Hidhet poshtë ideja e Haradinajt: Një konferencë si e Rambujesë cenon sovranitetin e Kosovës

Politika

Hidhet poshtë ideja e Haradinajt: Një konferencë si e Rambujesë cenon sovranitetin e Kosovës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 janar 2019 Në ora: 12:09
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj që personalisht nuk u përfshi në dialogun Kosovë-Serbi ka një propozim se si mund të arrihet marrëveshja përfundimtare.

Marrëveshje si ajo e marsit të vitit 1999, e njohur si konferenca e Rambujesë, për kreun e ekzekutivit do të ishte zgjidhje.

Haradinaj tha se nëse do të ftohej në një konferencë të llojit si ajo e Rambujesë, Kosova nuk do të ishte pengesë dhe do ta diskutonte heqjen e taksës.

“Kosova është e gatshme me mbërri një marrëveshje me Serbinë, sikurse ta zëmë të na ftojnë në një konferencë sikurse ajo e Ramujesë, ne nuk e kishim penguar atë me taksë. Pra një konferencë me u marrë vesh për një marrëveshje”, tha ai.

Gjithashtu, Haradinaj gjatë ditës së hënë, dërgoi një letër ambasadorëve të QUINT-it, duke nënvizuar pesë kërkesa të cilat nëse plotësohen, taksa do të hiqet. Në mesin e pesë pikave, Haradinaj ka kërkuar që të mbahet një konferencë për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, duke anashkaluar plotësisht dialogun me Serbinë.

Haradinaj iu ka dhënë ultimatum prej 14 ditësh ambasadorëve të QUINT-it që t’i marrin parasysh dhe të veprojnë në bazë të pikave të hartuara.

Millaku: Ne duhet të insistojmë që pavarësinë e Kosovës të mos e diskutojmë

Image
Drita Millaku

Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka thënë për “Bota sot” se një konferencë si ajo e Ramubjesë, do të ishte e dëmshme për Kosovën. Sipas saj, përfaqësuesit institucional të Kosovës, janë të paaftë t’i mbrojnë interesat e shtetit.

“Konferenca ndërkombëtare për Kosovën si ajo e Rambujesë do të ishte e dëmshme për Kosovën sepse do të kishte fokus Kosovën e cila 11 vite është e pavarur dhe unë mendoj se kjo do të ishte e padrejtë. Ne duhet të insistojmë që pavarësinë e Kosovës të mos e diskutojmë dhe Kosova ka bërë shumë koncesione tashmë në raport me serbët lokal dhe Serbinë dhe se konferenca e tillë kërkon lëshime të tjera të cilat nuk besoj se ne do të mund t’i bënim pa e prekur qenësinë dhe sovranitetin e vendit. Historikisht shqiptarët kanë dalë të humbur në konferenca edhe tani do të dalim të humbur për shkak se këta përfaqësues institucional janë të paaftë t’i mbrojnë interesat e shtetit”, ka thënë ajo.

Ajo mendon se me presidentin Thaçi në konferencë, Kosova do të humbiste.

“Pra, po shihet se bisedimet pa kritere dhe platformë që kanë ndodhur deri më tani kanë qenë në dëm të Kosovës dhe ne nuk kemi përfituar asgjë ndërsa pala tjetër ka përfituar dhe akoma nuk ngopet, kjo tregon se ne duhet të jemi të vendosur për të mbrojtur tërësinë dhe sovranitetin e vendit. Një konferencë ndërkombëtare me Hashim Thaçin si pjesëmarrës në të, do të ishte disavantazh dhe katastrofë e madh për Kosovën”, ka nënvizuar ajo.

Haziri:  Çdo format tjetër hap çështje të reja

Image
Nexhat Haziri

Për analistin Nexhat Haziri, nuk ka asnjë mundësi që të mbahet një konferencë si ajo e Rambujesë dhe sipas tij, kjo do të ishte një kthim mbrapa për Kosovën. Ai mendon se për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kosova duhet të llogaritë brenda kornizave të dialogut në Bruksel.

“Nuk shohë as një mundësi që të ketë ndonjë konferencë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës apo të çështjes së normalizimit të raporteve me Serbinë, siç ishte ajo e Rambujesë, e cila sipas mendimit tim po të ndodhte një gjë e tillë, do të ishte kthim prapa për Kosovën. Edhe kryeministri Haradinaj por edhe kush do tjetër, normalizimin e raporteve me Serbinë, si dy shtete të barabarta duhet ta sheh brenda kornizave të procesit të dialogut të ndërmjetësuar tash e sa vite nga Brukseli dhe mbështetur edhe nga SHBA-ja. Çdo format tjetër, hap çështje të reja dhe për formate të reja do të ishte e interesuar Serbia e cila do te provonte ta hapte edhe çështjen e statusit të Kosovës, çështje kjo që për ne dhe për shumë shtete që na kanë njohur është çështje e mbyllur”, është shprehur Haziri për “Bota sot”.

Tutje Haziri thekson se, propozimi i Haradinajt për një konferencë të tillë, janë pasqyrim i frustrimit të tij nga dështimet me qeverisjen e vendit.

“Andaj propozimi i kryeministrit Haradinaj është një ide e pamenduar mirë dhe më shumë tregon frustrimin e kryeministrit me dështimet në qeverisjen e vendit, pasojat e së cilës po reflektojnë edhe në pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, sidomos në dështimin që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave dhe dështimi për ta anëtarësuar vendin në Interpol”, theksoi Haziri.

Krasniqi: Ky dialog duhet të përmbyllet, por me një kusht që garantuese e marrëveshjes finale të jetë edhe SHBA

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa politologu Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se, bisedimet Kosovës dhe Serbisë nuk kanë prodhuar asgjë pozitive për Kosovën, e kjo për fajin e BE-së.

“Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë futur në një qorrsokak. Prej 8 vitesh që po zhvillohen bisedimet në Bruksel, nuk kanë prodhuar asgjë pozitive për Kosovën. Kjo për fajin edhe të Bashkimit Evropian që nuk ka bërë asnjë presion ndaj Serbisë për t'i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, me ndërmjetësim të BE-së. Kurse, ndaj Kosovës është bërë presion i vazhdueshëm nga ana e BE-së, edhe për gjërat më të vogla. Rastin e fundit e kemi presionin e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. BE-ja me këto veprime është bërë avokate e zëshme e Serbisë. Me këtë format dhe këtë mënyrë të bisedimeve nuk bën të vazhdohen bisedimet”, ka potencuar Krasniqi.

Ai nuk e sheh të rëndësishme dialogut apo konferencën si ajo e Rambujesë, por thotë se më e rëndësishmja është që SHBA duhet të jetë garantuese e marrëveshjes finale.

“Sidoqoftë, ky dialog duhet të përmbyllet, por me një kusht që garantuese e marrëveshjes finale të jetë edhe SHBA, qofte edhe me ndonjë konference si ajo e Rambujesë. Kosova duhet të ec përpara dhe nuk mund të ngelet peng i politikes si pretekst i dialogut me Serbinë”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat