Avdullah Hoti: Thaçi po tallet me ekipin negociator, ata po i përligjin pazaret e tij

Politika

Avdullah Hoti: Thaçi po tallet me ekipin negociator, ata po i përligjin pazaret e tij

Nga: N.H Më: 25 janar 2019 Në ora: 16:59
Avdullah Hoti

Ekipi Negociator i Kosovës, i udhëhequr nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pritet që të martën, më 29 janar, të zhvillojnë takimin e radhës me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, pritet që ditën e martë të zhvillojnë takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mohgerini. Këtë e bëri të ditur Enver Hoxhaj gjatë një konference për media. 

Lidhur me këtë çështje, shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ekipi negociator e ka kuptuar se janë aty për të përligjur pazaret e Presidentit dhe se ky ekip nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve.

“Ekipi Negociator e ka kuptuar se janë aty për të përligjur pazaret e Presidentit, i cili po tallet me ta. Ky ekip nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoti, për gazetën “Bota sot”.

Shefi i GP të LDK-së ndër tjerash nënvizon se vendit nuk mund t’i vije asnjë e mirë nga një ekip i tillë.

“Në këtë çështje kaq të rëndësishme nuk mund të procedohet kështu, duke krijuar ekip nga njerëz pa legjitimitet, që përfaqësojnë partinë e shtatë në Kuvend, apo që kanë mandate të huaja. Asnjë e mirë Kosovës nuk mund t’i vjen nga një ekip i tillë”, ka thënë ai.

Ndryshe, kujtojmë se takimi i parë ndërmjet tyre u mbajt rreth dy javë më parë. Aty u tha se u diskutua për dialogun dhe taksën që Kosova ka vendosur ndaj Serbisë, shkruan gazeta “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat