Haziri: Kosova në krizë të thellë politike dhe ligjore

Politika

Haziri: Kosova në krizë të thellë politike dhe ligjore

Nga: D. B. Më: 31 janar 2019 Në ora: 14:13
Ilustrim

Kosova është në krizë dhe në anarki të paqëndrueshme pasi është krijuar një  pasiguri, paligjshmëri dhe kaos. Kjo për faktin se politika në Kosovë ka prodhuar gjithnjë  e më shumë konflikte, mashtrime e gënjeshtra, papunësi, varfëri,  drogë, korrupsion, krim dhe eksod. Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova mbetet gjithnjë në krizë të thellë.

Image
Ismet Haziri

“Kosova është në një krizë të thellë e të gjithanshme dhe për ta nxjerrë atë nga ky udhëkryq nuk mundet as politika dhe as shoqëria e Kosovës. Madje këtë nuk mund ta shpëtojnë as ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së, por vetëm nëse vijnë ndërkombëtarë tjerë. Pasi për ta nxjerrë Kosovën nga krizat, ku e kanë zhytur atë vazhdimisht partia politike e saj, gjithmonë ka qenë vendimtare ndihma dhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Politikanët bajraktareskë e kanë pasur dhe e kanë pothuajse të pamundur që të dialogojnë ndërmjet tyre, sepse ata mbi të gjitha kanë kapadaillëkun, kokëfortësinë, egoizmin, inatin dhe më kryesore politikanët e kanë pushtetin, korrupsionin dhe interesin personal mbi atë kombëtar”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, Kosova po ashtu është edhe në një krizë të thellë politike dhe ligjore, pasojë kjo që ka ardhur nga një parlament, dhe një qeverisje e administratë  të korruptuar dhe me individë me elemente kriminale.

“Kosova ka ardhur në këtë gjendje si pasojë e gjithë këtyre që i ceka më lart, pasi pikërisht këta të për zgjedhurish e kanë bërë lidershipët që po na udhëheqin vendin. Andaj rrjedhimisht Kosova është në një krizë gjithë institucionale politike dhe qeverisëse dhe në krizë prej sistemit të drejtësisë së falimentuar, të kriminalizuar dhe të korruptuar. Kosova po ashtu është edhe në krizë morale sepse, nëse vendi është në krizë politike, elektorale (demokratike) dhe ligjore, kjo krizë vjen vetëm atëherë kur politika, zgjedhjet demokratike dhe ligji e drejtësia nuk funksionojnë moralisht. Sepse të sillesh moralisht do të thotë të sillesh dhe veprosh si duhet, siç e kërkojnë urdhrat dhe ndalesat morale”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se këto janë deficitet më të mëdha që i ka politika, pushteti dhe drejtësia në Kosovë.

“Nga kjo situatë vendi mund të edhe me zgjedhje të lira, të pa manipuluara, të ndershme dhe demokratike që do të duhet të mbahen shpejti, por me një kusht që ato të mbikëqyren, të monitorohen dhe të kontrollohen rreptë nga ndërkombëtarët duke s’kualifikuar së pari nga e drejta për të kandiduar dhe për të marrë mandatin e deputetit, të qeveritarit elementët e pamerituar, të paaftë, amoralë, jo patriotë dhe sidomos nga ata me elemente kriminale. Këto zgjedhje prandaj duhet të monitorohen rreptësishtë nga ndërkombëtarët, pasi politika aktuale është e pabesueshme, dhe e ka të pamundur për ta bërë vetë dekriminalizimin e saj”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ka vite që qytetarët  dëgjojnë nga politika dhe nga pushteti vetëm gënjeshtra, mashtrime dhe pallavra politike për demokracinë.

“Ka vite që qytetaret dëgjojnë  për patriotizmin, për drejtësinë, për shtetin ligjor dhe për integrimin dhe liberalizim dhe po ashtu zhurmë, thirrje dhe veprime popullsitë dhe prapë e njëjta melodi, filozofi dhe elitë politike, prap zotëron krimi, korrupsioni, mafia, papërgjegjshmëritë varfëria, trafikimi i drogës dhe gjumë dukuri tjera të vazhdueshme. Kjo klasë apo kjo elitë politike e rrejshme dhe mashtruese na ka bërë gazin e botës, dhe po e mban Kosovën gjithnjë peng në krizë dhe në udhëkryq”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat