A do të takohen për Shën Valentin Thaçi me Vuçiqin?

Politika

A do të takohen për Shën Valentin Thaçi me Vuçiqin?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 11 shkurt 2019 Në ora: 21:17
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Pasi ndodhemi në prag të ditës së dashuruarve, fillimisht duhet kujtuar se Shën Valentini festohet çdo vit me datën 14 shkurt. Është dita kur njerëzit ia shfaqin dashurinë një personi tjetër përmes dhuratave të ndryshme, duke përfshirë dërgimin e kartolinave, luleve apo çokollatave. Edhe pse duket krejtësisht e pabesueshme, “çifti më simpatik” vjen nga politika, dhe për ironi në mes të dy ish armiqve, që sot nuk shkon pothuajse javë pa u takuar, është fjala për Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiq, të dy momentalisht në poste të presidentit, njëri i Kosovës dhe tjetri i Serbisë. Rënia në dashuri mes dhunuesit dhe viktimës njihet ndryshe edhe si “Sindroma e Stokholmit”, në atë që njihet si ngjarje e vërtetë, ku viktima kishte rënë ekstremisht në dashuri me agresorin. Pa dashur të futem më detajisht tek fenomeni në fjalë, në mënyrë krejtësisht natyrale kërkimi i shpëtimit tek armiku i dikurshëm (edhe sot i tillë për qytetarët e Kosovës) nuk i bën nder askujt, aq më tepër dikujt që është thirr në ideale, dhe propagandon në emër të saj. Kjo ndodh ose kur personi në fjalë s`ka pasur fare ideale ose në emër të saj ka arritur realizimin e synimeve të tija, kjo e dyta del të jetë më afër të vërtetës. Kur jemi tek festa e Shën Valentinit, sigurisht se nuk duhet të mungojnë dhuratat mes të dashuruarve, e këtu as Hashimi nuk qëndron keq, “partnerit” të tij po i dhuron hiq më pak se territor, respektivisht Kosovën Veriore, e cila përfshin gjithsejtë 996 kilometra katrorë (komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan).

Duhet thënë se kjo është “dashuri” e imponuar, pasi partneret janë të detyruar të takohen, ndonjëherë edhe nga malli. Gjithsesi njëri nga partneret e kësaj “lidhjeje” ka interes që përmes saj të mbijetoj nga drejtësia, derisa tjetri s`ka rrugë tjetër. Kur interesat e një individi devalvohen mbi atë të një populli, një popull që ka ra në  letargji të thellë, nuk duhet pritur mirë dhe as që të shpresohet për më mirë. Egoizmi është karakteristik e njeriut që sot fatkeqësisht është president i yni, dhe për interesa të tija është në gjendje që “partnerit” të tij t’i fal edhe tokë. Pazaret mes “çiftit ” Thaçi-Vuçiq për ndarjen e tokës dardane, sigurisht se s`mund të kalohet kaq kollaj, pavarësisht se dashuria mes tyre mund t’i tejkaloj aspektet ekonomiko-territoriale. Nuk pritet që as ky Shën Valentin të kalojë pa u takuar “çifti” famëkeq, që synon të merr çmimin më të lartë në botë, atë Nobel, vetëm se arritën që urrejtjen ta kthejnë në dashuri personale. Flirtet e presidentit aktual ngjajnë me atë të Paridit, që për trillë të tija ndezi një luftë me plotë viktima. Avanturistët janë të rrezikshëm për të qenë në krye të vendi, mbi interesat nacionale dhe racionale të popullit mendojnë për trille momentale të tyre. Nuk do na pengonte flirti mesa  Thaçit dhe Vuçiqi, sikur mos të ishte në mes Kosova por ndjesia e tyre e brendshme. Sikur të ishte kjo e fundit, mbase mund të ishin personazhe për ndonjë vepër apo film botëror, por të qenurit Atdheu në mes, kjo merr krejtësisht konotacion tjetër, aq sa kjo “dashuri” do na kushtoj shumë. Thaçi le të takohet sa herë të do me Vuçiqin, edhe t’i dhuroj dhurata, edhe tani për Shën Valentin, s`ka problem. Por “mollë e ndaluar ” është  Kosova, të cilën Thaçi as nuk guxon ta fal dhe as në emër të saj të flirtoj. Shën Valentinin me Vuçiçin le ta festojnë ku të duan, por Kosovën mos ta marrin nëpër gojë, pasi ky dhe as nuk shihet dhe as nuk blihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat