Gjuriq do ta shfryjë tërë dufin e tij kundër shtetit të Kosovës, a ka kush ta ndalë?

Politika

Gjuriq do ta shfryjë tërë dufin e tij kundër shtetit të Kosovës, a ka kush ta ndalë?

Nga: D. B Më: 29 janar 2019 Në ora: 18:49
Marko Gjuriq

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili konfirmoi  ardhjen e tij, në  Kosovë, pritet të mbajë një takim në Qendrën e Studentëve në Mitrovicën e Veriut. Qëndrimi i Marko Gjuriqit në Kosovë është paraparë të mbahet nga data 29 deri më 31 janar, kurse leja i është dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.

Marko Gjuriq i ashtuquajturi shef i Zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, nuk është i vetmi i cili ka provokuar në vazhdimësi qytetarët e Kosovës, sa herë që iu është dhënë mundësia e vizitës së tij në Kosovë, pasi këtë veprim të tillë  e bën edhe shumë zyrtarë të tjerë shtetëror të Serbisë, gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

Në një prononcim për “ Bota sot” Haziri ka thënë se nuk pret ndonjë sjellje më ndryshe të Marko Gjuriqit se sa herëve të tjera.

Sipas tij, Gjuriq edhe kësaj radhe do mundohet serish me retorikën e tij nacionaliste që ta ruaj ndikimin e qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës e sidomos të presidentit Vuçiq.

“Sa i përket institucioneve të Kosovës, të cilat edhe kanë dhënë lejen këtij zyrtari serb për të vizituar Kosovën, do të duhet edhe më parë, por edhe tani që përmes Brukselit ti përcaktonin disa kushte për zyrtarët serb që vizitojnë Kosovën, sidomos në mënjanimin e fjalorit nacionalist që është në kundërshtim me ligjet dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, fjalor ky që destabilizon gjendjen politike në vend dhe përkeqëson marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë”, ka thënë Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, deri më tani shihet se institucionet tona janë të pafuqishme në këtë aspekt, për arsye se reagimet e tyre në Bruksel nuk janë këmbëngulëse për tua ndalë “turrin nacionalist” zyrtarëve të lartë të Serbisë gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

“Andaj edhe kësaj radhe Gjuriq do ta shfryjë tërë dufin e tij kundër shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saja gjoja për mungesë përgjegjësie sidomos për realizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi, me theks të veçantë në mos realizimin apo mos formimin akoma të Asociacionit të Komunave serbe”, ka thënë opinionisti Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat