Profesori ndërkombëtar i kundërpërgjigjet Thaçit: Tregon kur u bë marrëveshja Rama-Vuçiq për ndarjen e Kosovës

Politika

Profesori ndërkombëtar i kundërpërgjigjet Thaçit: Tregon kur u bë marrëveshja Rama-Vuçiq për ndarjen e Kosovës

Nga: A.Zh. Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 20:45
Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot i është rikthyer sërish deklaratave për korrigjim të kufirit me Serbinë dhe mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me territorin e Republikës së Kosovës.

Ai sot në një tryezë të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, me temën “Zëri i Popullit rreth ““Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është pyetur nga kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq se e kujt ishte ideja e korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Thaçi ka thënë se idenë për korrigjim e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellur pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Republikën e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Prej presidentit Rugova në vitin ’94, pastaj prej profesorit Nexhat Daci, prej kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri. Ndërsa sa i përket ndarjes, natyrisht që Serbia ka pretendim ndarjen, por po të tregoj cila është ideja ime origjinale. Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është ideja ime origjinale, që iu kam bashkangjitë presidentit Rugova, Dacit dhe kryetarit të Gjilanit”, ka deklaruar ai.

Por, drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Enver Bytyçi, këtë deklaratë të presidentit të Kosovës e ka quajtur “përpjekje për shpëtim nga fundi tragjik politik” dhe spekulim në emër të presidentit historik Ibrahim Rugova.

Profesori Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Nexhat Daci dhe Lutfi Haziri, duhet të flasin vet për “pështjellimin” që po ua bën Hashim Thaçi, pasi në të kundërtën, atyre do t’iu shkatërrohet karriera politike dhe akademike. Ai ka theksuar se nëse këta të dy nuk reagojnë ashpër, do të dëshmohen si argatë të Thaçit.

“Presidenti i Kosovës në përpjekje për të shpëtuar nga fundi tragjik politik për shkak të tezës së tij të ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, sot spekuloi përsëri me emrin dhe figurën e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ai tha se “Idenë e korrigjimit të kufirit e ka marrë nga Ibrahim Rugova, Nexhat Daci dhe Lutfi Haziri”.Në fillim duhet të them se Nexhat Daci dhe Lutfi Haziri mund e duhet të flasin vetë për këtë pështjellim që ua bën Hashim Thaçi. Se nëse nuk flasin e nuk pozicionohen, atyre iu shkatërrohet karriera politike dhe akademike. Kjo ide e ndryshimit të kufijve po e shkatërron dhe do ta hedh në greminën politike të pakthyeshme vetë Hashim Thaçin, jo më këta, që nëse nuk reagojnë ashpër, do të dëshmohen si argatë të Thaçit”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi idenë e korrigjimit, e ka marrë nga Beogradi dhe Tirana zyrtare e Edi Ramës, madje ka theksuar se atij i është bërë presion për të marrë këtë pozicion. Duke e quajtur të pabazë e “djallëzore”, profesori ka thënë se Thaçi me këtë deklaratë, po përpiqet të fshehë bashkëpunimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të njollos Ibrahim Rugovën.

“Duhet thënë se këtë ide Hashim Thaçi e ka marrë nga Beogradi dhe Tirana zyrtare e Edi Ramës, madje i është bërë presion që të marrë këtë pozicion. Por, me këtë rast dua të demantoj si të pabazë e si përdorim me qëllime djallëzore të emrit të Ibrahim Rugovës. Hashim Thaçi me këtë deklaratë kërkon që të fshehë bashkëpunimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërkaq, me djallëzinë e racës së djajve ai kërkon të njollosë Ibrahim Rugovën. Dikush para pak minutash më shkruante se “Nëse Thaçi e lavdëron Rugovën nuk i bën nder atij, se kur të lëvdon një hajn, duhet të shohësh xhepat se mos ke vjedh diçka”! Pra, është mirë që Thaçi nuk e do Rugovën. Se hajduti nuk mund ta dojë të ndershmin, se “tradhtari” nuk mund të ketë respekt për babain e pavarësisë e të lirisë së Kosovës”, ka deklaruar Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi po kërkon të quajë “tradhtar” edhe Rugovën në aksionin e ndarjes së Kosovës, teksa ka theksuar se vesin e tillë, ai e ka mësuar nga kryeministri Rama.

“Hashim Thaçi kërkon të thotë se “Nëse mua më quani tradhtar në aksionin e ndarjes së Kosovës, i tillë është edhe Rugova. Ky është ves i mësuar nga Edi Rama. Kjo racë politikanësh, kur zihen ngushtë, si mjet të fundit zgjedhin të thonë se “Edhe të tjerët ishin ose janë si ne”!”, është shprehur më tej profesori.

Bytyçi, duke iu referuar deklaratës së këshilltarit të Rugovës, ka thënë se presidenti historik, këtë temë e ka përmendur vetëm në një intervistë shumë kohë para se Milosheviçi dhe Serbia të kryenin masakra në Kosovë.

E profesori ka përmendur dallimet thelbësore ndërmjet deklaratës së Rugovës dhe presidentit të tanishëm, Thaçi.

Teksa ka thënë se Rugova asnjë minutë nuk ia kushtoi këtij opsioni,profesori, Thaçin e akuzuar për angazhim prej më së një viti, për ndarjen e Kosovës. Sipas tij, Ibrahim Rugova bënte politikë dhe testonte me deklaratat e tij, ndërsa Hashim Thaçi po bën pazare.

“Rugova, sipas këshilltarit të tij, Muhamet Hamiti, nuk ka folur kurrë për ndryshim ose korrigjim të kufijve me Serbinë. Sipas këshilltarit të Hashim Thaçit, pra të Blerim Shalës, ai paska folur njëherë për këtë çështje. Edhe nëse ka folur, siç thuhet për Leposaviçin, duhet thënë se këtë e ka përmendur vetëm në një intervistë shumë kohë para se Milosheviçi dhe Serbia të kryenin masakra në Kosovë. Në këtë çështje ka disa dallime thelbësore: Së pari, pavarësia e Kosovës është derivat i masakrave të Beogradit kundër shqiptarëve. Çdo diskutim për ndryshim kufijsh është shkelje e së drejtës dhe e gjakut të martirëve dhe dëshmorëve.Këtë po bën sot Hashim Thaçi, po shkel mbi amanetin e dëshmorëve. Së dyti, Ibrahim Rugova kurrë më nuk e përsëriti atë ide, sepse nuk kishte marrë obligime, thjesht mund të ishte shprehur kësisoj në një rrethanë të caktuar. Ndërsa, Hashim Thaçi prej më shumë se një viti, haptas dhe fshehtas punon për ndarjen e Kosovës. Rugova asnjë minutë nuk ia kushtoi këtij opsioni, edhe pse mund të dukej i pranueshëm në këmbim të një paqeje pa 15 mijë viktima, 20 mijë të përdhunuara, 120 mijë objekteve të shkatërruara dhe një milion refugjatëve. Hashim Thaçi nuk ka lënë antishqiptar pa kapë për xhakete me qëllim që të marrë përkrahje për t’ia falë Serbisë territorin e vendit të vet.Ky është dallim shumë, shumë i madh. Së treti, Ibrahim Rugova bënte politikë, testonte me deklaratat e tij. Hashim Thaçi bën pazare”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Pazari Rama-Vuçiq për ndarjen e Kosovës u bë në tetor 2014 në Pekin

Bytyçi ka thënë se pazari i ndryshimit të kufijve është bërë në Pekin në tetor të vitit 2014,kur Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama shkuan në Samitin 16+1 të Kinës. Sipas tij, Rama në këmbim të kontributit që do të jepte, do të përfitonte aksione në “Trepçën serbe”.

“Pazari i ndryshimit të kufijve është bërë në Pekin në tetor 2014, kur Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama shkuan në Samitin 16+1 të Kinës. Aty ata të dy u morën vesh për ndarjen e Kosovës. Në këmbim të kontributit që do të jepte, Rama do të përfitonte aksione në Trepçen serbe. Po kështu edhe Hashimi, nëse do t’i bindej Ramës, sepse ky i fundit u zotua te Vuçiq se do ta bindë Thaçin, asokohe zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës. Së katërti, kurrë Ibrahim Rugova nuk e shtroi si opsion ndryshimin e kufijve pas çlirimit të Kosovës.Kjo sepse ishte e pa arsyeshme, e pa pranueshme, e panegociueshme kjo alternativë. Ndërsa Thaçi, pasi dështoi për fajet e veta në bisedimet me Beogradin, u vu në shërbim të tij”, ka thënë më tej ai.

Në fund, profesori Bytyçi, ka paralajmëruar se nëse Thaçi nuk heq dorë nga kjo ide, ai do të pësojë goditjen përfundimtare në një kohë me dy bashkëmendimtarët e tij, Aleksandar Vuçiqin dhe Edi Ramën.

“Edhe nëse Rugova kishte një ide, Hashimi po kryen një akt paprecedent në historinë e qeverisjes në botë, por punon me mish e me shpirt për ta tjetërsuar territorin e Kosovës, po punon nën rrogoz, në fshehtësi për projektin serb të ndarjen e saj. Kështu që unë besoj se në asnjë rrethanë e për asnjë arsye Hashim Thaçi nuk mund ta thërrasë në ndihmë Ibrahim Rugovën në aventurën e vet të ndryshimit të kufijve. Nëse nuk heq dorë do të pësojë goditjen përfundimtare e fatmirësisht në një kohë me dy bashkëmendimtarët e tij, Aleksandar Vuçiqin dhe Edi Ramën. Të tre këta janë në fund të karrierës politike dhe ky është një lajm shumë i mirë, në radhë të parë për Kosovën”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat