“Ta heqim taksën, s’kemi nga t’ia mbajmë”

Politika

“Ta heqim taksën, s’kemi nga t’ia mbajmë”

Nga: G.B Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 16:55
Foto ilustruese

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon ta mbrojë taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjës, pavarësisht kërkesave nga SHBA dhe BE që ajo të hiqet.

Që taksa të hiqet kanë bërë thirrje edhe presidenti Hashim Thaçi dhe Kryetari i Kuvendit, derisa së fundmi tri personalitete amerikane u kanë dërguar letër krerëve të shtetit, me kërkesën për heqjen e taksës.

Lidhur me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së dhe vendimin e Haradinajt që taksa të mos hiqet, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk befasohet pse BE e bën një kërkesë të tillë, por që është shqetësim presioni nga SHBA që taksa të hiqet.

Image
Faik Krasniqi

“BE-ja nuk më çudit edhe kur kërkon heqjen e taksës ndaj Serbisë, por edhe kur na kërkojnë gjëra absurde në favor të saj, sepse me kohë e kanë dëshmuar që janë pro Serbisë. Madje e kanë përsëritur që Serbia është më shumë prioritet për Bashkimin Evropian. Por më çudit fakti pse SHBA po bën presion për heqjen e taksës. Nuk është problem, taksa edhe mund të hiqet dhe besoj që do të hiqet. Ne duhet të jemi të shqetësuar pse gjithë ky presion për heqjen e taksës. Kam frikën se prapa këtij presioni qëndron diçka tjetër. Miqtë nuk të bëjnë presion për një shtet tjetër që nuk e konsiderojnë të tillë, e aq më pak për një shtet që hiç më larg se dy dekada ka ushtruar gjenocid ndaj nesh”, është shprehur ai.

Sipas tij, Serbia do të jetë fituese në dialog, prandaj dhe po insiston që të përmbyllet sa më shpejtë ai, derisa shton se duhet pyetur SHBA-në për qëndrimin zyrtar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

“Sidoqoftë, konsideroj që pala e Kosovës do jetë vetëm spektator në fazën finale të dialogut. Serbinë e shoh si fituese në fund të dialogut, prandaj po insiston që të përmbyllet sa më shpejtë marrëveshja Kosovë-Serbi. Me këtë marrëveshje kam frikë që Kosova do ta humbasë edhe Veriun e Kosovës, por edhe s'do të mund ta rikthejmë Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Para se ta heqim taksën ndaj Serbisë, duhet bërë një pyetje miqve amerikanë. Cili është qëndrimi juaj zyrtar për dialogun final Kosovë-Serbi? Nëse ndodh kjo e keqe për Kosovën, atëherë me të vërtetë do të bindemi të gjithë që Serbia ka aleate gjithë boten. Gjermania si agresore gjatë luftës humbi territor. Kurse Serbia si agresore të fitojë territor. Pasi s'kemi nga t'ia mbajmë dhe jemi të vegjël për të bërë gjë, ta heqim taksën”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat