Qeveria e shantazhuar - Bota Sot
Qeveria e shantazhuar

Politika

Qeveria e shantazhuar

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 5 shkurt 2019 Në ora: 07:50
Qeveria e Kosovës

Në kohën kur u emërua Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo u akuzua nga banorët e lagjes “Dardania” në Prishtinë se kishte kryer maltretime dhe tortura në civilët shqiptarë gjatë kohës së luftës.

Mirëpo ato ankesa të atyre banorëve që me fotografi e konfirmonin Rikallon, nuk i bënë përshtypje kryeministrin Haradinaj, i cili injoroi këtë rast për të vazhduar punën e tij në qeveri me Listën Serbe.

E shkarkimi i Rikallos erdhi kur Haradinaj u gjend në pozitë para rënies së qeverisë së tij, pasi PSD-ja e kërkoi nga ai shkarkimin e Rikallos, në këmbim të votave të për buxhetin e Kosovës të vitit 2019.

E “lundrimin” politik të Haradinajt për të shpëtuar qeverinë e tij, e kanë komentuar për “Bota sot” deputetë dhe analistë politik.

Rrahmani: Nuk është mirë që Qeveria ka ardhur në pozitë të kushtëzohet dhe të pranoj kushtëzimet

Image
Imet Rrahmani

Deputeti nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani ka thënë se nuk është aspak mirë që qeveria e Kosovës ka ardhur në pozitë që të kushtëzohet.

“Mendoj se nuk është aspak mirë që Qeveria ka ardhur në pozitë të kushtëzohet dhe të pranoj kushtëzimet. Në rrethana të tilla ka mundësi të humb arsyeshmëria në veprime dhe vendime, edhe pse vendimi për shkarkimin e Ministrit Rikallo  ka qenë i arsyeshëm politikisht që nga koha kur janë ngritur dyshime për të kaluarën e tij”, ka thënë ai.

Rrahmani ka thënë se e keqja tjetër e kësaj qeveri është se po kushtëzohet nga të gjitha anët, madje edhe nga brenda koalicionit qeverisës.

“Tash, e keqja edhe më e madhe qëndron te fakti se tash karrika e kryeministrit po kushtëzohet nga të gjitha anët, nga partnerët  brenda koalicionit dhe nga partnerët që veç formalisht janë jashtë qeverisë, përfshi taksën  dhe  vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Prishtinën”, është shprehur Rrahmani.

Ai nuk pret zhvillime pozitive.

“Në rrethana të tilla vështirë se mund të pritet që të kemi zhvillime pozitive që hapin perspektivë por përkundrazi do të kemi vendime nga të cilat do të përfitojnë grupe të vogla dhe do të jenë zgjidhje afatshkurta dhe emergjente”, ka nënvizuar deputeti Rrahmani.

Haziri: Shkarkimi i Rikallos, veprim për poenë politik

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri e ka komentuar për “Bota sot” shkarkimin e ministrit të bujqësisë, Nenad Rikallo.

Sipas Hazirit, ky shkarkim është për poena politik.

“Mendoj se tani shkarkimi i ministrit Nenad Rikallo nga kryeministri Haradinaj gjoja si kusht i vënë nga PSD-ja, është veprim për poenë politik në këtë kohë kur pas largimit të ''Listës Serbe'' nga qeveria e Kosovës, kur tani apo ashtu janë të padefinuara raportet në mes këtij subjekti politik dhe qeverisë së Kosovës. Pra shkarkimin e ministrit Rikallo do të mundohen ta materializojnë për poenë politik edhe qeveria e Kosovës, por edhe PSD-ja, e cila kjo e fundit pasi u bë pjesë e koalicionit PAN, dhe shkallës së ulët të popullaritetit sipas anketave të fundit, do të mundohet që t’ia atribuoj vetës dhe kështu të tentoj që të ngris sado pak shkallën e popullaritetit në opinionin kosovar”, shprehet ai.

Haziri tutje përmend akuzat që i janë bërë Rikallos, për të cilat thotë se është në pikëpyetje se a u heshtën dhe neglizhuan nga Haradinaj për shkak se ishte i varur nga Lista Serbe.

“Sa i përket akuzave ndaj ministrit Rikallo dhe të bëmat e tij gjatë luftës me sa di unë ka pasur një hetim dhe ato kanë rezultuar si akuza jo të faktuara, por megjithatë ai kishte edhe keqpërdorime në ministrinë e Bujqësisë të cilat u heshtën apo u neglizhuan pikërisht nga kryeministri Haradinaj, për shkak se ishte i varur nga votat e Listës Serbe”, ka thënë Haziri.

Miftari: Nenad Rikallo i ka torturuar dhe dhunuar fizikisht një lagje të tërë

Image
Naim Miftari

Ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari thotë për “Bota sot” se, krerëve aktual të shtetit iu ka interesuar vetëm pushteti, qoftë edhe me Listën Serbe. Ai mendon se Rikallo do të duhej të ishte prapa grilave.

“Hashimit, Ramushit dhe Kadriut me Pacollin ju ka interesuar vetëm pushteti edhe me dorën e zgjatur të Beogradit Listën Serbe. Pra, ata nuk e kanë pasur hallin për tjera gjera pos për pushtet, kurse Nenad Rikallo e ka pas vendin në burg jo me qenë ministër i Kosovës, ministër ku 95% e popullatës janë shqiptarë që Nenad Rikallo i ka torturuar dhe dhunuar fizikisht një mahall të tërë gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Miftari thotë se Rikallo nuk do të mund të ishte asesi pjesë e qeverisë së Kroacisë, nëse ai do të merrte pjesë në luftën atje.

“Me pas fatin Nenad Rikalo me jetu gjatë luftës në Kroaci dhe më bërë njëjtat vepra në Kroaci kurrë përjetë nuk kishte bërë qeveria Kroate qeveri me kriminel serb, por e kishin kalb në burg aty ku e ka vendin”, është shprehur ai.

Për më tepër, Miftari ka thënë se askund në botë nuk ka shtet multietnik që vendosin 5%-shi i pakicave.

“Sjellja e krimineleve serb në qeverinë e Kosovës, unë nga ana e presidentit Thaçi e kuptoj, por më ka befasuar për të keq Kadri Veseli dhe sidomos komandanti i UÇK Ramush Haradinaj pasi pikërisht familja Haradinaj ishte dëmtuar shumë gjatë luftës. Ramushit ju kishin vrarë dy vëllezër duke luftuar kundër Ushtrisë, Policisë dhe paramilitarëve serb dhe bekimi i kriminelit serb Rikallos me portofol ministër i Kosovës nuk i ka bërë nder Ramush Haradinajt as Kosovës dhe është koha e fundit të mbushen shqiptarët mend e mos me punuar me teke dhe qejf të të tjerëve dhe të të huajve e me shkoklisur interesin nacional të shqiptarëve të Kosovës. Shtet multi-etnik me 95% të një popullit nuk ka askund në botë pos në Kosovën tonë shtet karikaturë ku pakicat 5% vendosin për gjërat elementare për shumicën 95% të shqiptarëve. Kjo jo demokraci po rresht turp servilitet dhe tradhti e pastër kombëtare”,  ka potencuar ai.

Krasniqi: Kjo tregon se sa i rëndësishëm është pushteti për z. Haradinaj

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi mendon se po të shkarkohej Rikallo kur banorët e lagjes “Dardania” në Prishtinë e akuzonin atë për krime lufte, atëherë Haradinaj do të duartrokitej. Mirëpo, sipas Krasniqit kjo tregon se çfarë është në gjendje të bëjë Haradinaj për të ruajtur karrigen.

“Sikur ta shkarkonte ish ministrin Rikallo për shkak të akuzave të banorëve të lagjes Dardania në Prishtinë, që e akuzonin për krime lufte, atëherë do të ishte më se e drejtë dhe do duartrokitej nga të gjithë. Por shkarkimi i tij erdhi për shkak se i rrezikohej karrigia e kryeministrit, në rast se nuk do të votohej buxheti, sepse ishte i PSD shkarkimi i Rikallos. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është pushteti për z. Haradinaj. Për pushtet është në gjendje të bëj çmos”, është shprehur Krasniqi.

Maxharraj: Rikallo u shkarkua kur Haradinajt ju rrezikua posti

Image
Binak Maxharraj

E njohësi i çështjeve politik, Prof. Dr. Binak Maxharraj ka thënë se bashkë me Rikallon do të duhej të shkarkoheshin edhe ministra tjerë të qeverisë Haradinaj.

“Në një shtet, në një qeveri ku zbatohen ligjet e xhunglës, ku ka skandale dhe afera të shumta, në një vend ku shteti është i kapur nga mafia ekonomiko politike, i plaçkitur, i vjedhur deri edhe në vrasjen e tij, copëtimit të tij, në një shtet ku çdo gjë kushtëzohet më ligjin e të fortit, në një shtet, në një qeveri ku janë më shumë së gjashtë ministra më precedent penal, të shkarkohet vetëm RIKALLO, nuk është lumë e ndjeshme, ani pse Rikallo e ka merituar edhe më herët të shkarkohet në rrethana normale, por këtu nuk pati gjykim e as kurajë ta bëjë Kryeministri Haradinaj”, ka thënë Maxharraj.

Ai tutje ka thënë se vetë kryeministri Haradinaj erdhi në pushtet prej Listës Serbe, ndërsa akuzon PSD-së se po bën “filtrin” për t’u futur në qeveri.

“Këtë kryeministër vet lista serbe e solli në pushtet, ku është pritë më orë të ters derisa erdh nga Beogradi. Por tashti kjo Kryeministrit iu ngushtu/laku për fyti nga rebelët e Shpend Ahmetit të ikur nga LVV ka kushtëzuar jetën e tij në qeveri më kushtin e largimit të Rikallos. Pse kjo PSD e Kaqusha Jasharit nuk kërkojnë që të largohen të gjithë ministrat me kallëzime penale. Kjo u bë vetëm lër patriotizëm nga ana PSD, u bë për vota. Por këta llaskuçët e Shpend Ahmetit luftojnë për pushtet. Janë të humbur. Po kështu është në një shtet kur ligjin dhanë marka politike për interesa të tyre meskine. Kur populli e kërkonte shkarkimin e Rikallos askush nga qeveria nuk e mori seriozisht, sepse edhe nuk guxonte ta bënte një gjë të tillë ani pse këtë e kërkonte populli, por e bëri këtë kur iu rreziku seriozisht karrika. Kështu sollën punët në një shtet të kapur, ku nuk veprojnë dhe zbatohen ligjet, por veprojnë ligjet mafioze të interesit”, ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...