëve”, ka thënë Gashi, shkruan gazeta “Bota sot”.

Gashi vlerëson se vonesa në ngritjen e aktakuzave të para nga kjo gjykatë nuk ka të bëjë me ngërçin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që sipas tij, një gjë e tillë do të ndodhë brenda javëve.

“Akuzat e para do të ngritën shumë shpejt , jo brenda disa ditëve, por, brenda pak javësh. Kjo nuk ka të bëjë me çështje të ngecjes së bisedimeve me Serbinë, sepse deri më tani nivele më të larta që janë intervistuar nga Gjykata Speciale janë dy komandantë të dy zonave të UÇK-së, të tjerët janë nivele më të ultë të komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë ai.

Avokati me tej ka theksuar se ky është vetëm fillimi i punës, ndërsa fundi i saj do të jetë siç mendon ai pas 10 – 15 vjetëve, dhe për gjithë ketë ai ka thënë se fajtor kryesor janë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Por, ky është vetëm fillimi, nga se intervistimet edhe për nivele të larta do të vazhdojnë dhe Gjykatën Speciale nuk mundet me ndal në aspektin kohorë Kuvendi i Kosovës, sepse kështu është paraparë me ligjin për ketë gjykatë. Ajo do të përfundojë punën kur sponzorizuesit e që janë BE-ja dhe SHBA-të të bien dakord, e që do të ndodhë diku pas 10 apo 15 vjetëve. Ketë shërbim të keq e bënë deputetët e Kosovës që e votuan këtë ligj kundër vetvetes dhe kundër shtetit të Kosovës”, ka theksuar Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat