Korrupsioni goditet më lehtë në nivelin lokal sesa atë qendror

Politika

Korrupsioni goditet më lehtë në nivelin lokal sesa atë qendror

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 13:29
Ilustrim

Korrupsioni si dukuri mund të haset në të gjitha nivelet e pushtetit në Kosovë, si atë qendror po ashtu edhe atë lokal, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, në mungesë të guximit të autoriteteve kompetente për t’u ballafaquar me luftimin serioz të korrupsionit në nivelin qendror, rastet të cilat trajtohen janë më shumë në nivelin lokal.

Sipas përfaqësuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi, organizatë që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë, në trajtimin e rasteve të korrupsionit që janë në procedurë gjyqësore kjo dukuri është e shprehur më shumë në nivelin lokal sesa në atë qendror.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo e dhënë është kështu pasi që mungon guximi i autoriteteve kompetente për t’u ballafaquar me korrupsionin në nivelin qendror.

“Bazuar në gjetjen e monitorimit sistematik të Institutin të Kosovës për drejtësi në trajtimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha gjykatat e Kosovës rezulton se fillimisht rastet të cilat janë në proces nuk janë reprezantive për korrupsionin e vërtet që zhvillohet. E them këtë pasi që veprimtaritë e vërteta korruptive nuk ndiqen dhe nuk arrijnë të dalin në dritë e që ndodhin si në nivelin lokal edhe atë qendror”.

“Bazuar në trajtimin e rasteve që janë në procedurë gjyqësore për korrupsion rezulton se ndoshta më shumë ka korrupsion që përfshin nivelin lokal se në atë qendror. Edhe këtu mungesa e guximit për t’u ballafaquar me profilin e lartë e nxjerr këtë statistikë që më shumë ka korrupsion në nivel lokal sesa në atë qendror”, thotë Musliu.

Duke u bazuar në të dhënat e gjykatave dhe prokurorive në Kosovë, gjatë vitit 2018, ishin shqyrtuar më shumë se 500 raste të dyshuara si raste korrupsioni. Musliu thotë se buxheti komunal dhe ai qendror përfshihet në korrupsion më së shumti përmes zyrave të prokurimit publik.

Prokurimi publik në raportet vendore dhe ndërkombëtare, ishte konsideruar si burim i korrupsionit në Kosovë.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj, nga Organizata joqeveritare “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se korrupsioni më i shprehur është në nivelin qendror, pasi që siç thekson ai edhe mjetet që ndahen nga buxheti i shtetit shkojnë më shumë për nivelin qendror.

“Në nivelin qendror korrupsioni është më i përqendruar, pasi që edhe shpenzimi i parasë publike realizohet përmes qeverisjes qendrore për atë edhe risku i shpërfaqjes së korrupsionit është më i lartë tek institucionet qendrore. Por që nuk mund të thuhet se nuk ka korrupsion në nivelin lokal, por mund të jetë i nivelit më të ulët për shkak edhe kostos buxhetore që shkon për këtë nivel”, thotë Demahasaj.

Por, që sipas tij, problemi më i madh qëndron në atë se në Kosovë nuk është duke u bërë një luftë aktive kundër korrupsionit në veçanti në nivelin qendror.

“Institucionet e Kosovës kanë krijuar mekanizma për të luftuar korrupsionin, por që në një formë kanë ndihmuar vetëm në ndarjen e përgjegjësive posi që lufta kundër korrupsionit nuk është zhvilluar sa duhet. Nuk mund të themi që ka pasur luftë aktive kundër korrupsionit edhe përkundër që ka pasur një numër të madh të aktakuzave të profilit të lartë që janë ngritur, por që të gjitha në një apo në një mënyrë tjetër kanë përfunduar qoftë në hedhje, me parashkrim apo me vendime liruese që kanë ardhur nga ana e gjyqësorit”, theotë Demhasaj.

Edhe Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se deri më tani bazuar në të gjitha hulumtimet që janë bërë si në vend po ashtu edhe nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare ka pasur rritje të nivelit të korrupsionit dhe mungesë të rezultateve në luftimit të korrupsionit.

Raporti i fundit i Pulsi Publik i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka evidentuar korrupsionin si njërin nga problemet kryesore me të cilin përballen qytetarët e Kosovës../Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat