11 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova peng i politikave të gabuara

Politika

11 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova peng i politikave të gabuara

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 shkurt 2019 Në ora: 17:52
Pamje nga festa për 11 vjetorin e Pavarësisë

Kosova po e feston vitin e njëmbëdhjetë të shpalljes si shtet i pavarur dhe demokratik. E këto 11 vite nuk po konsiderohen edhe aq të suksesshme për shtetin më të ri në botë. Llogaritë e pambyllura të luftës dhe dialogu me Serbinë vazhdojnë të përbëjnë një barrë të rëndë mbi shtetin e Kosovës. Këtë barrë edhe më të rëndë e bëjnë problemet ekonomike, shoqërore e politike brenda për brenda vendit.

Njohësit e rrethanave politike e shoqërore në Kosovë, për gazetën “Bota sot”, kanë folur rreth ngecjeve të shumta e të arritura të pakta  në këto 11 vite pavarësi.

Zogaj: Kosova nuk po mundet që ta sendërtoj sa e si duhet pavarësinë e saj

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, vlerëson se Kosova nuk ka mundur që ta ndërtojë si duhet pavarësinë dhe se nuk ka motivim për të manifestuar këtë ditë.

“Dita e pavarësisë që do të duhej të ishte motivi më i fuqishëm për kremtim gjithë popullor, nuk po besoj se, sivjet do të ndjehet dhe manifestohet kështu, derisa, javëve të fundit bulevardet e qyteteve gumëzhijnë nga pakënaqësitë e shumta të mijëra protestues që mllefshēm shprehin zhgënjimet e tyre ndaj shtetit të tyre! Kjo gjendje shpirtërore është shumë brengosëse sepse, nuk ka fije dyshimi se Kosova nuk po mundet që ta sendërtoj sa e si duhet pavarësinë e saj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Për më tepër, ai ka thënë se  pavarësinë e Kosovës është duke e ndjekur  modelin e  pavarësisë së Shqipërisë, por shpreson që shtetasit e Kosovës të vetëdijesohen e të fuqizojnë pavarësinë.

“Më vjen keq që më duhet të theksoj se, pavarësia e Kosovës është duke e përsëritur shembullin e pavarësisë së Shqipërisë, e cila as pas 107 vitesh nuk po arrin që të realizohet! Paramendojeni, nëse edhe Kosova e ndjek këtë përvojë! Ndjehem tepër keq kur shoh se 11 vitet e Pavarësisë së Kosovës janë krejt identike me Pavarësinë e Ismail Qemalit dhe të Edi Ramës! Ruana Zot, nëse kjo përputhshmëri nuk ndryshon dhe nëse Kosova e ndjek modelin e  pavarësisë së Shqipërisë! Ky 11 vjetor i Pavarësisë uroj të jetë edicioni festimit reflektues për të gjithë shtetasit e Kosovës që duhet të vetëdijesohen dhe të krijojnë dhe fuqizojnë pavarësinë që e meritojnë!”, ka potencuar Zogaj për “Bota sot”

Vata: Kosova ka ecur përpara më shpejt se vendet e rajonit

Ndryshe nga Zogaj, njohësi tjetër i çështjeve politike shqiptare, Ilir Vata mendon se Kosova ka ecur shumë më mirë se çdo shtet tjetër i rajonit.

Image
Ilir Vata

“Të gjithë sytë nga Kosova. Kosova mbush 11 vite nga pavarësia e saj dhe tashmë ajo është krejt ndryshe nga ç ‘ishte më parë, ka ecur shumë më shumë se çdo shtet tjetër në rajon, madje askush nuk do të kishte mundur të bënte sa Kosova për kaq pak vite.

Sot, kemi një Kosovë të njohur nga shumë shtete, të demokratizuar, një faktor kyç i politikës së rajonit dhe me një interes të madhe ndërkombëtar. Edhe në këto ditë, Bashkimi Eropian dhe SHBA i kanë sytë nga Kosova, madje dhe vendet më të fuqishme në ven, por sytë nga Kosova i ka dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, pasi Kosova është çelësi i integrimit të rajoni”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Vata është shprehur se në këtë përvjetor të pavarësisë Kosova është afër marrëveshjes historike me Serbinë e cili ai jep fund konfliktit në rajon dhe do t`i hap rrugë integrimit në Bashkimin Evropian.

“Me paqen e Kosovës i jepet fund një kapitulli të errët në rajon, merr fund konflikti, ndasia, hakmarrja primitive mesjetare nga të cilën doli jo vetëm Kosova por dhe i gjithë rajoni. Një popull i dalë nga represioni, dhuna, gjenocidi dhe një luftë e përgjakur është e predispozuar të eci më shpejt se vendet e tjera dhe kjo ka ndodhur realisht, tashmë Kosova është në një stad demokratik të krahasueshëm me vende të tjera që kanë një shekull e më shumë në pavarësi.

Në këtë 11 vjetor Kosova është afër marrëveshjes historike me Serbinë që do ti jap fund konfliktit në rajon, do ti hap rrugë integrimit në BE dhe lëvizjes së lirë në rajon për me shuam bashkëpunim ekonomik dhe politike, për më shumë të mira dhe një Ballkan në paqe si pjesë e erores. E ardhmja nuk gjendet te dasia, te barrierat, mure, gardhet, te kërkimi i konflikteve siç është ndarja e kufijve që ka kapluar së fundmi të gjithë rajonin dhe vetë Kosovës.

Bolshevizmi i vjetër, nacionalizmi primitiv udhëhiqen nga konflikti dhe shprehjet më të rëndomta të dasisë janë, gjuha e vendit tim është më e mirë se e vendit tjetër, flamuri im shkëlqen më shumë se i atij, në jemi më me kulture dhe fundi i konfliktit është hajde të ndryshojmë kufijtë?!

Kjo re e zezë e së shkuarës po i sillet rajonit së fundmi, madje edhe nga më të errëtit e rajoni dhe më gjerë akoma dhe me e keqja po ushqehet nga politika të së shuarës në rajon, brenda Kosovës jashtë saj në të gjithë rajonin, madje dhe në Shqipëri”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

“Kufiri Kosovë- Serbi duhet dhe do të shërbej si akti final”

Gjithashtu, ai ka thënë se kufijtë e Kosovës janë vendosur pas një luftë të shqiptarëve atje dhe shteteve më të fuqishme e më demokratike në botë dhe ato nuk mund të bëhen pazar i askujt .

Vata ka thënë se kjo është  një mundësi për të zgjidhur një padrejtësi shekullore, një mundësi për të shënuar paqen me Serbin dhe rajoni.

“Pra, kufiri Serbi-Kosovë duhet dhe do të shërbej si akti final në shekuj duke sjellë paq në rajon, duke i hapur shtegun Ballkani të shkojë në Europë, madje dhe ato shqiptarë që gjenden jashtë territorit të Kosovës do të gjenden në Europa siç do gjenden shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Malit të zi e ku do ndodhen, pra në aspektin e lëvizjes së lirë kufijtë ruajnë vetëm sovranitetin e shteteve dhe në këtë kuptim sovraniteti i Kosovës është i pa prekeshim dhe garant janë vendet e BE-së dhe kryesish SHBA që investojë shumë më burime njerëzorë dhe financim për paqen e shqiptarëve. Kosova në këtë 11 vjetor është krejt ndryshe në një rrugë të sigurt drejt integrimit, përtej dashakeqësve që janë qepur së shkuarës së konfliktit të kufijve, por në fakt është një mundësi që përvjetorin tjetër të kemi një Kosovë të njohur nga Serbia dhe mendoj se ky përvjetor është i ndritur, por përvjetori tjetër do shkëlqej më shumë. Më mbetet të uroj Gëzuar pavarësinë e Kosovës dhe kjo ditë është festa e mbarë shqiptarëve”, ka thënë Vata për “Bota sot”.

Krasniqi: Dialogu me Serbinë që ka marrë kaheje në disfavor për Kosovën

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi është shprehur për “Bota sot”  se, situata politike dhe ekonomike është në gjendje të palakmueshme.

“Kosova nuk është ajo çfarë kemi pritur dhe ëndërruar. Në 11 vjetorin e pavarësisë, Kosovën e gjen në një situate politike dhe ekonomike në gjendje të pa lakmueshme. Me gjysmën e popullatës të papunë, me emigrim të vazhdueshëm ne masa shqetësuese, ekonomi të pazhvilluar, shëndetësi të sëmurë dhe arsim të degraduar”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Për ë tepër, ai ka thënë se edhe dialogu me Serbinë ka marrë një kaheje të disfavorshme .

“Dialogu me Serbinë që ka marrë kaheje në disfavor për Kosovën. Me një Qeveri cubash. Edhe optimistët më të mëdhenj nuk do të besonin që Kosova dy dekada pas luftës dhe 11 vite pas-pavarësisë, do të ishte në këtë gjendje të mjerueshme. Prandaj, nuk besoj që ka vend për të festuar”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat