Kryeministër i shantazhuar me veprime pro karriges së tij

Politika

Kryeministër i shantazhuar me veprime pro karriges së tij

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 shkurt 2019 Në ora: 12:07
Ramush Haradinaj dhe Nenad Rikallo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkarkoi nga detyra ministrin e bujqësisë që vinte nga Lista Serbe, Nenad Rikallo.

Por, shkarkimi i tij erdhi për shkak se Haradinajt i rrezikohej posti i kryeministrit.

Disa banorë të lagjes “Dardania” në Prishtinë, e akuzonin ministrin Rikallo si kriminel që gjatë luftës kreu krime në atë lagje, ushtruar dhunë ndaj shqiptarëve gjatë kohës së okupimit dhe luftës në Kosovë.

Mirëpo, këta zëra nuk i mori parasysh kryeministri Haradinaj, i cili e lejoi Rikallon ta kryente punën e tij në institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës. Madje, kryeministri Haradinaj as nuk ndërmori vendimin e pezullimit të Rikallos deri sa të kryheshin hetimet për akuzat ndaj ministrit serb.

Sidoqoftë, ministri serb Nenad Rikallo nuk u shkarkua për shkak të ankesave nga qytetarët shqiptarë që e targetonin Rikallon si kriminel, por ai u shkarkua që Haradinaj ta ruaj postin e kryeministrit.

Ky akt i Haradinajt që të veproj për karrigen e tij, e jo për qytetarët e vendit, nuk është i pari që nga koha kur erdhi në maje të qeverisë.

Ai lejoi që të humbasin 8,200 hektarë tokë, duke ia falur Malit të Zi me marrëveshjen e Demarkacionit. Ndonëse sa ishte në opozitë, Haradinaj veproi ashpër që ky veprim të mos ndodhte, këtë nuk e bëri edhe në kohën sa u bë kryeministër. Pas votimit të demarkacionit, Haradinaj u zotua se do të hidhej në rishikim çështja e atyre tokave të falura, mirëpo kjo nuk ndodhi kurrë.

Si arsyetim kryesor, Haradinaj lakoi gjithmonë vizat si shfajësim nga ai veprim jo i matur, e madje ishte shumë i sigurt se vizat do të hiqeshin brenda vitit 2018. Mirëpo as kjo nuk ndodhi duke lënë 8.200 hektarë në dorë të Malit të Zi.

Këto veprime e shumë tjera, Haradinaj i bëri nga shantazhi që i vinte prej atyre që mund ta rrëzonin. Ai as nuk e kishte menduar se një ditë, PSD-ja do të dilte dhe do ta shantazhonte me veprimet që duhej bërë për të mbijetuar qeveria e tij.

Kryeministri Haradinaj është në gjendje t’i prishë raportet me SHBA-në nëse nuk i rrezikohet karriga dhe të vendosë që taksa të jetë ende valide, mirëpo në momentin kur PDK-ja t’ia kërkojë zyrtarisht këtë nën kërcënimin e tërheqjes nga koalicioni qeveritar, ai do ta bëjë këtë.

Kur jemi te taksa, Haradinajn po e shantazhojnë edhe dështimet e tij.

Taksa erdhi si mllef i dështimeve në proceset integruese të Kosovës. Kushti për ta hequr taksën, siç ka paralajmëruar kryeministri Haradinaj për njohje nga Serbia, është absurd. Kosovës assesi nuk i duhet njohja nga Serbia kur në krah i kemi aleatët e mëdhenj botëror si SHBA, Gjermani, Britania, Franca etj. I mirëpritur do të ishte reciprociteti në çdo aspekt me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat