Gecaj: Rugova nuk ka pasur mendim të mirë për Thaçin

Politika

Gecaj: Rugova nuk ka pasur mendim të mirë për Thaçin

Nga: D.RR Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 12:18
Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova

Vula presidenciale e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, është hequr nga dekoratat dhe komunikimet me ndërkombëtarë qysh kur në krye të Presidencës ka ardhur Hashim Thaçi.

Ndonëse vula me flamurin dardan ende qëndron në krye të ueb-faqes zyrtare të Presidencës dhe në komunikata të dërguara mediave, ajo nuk figuron edhe në letrën zyrtare të Thaçit dërguar presidentit amerikan, Donald Trump, por as në çmimet dhe dekoratat që ua ka ndarë personaliteteve të ndryshme kohët e fundit.

Vula e ish-presidentit Rugova e cila ishte dizajnuar qysh në vitin 1992 ku për bazë e ka flamurin dardan, është hequr edhe nëpër aktivitetet e presidentit të tanishëm.

Vula e presidentit Rugova nuk është më nëpër të gjitha modelet e dekoratave, mirënjohjet, medalje, çmimet dhe titujt e nderit që shpërndanë presidenti Hashim Thaçi kohëve të fundit.

Ndonëse, Thaçi para publikut e çmon presidentin historik, ai nuk e bënë këtë mbrapa kamerave. Heqja e vulës së Rugovës nuk është veprimi i vetëm që Thaçi e shkarkon urrejtjen ndaj tij. Në librin e tij të botuar nga dy gazetarë anglez, aty ka shpifje të vazhdueshme për Rugovën dhe jo vetëm.

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë për “Bota sot” se, respekti i Thaçit për Rugovën ishte artificial dhe se Rugova e dinte se çfarë personi është ai.

“Diçka plotësisht e pritur. Hashim Thaçi asnjëherë nuk e ka respektuar Presidentin Rugova, por dorën në zemër, as Rugova nuk ka pasur mendim të mirë për Thaçin. Respektin të cilin e ka pretenduar ta tregoj Thaçi për Rugovën pas vdekjes së tij, ka qenë respekt artificial dhe i padinjitetshem, me qëllime kryesisht politike dhe elektorale”, ka thënë Gecaj.

Në fund, Gecaj shton se tërheqja e vulës së Presidentit Rugova është aq i përkohshëm sa edhe qëndrimi i Thaçit në atë zyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat