LDK pro taksës, me kusht të mos dëmtohen raportet me SHBA-në

Politika

LDK pro taksës, me kusht të mos dëmtohen raportet me SHBA-në

Nga: G.B Më: 25 janar 2019 Në ora: 15:16
LDK

Kosova ka refuzuar ta heq taksën ndaj Bosnjës, pas bisedimeve që kanë zhvilluar dje atje.

Bosnja ka kërkuar heqjen e taksës ose pezullimin e saj, pa kusht, por një gjë e tillë nuk është pranuar nga pala e Kosovës.

Si kusht për heqjen e taksës, Kosova ka kërkuar që Bosnja ta njeh Kosovën si shtet, gjë të cilën Bosnja ka thënë se nuk mund ta bëjë.

Image
Bajram Gecaj

Lidhur me këtë, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është folur se LDK është kundër taksës që është e pavërtetë e madhe, pasi sipas tij nuk ka shqiptar që është kundër taksës.

“Është folur këtyre ditëve shumë një e pavërtetë e madhe se LDK dhe komuniteti ndërkombëtar janë kundër tarifës (taksës) ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Unë nuk besoj se ka ndonjë shqiptar të cilit nuk i ka pëlqyer kjo ide, marrë parasysh gjithë ato pengesa të cilat na i shkaktoi dhe po na i shkakton Serbia që nga paslufta, me theks të veçantë që nga shpallja e pavarësisë”, është shprehur ai.

Gecaj thotë se LDK është pro mbajtjes së taksës, ndërsa qeveritarët duhet ta mbajnë fjalën që të fusin reciprocitet me Serbinë në të gjitha çështjet.

“Si të tillë, ne besojmë se tarifa duhet të mbahet, ndërsa qeveritarët duhet ta mbajnë fjalën që të fusin reciprocitet me Serbinë në të gjitha çështjet. Çfarë kemi thënë në është se këto masa dhe pasojat duhet analizuar paraprakisht, në mënyrë që mos të na kthehen “bumerang” dhe të shkaktojë mu të kundërtën”, ka vlerësuar Gecaj.

Por, ai thotë se qeveritarët duhet pasur kujdes me marrëdhëniet me SHBA-të, pasi populli mund të mos ua falë, duke shtuar se taksa të mbetet por të mbeten të padëmtuara marrëdhëniet me miqtë tanë.

“Nuk ka asnjë masë dhe asnjë individ në Kosovë të jetë më i rëndësishëm se marrëdhënia jonë me SHBA-të. Prandaj këta qeveritarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në këtë të fundit, sepse edhe nëse ua falim ne, nuk ua falë populli i Kosovës. Prandaj, ne u themi qeveritarëve se LDK është në favor të tarifës, ju inkurajon ta mbani fjalën, por që edhe marrëdhëniet me miqtë tonë të dëshmuar të mbesin të padëmtuara”, ka deklaruar Bajram Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat