Berisha: Çdo lëshim pe ndaj qëllimeve ruso-serbe nënkupton gërryerjen e shtetit tonë

Politika

Berisha: Çdo lëshim pe ndaj qëllimeve ruso-serbe nënkupton gërryerjen e shtetit tonë

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 20 shkurt 2019 Në ora: 12:45
Vladimir Putin, foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova po përballet nga një agjendë agresive nga rusët, pasi 3 mijë monitorues rusë janë në Serbi.

“Atë që e quajmë agjendë talebane apo islamike, ishte shumë agresive ndaj nesh. Por gjithashtu rusët janë shumë agresivë. Ata e bazojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre nga Serbia, ata kanë 3 mijë monitoruesve të tyre që i quajnë humanitarë në Serbi, shumica prej tyre janë në të vërtetë anëtarë të shërbimeve të sigurisë, shërbimeve të sigurisë ruse. Por, ne kemi detyrat tona të shtëpisë dhe nuk jemi vetëm. Ne punojmë në partneritet të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët e tjerë, kryesisht aleatë të NATO-s”, ka thënë Haradinaj një intervistë të dhënë për CNBC.

Se sa mund të ndikojë agjenda ruso serbe në Kosovë dhe Ballkan, për “Bota Sot”, kanë folur Drizan Shala, eksperti i çështjeve të sigurisë, Anton Berisha, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Fadil Maloku, sociolog dhe njëherësh profesor universitar dhe Blerim Burjani, analist politik.

Berisha: Çdo lëshim pe ndaj  qëllimeve ruso-serbe nënkupton gërryerjen e shtetit tonë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se,  Kosova ëhtë në një proces ofansive ruso-serbe, qëllimi i së cilës është zhbërja e shtetit të Kosovës.

Image
Anton Berisha

“Ata janë duke përdorur metoda të kombinuara, në rrafshe të ndryshme, përmes agjentëve, përmes ekonomisë, politikës e formave të tjera. Kosova e Shqipëria janë ndikuar nga këto lëvizje dhe aktivitete, por edhe Mali i Zi, si një skenar politik ruso-serb për të destabilizuar rajonin; përmes skenarëve të provuara edhe më parë të shfrytëzimit të forcave të brendshme”, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha.

Ai gjithashtu tha se, duhet të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj këtyre veprimeve.

“Për fat të mirë, kryeministri Haradinaj ka qartësuar pozicionin tonë mbrojtës, e një shembull të tillë duhet ta ndjekin edhe zyrtarët tjerë dhe politika jonë në përgjithësi, ngase çdo tërheqje dhe lëshim pe ndaj këtyre qëllimeve ruso-serbe nënkupton gërryerjen e shtetit tonë dhe destabilizim të rajonit”, përfundoi Berisha .

Shala: AKI-ja është në një aleancë e ngushtë me CIA-në

Image
Drizan Shala

Eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se, sa i përket sigurisë në Kosovë e në Ballkan përgjithësi mund të themi që në aspektin gjeostrategjik Kosova mbetet një vend ku do kemi fërkime në mes rrymave Perëndim/Lindje.

“Sepse me anëtarësimin e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë në NATO kjo ka lënë vakum Kosovën si arenë për të përballur në mes agjenturave ruse dhe amerikane kryesisht. Mos të harrojmë qendra humanitare në Nish defakto operon si qendër e grumbullimit të informacioneve për aktivitetet në Kosove dhe rajon”, ka thënë Shala.

Kurse ai tha se, Kosova si pjesë e aleancës perëndimore si në luftën kundër terrorizmit dhe spiunazhit ( aktiviteteve informative të agjencive ruse ) ka hartuar plane operative ku në aspektin e reagimit është dëshmuar me arrestime të individëve me prapavijë ruse në territorin e Kosovës.

“Prandaj mund të themi që siguria e Kosovës falë mekanizmave siç janë AKI-ja, Policia, Ushtria ka arritur të përmbyll arkitekturën e saj të sigurisë dhe më këtë nënkuptojmë që përballë një "invazionit potencial jo konvencional" jemi të përgatitur. Por, duhet vëmë në pah që AKI-ja është në një aleancë e ngushtë me CIA-në dhe agjencitë tjera mike dhe në rast të kërkesës nga AKI-ja mund t’i asistojnë më informacione relevante të cilat mund të zbërthenin në veprime për të parandaluar një veprim spiunazhi qoftë nga Serbia qoftë nga Rusia”, përfundoi eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala.

Maloku: Është duke na pritur një konflikt i ri në Ballkan

Image
Fadil Maloku

Sociologu dhe  njëherësh profesori universitar, Fadil Maloku ka thënë se, Kosova nuk i ka as kapacitetet e as kuadrot e përgatitur për një sfidë të tillë kundërshtuese. Sfida e kundërshtimit ndaj një agresioni të tillë të sofistikuar, u mbetet miqve dhe aleateve tanë, të cilët shihet nëse e kanë interesin e tyre gjeostrategjik e politik për të iu kundërvënë kësaj agjende ruso-serbe.

“Ajo çka na duhet neve në këto momente, është uniteti politik i gjitha subjekteve tona, në mënyrë që të dëshmojmë racionalistët dhe pragmatizëm institucional. E jo të fragmentuar, të futemi në këto sfida serioze, në të cilat mund edhe të vuloset fati jo vetëm i Kosovës, por, edhe i gjithë fati i kombit shqiptar. Duhet të kemi parasysh, që rendi i ri botëror, është luhatur aq shumë sa po tunden edhe vlerat dhe sistemi i ikonografisē së BE-së! Ajo tani me tundimin e rendit të ri botëror, që avokonte vlerat multietnike, multifetare, e multikulturore, si vlera universale, është duke u zëvendësuar me vlerat nacionale, etnike, fetare e kulturore”, tha sociologu Maloku.

Gjithashtu Maloku shtoi se, si shqiptar, në këtë pjesë të botës, duhet të kemi përgjigje në këto alternativa globale e kontinentale të kohës.

“Ndryshe, do mbesim sërish në bisht të ngjarjeve dhe proceseve në horizont. Pra, ne duhet të kemi plane të detajizuara, për situata hipotetike dhe reale kërcënuese në rajonin tonë, jo të presim me “duar në xhepa” opsione e zgjidhje nga miqtë e aleatët tanë (të cilët kanë telashet e veta gjeostrategjike, në rajon) natyror dhe të interesit. Koha jonë është sfidë reale sociale, politike, ekonomike, etj. për të gjitha kombet e shtetet serioze...Ndryshe, është duke na pritur një konflikt i ri në Ballkan!”, përfundoi Maloku.

Burjani: Haradinaj duhet të shikojë raportet me miqtë e Kosovës

Image
Blerim Burjani

Nga ana tjetër edhe analisti Blerim Burjani , ka thënë se, tema e veprimtaria ruse është gjithmonë aktuale edhe kur kanë informata edhe kur s’kanë shtetet e Ballkanit dhe më gjerë, nuk është ideja me u marrë me rusët.

“Haradinaj duhet të shikojë raportet me miqtë e Kosovës, SHBA-në, Britaninë dhe BE-në, ai duhet të gjejë  rrugën e integrimit në BE e në NATO, kështu si sillet Haradinaj vështirë se ka ndonjë dobi përveç një dëmi të pa imagjinueshëm për shtetin, por për këtë PDK është përgjegjëse. Ky njeri është i pa parashikueshëm dhe kontraverz në tema të mëdha gjithmonë ishte i tillë, PDK e ka bërë kryeministër edhe pse e kanë njohur mirë dhe e kanë nënçmuar gjithmonë politikisht, por këtë bela duhet ta zgjidhë PDK-ja, kjo parti është përgjegjëse për këtë njeri dhe për mosmarrëveshje politike me miqtë e Kosovës, duhet të riformulohet qeverisja patjetër ose të shkohet në zgjedhje nuk duhet me humb kohë Kosova edhe pse  ka humb shumë kohë të vlefshme, s’ka as liberalizim e as marrëveshje për normalizim këtë e ka kushtëzuar BE-ja dhe së voni SHBA-të” , tha analisti politik.

Ai gjithashtu tha se, shtetet mike kanë shkruar ultimatum për kryeministrin Haradinaj , i cili nuk do të ndalet dhe nuk ka kontroll as të brendshëm politik.

“Në  AAK, s’ka asnjë mekanizëm partiak që e ndal atë për shkak se nuk ka parti, dikur kishte kontrolle dhe nuk mund të lëvizte me teke personale,  AAK kur ishte koalicion , ai e prishi AAK si koalicion e tash ky s’është asgjë, as parti e as koalicion, parti e një njeriu pa kontrolle politike”, përfundoi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat