Zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë!

Politika

Zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë!

Nga: D. B Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 12:06
Ilustrim

Partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës, veçmas ato më të mëdhatë, kanë një ngjashmëri me njëra tjetrën, pasi nga përmbajtja ky koalicion vjen i natyrshëm dhe konsideroj që përkundër mosmarrëveshjeve, hë për hë, po arrin ta mbajë veten.

Kështu ka vlerësuar politologu Albinot Maloku i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ky është perceptim i jashtëm, ndërsa kur flasim për rezultatet e punëve të këtij koalicioni, gjithçka lë shumë për të dëshiruar.

Sipas tij, ‘ngecjet’ në krahasim me ‘lëvizjet’ janë shumë më të shpeshta.

Njëmbëdhjetë vite pas pavarësisë, si asnjëherë më parë, kemi stagnim njohjesh për shtetin e Kosovës.

Image
Albinot Maloku

“Këtu po ashtu shfaqet një tendencë për hapje të çështjeve për të cilat nuk është menduar se mund të ndodhin. Ndërkaq ato që ndërlidhen kryekëput me mirëqenien e qytetarit, po lëvizin ngadalë, për të mos thënë aspak drejt premtimeve që janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Koalicioni qeverisës në rrugëtimin politik, sa për opozitën që e kemi, ka për ta përfunduar mandatin pa problem. Pra LDK-ja e cila e prezanton si opsion ngjitjen e saj drejt bashkëqeverisjes dhe LVV e vetme, nuk besoj se me veprimet e tyre, mund t’ia shkurtojnë mandatin kësaj qeverie. Në këto rrethana, i vetmi opsion i rrëzimit të qeverisë, është prishja e koalicionit, gjë që është pak e gjasshme të ndodh shumë shpejt. Nuk jam duke thënë që kjo qeveri e ka të garantuar rrugën drejt përfundimit të mandatit të cilin ia garanton kushtetuta, natyrisht jo! Gjasat që të kemi zgjedhje të parakohshme janë të mëdha, por ato nuk do të ndodhin para vjeshtës së këtij viti”, ka thënë politologu Albinot Maloku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat