Millaku: As Kadri Veselit dhe as Hashim Thaçit nuk i intereson miqësia me Amerikën

Politika

Millaku: As Kadri Veselit dhe as Hashim Thaçit nuk i intereson miqësia me Amerikën

Nga: G.B Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 13:19
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Pavarësisht kërkesës së SHBA-së për heqjen e taksës, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. E sa i përket partneritetit me Amerikën, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se në ditën që ndodhë kjo, ai do të largohet nga kreu i Kuvendit.

“Atë ditë që prishet partneriteti me SHBA-të, prishet koalicioni dhe Kadri Veseli largohet nga kreu i Kuvendit. Unë largohem, askujt nuk ia hupi karrigen.  Po flasim për një partneritet që është jetik për Kosovën. Shteti i pavarur dhe sovran mund të lëviz para vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është përgjigja ime përfundimtare”, është shprehur Veseli.

Ndërsa ministri Pal Lekaj ka reaguar pas kësaj, duke thënë se i vjen keq për ata që e vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.

Në anën tjetër, të enjten kryeministri i Kosovës dhe presidenti Hashim Thaçi, janë takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ku pas takimit Haradinaj ka thënë se i është kërkuar heqja e taksës, derisa dhe ka thënë se në ditët në vijim mund të ketë të arritura tjera.

Se sa ka mundësi të rrëzohet Qeveria dhe a rrezikon Kosova ta prishë partneritetin me SHBA-në, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se koalicioni varet nga interesa të ngushta individuale dhe mund të prishet për shkak të tyre.

Image
Drita Millaku

“Fillimisht dua ta cek se koalicioni aktual nuk është lidhur për një kauzë apo qëllim i cili ka të bëjë me një dëshirë për të arritur një qëllim madhor për shtetin dhe popullin por është bërë për interesa të ngushta individuale. Prishja e koalicionit nga partnerët nuk besoj se do të ndodhë se kjo nuk i shkon për shtati këtyre interesave që i ceka më lart”, është shprehur ajo.

Sa i përket partneritetit me SHBA, Millaku thotë se ai nuk varet nga individë dhe miqësia është e përhershme dhe nuk vihet ne pyetje për asnjë arsye, derisa shton se Thaçit e Veseli nuk i intereson miqësia me SHBA-në e që qeveria duhet të bie jo për shkak të taksës por për gabime tjera.

“Partneriteti me SHBA-në është partneritet i cili nuk varet nga individë por nga interesat e popujve tanë, pra kjo miqësi dhe lidhje është e përhershme dhe e fuqishme. Nuk besoj se do të vihet në pikë-pyetje miqësia dhe partneriteti me SHBA-të për asnjë arsye pasi që ky partneritet është i lidhur mbi bazat e miqësisë dhe interesave të pasosura mes popujve tanë. As Kadri Veselit dhe as Hashim Thaçit nuk i intereson miqësia me Amerikën, por interesat e ngushta dhe personale dhe qeveria nuk duhet të bie për shkak të taksës por për shkak të shumë gabimeve dhe aferave korruptive”, ka deklaruar Millaku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat