Millaku: Mos heqja e taksës deri në njohje, vendim i drejtë dhe i domosdoshëm

Politika

Millaku: Mos heqja e taksës deri në njohje, vendim i drejtë dhe i domosdoshëm

Nga: G.B Më: 26 janar 2019 Në ora: 14:09
Drita Millaku

Kosova ende nuk e ka tërhequr vendimin për taksën, për produktet e Serbisë dhe ato të Bosnjës, pavarësisht kërkesave që ajo të hiqet.

E së fundmi, një ekip nga Kosova ka zhvilluar bisedime në Bosnje, rreth mundësisë së heqjes së taksës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi Bosnja ka thënë se nuk mund ta njohë Kosovën, kërkesë kjo që ka qenë e palës nga Kosova.

Lidhur me këtë, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vendimi për mos heqjen e taksës deri në njohje, është i drejtë dhe i domosdoshëm, duke u sjellë me reciprocitet ndaj shteteve që nuk na njohin.

“Vendimi për mos heqjen e taksës deri në njohje është vendimi më kredibil, i drejtë dhe më se i domosdoshëm me të cilin vendi ynë jep shenja jete. Ne duhet të sillemi me nikoqirllëk dhe me përkushtim me shtetin e Kosovës dhe vetëm kur ne te jemi reciprok me shtetet që nuk na njohin arrijmë jo vetëm t’i vetëdijesojmë ato shtete se duhet të na njohin apo bile të na respektojnë qenësinë tonë por i inkurajojmë edhe shtetet që tashmë na kanë njohur se ne dimë të jemi sovran”, është shprehur Millaku.

Sipas saj, Kosova është shtet i pavarur dhe duke u sjellë kështu, zë vend në mesin e kombeve të lira.

“Kosova është shtet i pavarur dhe si i tillë duhet të sillet sepse vetëm kështu e zënë vendin në mesin e kombeve të lira. Kosova duhet të heq kompleksin e të qenit shtet i ri, i vogël dhe i pafuqishëm. Jemi shtet që kemi histori më të vjetër se secili shtet Evropian”, ka deklaruar Drita Millaku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat