Bunjaku Rexhepi: Presidenti Rugova i pazëvendësueshëm

Politika

Bunjaku Rexhepi: Presidenti Rugova i pazëvendësueshëm

Nga: A.M. Më: 22 janar 2019 Në ora: 21:18
Presidenti historik Ibrahim Rugova

Të hënën janë shënuar 13 vite që kur presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë, duke lënë një boshllëk të madh në skenën politike në vend.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se Presidenti historik Rugova ishte unifikues dhe ndiqte një shembull "gandizmi" si paqësor e falës.

“E kujtoj Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, jo vetëm si lider politik, por si një model shëmbëlltyrë se si duhet të jetë një politikan ideal. Presidenti historik Rugova ishte unifikues, fjalëpakë e mendjethelluar; kurrë nuk reagonte ndaj fyerjeve dhe ndiqte një shembull "gandizmi" si paqësor e falës, por kurrë hakmarrës”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Për më tepër, ajo është shprehur se Presidenti arriti ta shuante propagandën serbe ndaj Kosovës para botës.

“Ai më kujtohet me shallin e tij, me syzet, me kostumin prej intelektuali e mendimtari. Që nga largësia, të jepte përshtypjen se kemi të bëjmë me një politikan vizionar, të lexueshëm e diplomat të shkëlqyer. Arriti ta shuante propagandën serbe ndaj Kosovës para botës, me një fotografi me Papën e Nënë Terezën. Na solli miqtë më të mëdhenj në një vend aq të vogël si Kosova”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.

Për më tepër, ajo ka potencuar se presidentin Rugova nuk mund të zëvendësojë dikush tjetër, edhe pse përpiqen të bëhen sikur ai.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Ai i mungon politikës dhe kurrë nuk do ta zëvendësojë dikush tjetër. Të gjithë do të përpiqen të bëhen si ai, por kurrë nuk do ta arrijnë. Atë e krijoi koha, individualiteti i tij, mençuria dhe personaliteti i tij i rrallë. Rugova do të jetë vazhdimisht frymëzim për brezat e rinj; do të kujtohet si arkitekt i Pavarësisë së Kosovës dhe LDK do ta ketë gjithmonë këtë trashëgimi rugoviste në identitetin e saj partiak. Na mungon shumë, por fryma e tij gjithmonë do të jetë pranë nesh dhe me ne. Ne jemi vetëm ndjekësit dhe ndjekëset e tij, por kurrë Ai. Ishte unik, vizionar, diplomat, kritik letrar dhe intelektual i rrallë”, ka përfunduar Bunjaku-Rexhepi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat