Mbijetesa e Qeverisë Haradinaj në pikëpyetje

Politika

Mbijetesa e Qeverisë Haradinaj në pikëpyetje

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 janar 2019 Në ora: 07:55
Qeveria e Kosovës

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, në shumë raste kanë përsëritur qëndrimet e tyre se nuk do ta votojnë për miratim projektligjin për vitin 2019. Nga ana tjetër, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar që më 31 janar ky projektligj të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ditë më parë përfaqësues të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të miratojnë Projektligjin për buxhetin e vitit 2019, brenda afateve kohore, i cili pas miratimit në parim më 21 dhjetor, ka mbetur ende pa u shqyrtuar dhe votuar për miratimin përfundimtar.

Ndryshe, në bazë të procedurave ligjore, nëse buxheti nuk është miratuar, Kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për buxhetin më 31 tetor të vitit 2018, mirëpo projektligji ka arritur që të miratohet në parim me datë 21 dhjetor 2018.

Millaku: Ky buxhet është buxhet i asfaltit e jo i ngritjes ekonomike

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë se LVV nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2019 për arsye se ky buxhet nuk është zhvillimor dhe nuk prodhon as rritje ekonomike e as paqe sociale.

Sipas saj, Qeveria me këtë buxhet synon të kënaq interesat e ngushta partiake dhe më këtë mund të ngulfate zhvillimin ekonomik dhe mirëfunksionimin e shtetit në kuptimin e plotë të fjalës.

“Qeveria edhe mund ta votojë buxhetin me votat e PSD- së por kjo e tregon karakterin e vërtetë të këtij koalicioni të natës. Ky buxhet është buxhet i asfaltit e jo i ngritjes ekonomike. Ky buxhet do ta ngulfat arsimin, shëndetësinë e shumë segmente tjera dhe është buxhet i tenderëve”, ka thënë deputetja Millaku.

Sipas saj, Kosova ka nevojë të ketë një mirëqeverisje dhe një kanalizim të drejtë të parasë publike pasi që një herë e mirë duhet braktisën interesat e grupeve të kriminalizuara dhe të këtë shpërndarje të drejtë te buxhetit duke u bazuar ne nevoja dhe interesa te përgjithshme jo klanore.

“Kosova ka hyr në vitin më të rrezikshëm të saj dhe kjo qeveri bashkë dhe këto institucione nuk janë të afta ta përballojnë situatën për shkak se janë të korruptuara dhe të shantazhuar vendit i duhen zgjedhje të reja” është shprehur deputetja Millaku.

Rrahmani: Mos votimi i buxhetit paraqet krizën tjetër krizën nëpër të cilën po kalon koalicioni i PAN-it!

Image
Imet Rrahmani

Deputeti i LDK-së,  Imet Rrahmani, ka thënë se Ligjet e Reformës së Administratës, që po punohen nën presionin e premtimeve të pa përmbushura dhe në vlugun e grevave, mund të jenë burim i një krize financiare në të ardhmen.

Sipas tij, në këtë rast se nuk ka ndryshuar  pozicioni për buxhetin por është Qeveria e Kosovës ajo që ka obligime rreth ndarjes së buxhetit.

“Ne mendojmë se Qeveria ka pasur obligim që të ketë kujdes më të madh në ndarjen e buxhetit. Qeveria duhet të krijoj politika të tilla që garantojnë barazi dhe zhvillim dhe të mos lejoj që me buxhetin të bëhen pazare. Sigurisht që mos votimi i buxhetit paraqet në një formë tjetër krizën nëpër të cilën po kalon koalicioni i PAN-it! Nëse kjo gjendje vazhdon do të ketë probleme praktike në ekzekutimin e buxhetit i cili edhe ashtu nuk ka garantuar zhvillim dhe përmirësim të performancës së institucioneve, ka thënë deputeti Rrahmani.

Kryeziu: Situata po komplikohet

Image
Nexhat Kryeziu

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Nexhat Kryeziu, ka thënë se buxheti për vitin 2019 ende nuk është aprovuar, përderisa shpenzimi i pakontrolluar i parasë publike vazhdon të krijojë pakënaqësi.

Sipas tij, shpenzimi i pakontrolluar i parasë publike vazhdon të krijojë pakënaqësi, ndoshta jo në nivelin e pagave në funksione të caktuara, mirëpo për shkak të pabarazisë që qeveria trajton grupe të ndryshme.

