Meteorologët politik - Bota Sot
Meteorologët politik

Politika

Meteorologët politik

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 27 janar 2019 Në ora: 21:09
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Kur Kosova është në fazën e një kolapsi politik, ku qytetarët e saj nuk dinë as çfarë po ndodhë me fatin e shtetit të tyre, krerët e saj në vend të unitetit politik po tregojnë inati mes tyre.

Ata edhe kanë marrë rolin e meteorologëve të Kosovës.

“Bora do të shkrihet dikur”, ishte përgjigja që kryeministri Ramush Haradinaj dha para disa ditësh kur u pyet nëse do të hiqet taksa apo do të rrezohet Qeveria.

E si kundër përgjigje, Presidenti Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “bora ka zënë të shkrihet shpejt…, uroj të mos bëhet skllotë”.

Taksa e Kosovës ndaj Serbisë po e bën Kosovën të tregohet shtet i fuqishëm dhe si një vendim populist është i mirëpritur te qytetarët e vendit, mirëpo arsyetimi i Haradinajt për ta hequr taksën është skandaloz.

Kryeministri thotë se taksa do të hiqet kur Serbia ta njeh Kosovën, mirëpo Kosovës s’ka pse i duhet njohja nga Serbia kur kemi në krahë aleatët më të fuqishëm botëror, e në veçanti Amerikën dhe Gjermaninë.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë  javën e kaluar ridërgoi një qëndrim drejt Qeverisë për t’u hequr taksa, duke paralajmëruar  pasoja për ata që nuk përfillin kërkesën e tyre.

Ndërkaq, Haradinaj u përgjigj duke thënë se taksa nuk është kundër Amerikës por kundër Serbisë e Rusisë

Kërkesën e Amerikës për ta hequr taksën duhet ta respektojmë pasi është shtet mik dhe duhet të kemi besim tek SHBA-të. Qeveria e Kosovës mund të vendos masa të tjera reciprociteti ndaj Serbisë, në këmbim të ndërrimit të qëndrimit politik të Serbisë karshi Kosovës në çështjet ndërkombëtare si dhe procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ironia politike përmes mesazheve nëpër rrjetet sociale e nëpër konferenca të presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, nuk zgjidh asgjë për Kosovën.

Ndonëse taksa është e mirëpritur nga qytetarët e vendit, ajo u vendos për shkak të mos marrjes së përgjegjësisë nga institucionet e vendit për dështimet e tyre nëpër botë. Në qoftë se do të ishte vendim patriotik, ajo do të vendosej në fillim të mandatit Haradinaj.

Sidoqoftë, taksa është e pëlqyer nga i gjithë populli i Kosovës, mirëpo kërkesat e Amerikës duhet të merren parasysh më shumë se çdo gjë tjetër.

Të merren vendime politike duke pritur borën se a do të shkrihet apo jo, nuk është e drejtë për popullin e përvuajtur të Kosovës.

E mira do të ishte që së bashku me borën të shkrihen nga postet edhe kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi, pasi në vend të tyre sigurisht që do vinin pushtetarë që nuk do i ndalte as bora as shiu të merrnin vendime për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...