“Kur kësaj i shtohet edhe kriza politike në lidhje me bisedimet, taksën dhe vizat, natyrisht se situata bëhet edhe më e komplikuar. Rruga duhet që të jetë një krijimi i një konsensusi në nivel vendi, ndërsa mbajtja apo më mirë të themi "mirëmbajtja" e kësaj gjendje me veprime të pakontrolluara nga qeveria do të bëjë që situata të del jashtë kontrollit në një të ardhme të jo të largët. Qeveria, në situatën ekzistuese me probleme shumë të mëdha politike jashtë dhe me numër shumë të vogël të koalicionit, nuk është garant i gjetjes së rrugëdaljes”, ka shtuar njohësi i çështjeve të ekonomisë, Nexhat Kryeziu.

Kadriaj: E vetmja shpresë për koalicionin e tanishëm është PSD-ja

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustafë Kadriaj, ka thënë se politika në vend ka dhënë prova që interesi personal është para interesit kombëtar dhe qytetarit.

Image
Mustafë Kadriaj

Sipas tij, partitë në pushtet ofrojnë projekt ligj të buxhetit i cili i favorizon dikasteret qeveritare si dhe në komunat të cilat kanë pushtetin pa strategji të mirëfilltë kombëtare.

“Derisa në anën tjetër opozita deklarohet që do ketë votën kundër pa dhënë së paku alternativë që do të ishte e mirëseardhur me idetë. Po ashtu edhe me votat e opozitës pasi ligji i buxhetit është specifik. Ky është një ligj një vjeçar si dhe është faktor në zhvillimin ekonomik, dhe me plot kuptimin e fjalës është ligj i interesit kombëtar të një shteti në këtë rast edhe për Kosovën. Me këtë disponim të politikës nëse nuk merren masa shumë shpejt, do të na përsëritet ngërçi i tretë politik, duke ndaluar orën e funksionimit të administratës dhe njeherit zhvillimin e vendit”, ka thënë Kadriaj.

Sipas tij, koalicioni qeveritar është duke i dhënë vetes kohë që  ti sigurojë numrat për votimin e ligjit për buxhetin 2019 dhe e vetmja shpresë për koalicionin e tanishëm është PSD-ja e si një patericë e qeverisë, por e cila do të kërkon kundërvlerë për të ngritur dorën pro.

“Politika ditore dinë shumë mirë që të krijojë kriza politike normal kur ju hyn në punë që me plot kuptimin e fjalës do të ishim kandidat për çmim nobel se si shkaktohen krizat artificiale kur ju hyn në punë dhe të gjitha këto lojëra bëjnë në emër të kauzës në interes të qytetarit ndërsa tani kur flasim po ky qytetar është më i varfëri në Evropë pa perspektiv ku çdo i dyti i fuqisë punëtorë ka aplikuar për ndonjë vizë një hap e para me u largu nga vendi sepse politika ditore për dy dekada e bëri Kosovën vend ku nuk mund të jetohet”, ka thënë Mustfa Kadriaj.

Kjo politikë, si çdo dikaster ekonomik edhe pasuritë nëntokësore i ka sjellë para falimentimit

Ai ka pohuar se politika në vend duhet të ulet dhe të përcaktojë një strategji afatgjate duke i favorizuar kështu  ato lëmit ekonomike të cilat janë përparësi krahasuese dhe konkurruese në tregun ndërkombëtar.

“Ne nuk mund të prodhojmë çdo gjë dhe të rezultojë asgjë, sepse nuk mund të jemi konkurrues në të gjitha lëmit. Me revalorizimin e pasurive nëntokësore dhe duke i futur në prodhim sasitë që disponon, Kosova do të ishte konkurrent në tregun ndërkombëtarë. E them këtë sepse kjo do të vinte si rezultat i sasisë së madhe të pasurive nëntokësore, vlerës dhe pastërtisë se mineraleve,  që për fat te keq po kjo politike e si çdo dikaster ekonomik edhe pasuritë nëntokësore i ka sjellë para falimentimit. Pra, ne vend që të jenë kontribuues në buxhet Trepça duhet të subvencionohet nga buxheti, që është diçka absurdë për një mendje të shëndosh profesionalisht “, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomike Kadriaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat