Thirrja për LDK-në: Koalicioni me PDK-në, vetëvrasje politike  

Politika

Thirrja për LDK-në: Koalicioni me PDK-në, vetëvrasje politike  

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 1 mars 2019 Në ora: 08:03

“Kjo që po bën Thaçi është indikatorë se ai qëndron prapa ndërsyerës së bashkësisë ndërkombëtare kundër qeverisë dhe kundër interesit të vendit. Ndërkohë që Veseli rri i fshehur sepse nuk do te ekspozohet meqë koston tradhtisë para qytetarëve dhe votuesve duan të mos e merr PDK. Lidershipi i LDK do e paguante koston shumë të lartë dhe një vetëvrasje politike nëse do të bënin kompromisin e radhës. Në anën tjetër pa opozitën e fuqishme që ka sot Kosova asnjë marrëveshje nuk mund të shkojë përpara”, ka potencuar Haki Abazi.

Të mërkurën mbrëma, presidenti i vendit Hashim Thaçi, shkoi në shtëpinë e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, të cilin e rrëzoi nga qeveria në bashkëpunim me PDK-në dhe partitë tjera.

Takimi u mbajt pa paralajmërim, mirëpo u zbulua gjatë raportimeve të vazhdueshme dhe më pas zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa konfirmoi zyrtarisht takimin.

“Mund të konfirmoj që, me kërkesë të Presidentit Thaçi, kryetari Mustafa e ka takuar në shtëpi, ku është njoftuar nga Presidenti rreth vizitës së sotme të dy zyrtarëve nga SHBA dhe kërkesave të tyre drejtuar koalicionit qeverisës”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit së LDK-së.

Reagimi i Isa Mustafës

E të enjten gjatë ditës, vet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u deklarua për takimin e tij që pati me presidentin Thaçi.

“Mbrëmë e takova Presidentin Thaçi në shtëpinë time. Kërkoi të më informoj, si kryetarin e partisë më të madhe politike, për kërkesat por edhe paralajmërimet për masa, shumë serioze, ndaj Kosovës, të deklaruara nga delegacioni i lartë i SHBA-së”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se, ka kërkuar nga presidenti Thaçi që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve dhe të ruhen marrëdhëniet e mira me SHBA-në.

“Ia shpreha brengosjen time dhe të LDK-së për situatën në të cilën koalicioni qeverisës e ka sjellë vendin. Kërkova nga Presidenti që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve, në mënyrë që të krijohet një ambient normal për dialog dhe të evitohet frika nga dialogu. Se LDK nuk do të pajtohet në asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo qon në rihapje të shtetësisë. Po ashtu, theksova se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-të, si aleatin tonë strategjik. Ia shpreha qëndrimet e LDK-së për dialogun dhe nevojën që para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin”, është shprehur ai.

Ndërsa deklaratë nga presidenca nuk ka pasur për këtë takim.

Lidhur me takimin Thaçi-Mustafa, kanë folur nga AAK-ja, të cilët janë pyetur se a ndihen të rrezikuar në koalicion pas këtij takimi.

Isufi: opinioni duhet të dijë më shumë rreth temave dhe qëllimeve të takimeve

Image
Ahmet Isufi

Shefi i Grupit Parlamentar nga AAK-ja, Ahmet Isufi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se, nuk ka asgjë për t’u befasuar nga ky takim, pasi Isufi e ka vlerësuar si vizitë e ndërsjellët institucionale.

“Vizitat e ndërsjella të liderëve institucionalë e politikë janë të zakonshme dhe ata vetë po i bëjnë publike prandaj s’ka asgjë për tu befasuar”, është shprehur ai.

Ai ka kërkuar që takimet të jenë sa më transparente.

“Menjëherë pas takimeve po vazhdojnë spekulimet por ne konsiderojmë që opinioni duhet të dijë më shumë rreth temave dhe qëllimeve të takimeve”, ka thënë Isufi për “Bota sot”.

Abazi: LDK do paguante kosto të lartë nëse do të bënin kompromisin e radhës

Image
Haki Abazi

Ndërsa analisti politik, Haki Abazi, për “Bota sot” ka thënë se është metodë e Thaçit që t’iu shkojë në shtëpi njerëzve që i ka prishur raportet me ta.

“Thaçi është njeri i pafytyrë, ai është njeriu që dërgoi njësitin ROSU pa asnjë plan në veri ku është vrarë Enver Zymberi dhe asnjëherë nuk është konfirmuar përgjegjësia se çka në fakt ka kërkuar ROSU atje ku ka humbur jetën një pjesëtare i ROSU. Të njëjtën formë e ka keqpërdorur edhe me familjet e patrioteve të vrarë duke imponuar dhe duke ju shkuar në shtëpi me zor”, ka nënvizuar ai.

Abazi mendon se presidenti Thaçi ka shkruar me këtë qëllim edhe te Isa Mustafa, ndonëse nuk beson se lideri i LDK-së do ta pranojë ofertën për t’u futur në qeveri.

“Të njëjtën gjë është duke bërë edhe me Isa Mustafën. Ai e ka rrezuar Mustafën nga kryeministri dhe tani po përdorë metodën tij të përkuljes derisa të realizojë qëllimet e tija. Nuk besoj në asnjë mënyrë që LDK do të pranojë të bashkëpunojë me njeriun që ka përanditur kurthet për pjesëtarët e LDK, ka rrëzuar qeverinë e Isa Mustafës dhe ka tradhtuar secilën marrëveshje politike. Kjo që po bën Thaçi është indikatorë se ai qëndron prapa ndërsyerës së bashkësisë ndërkombëtare kundër qeverisë dhe kundër interesit të vendit. Ndërkohë që Veseli rri i fshehur sepse nuk do te ekspozohet meqë koston tradhtisë para qytetarëve dhe votuesve duan të mos e merr PDK. Lidershipi i LDK do e paguante koston shumë të lartë dhe një vetëvrasje politike nëse do të bënin kompromisin e radhës. Në anën tjetër pa opozitën e fuqishme që ka sot Kosova asnjë marrëveshje nuk mund të shkojë përpara”, ka potencuar Abazi.

Krasniqi: LDK në dispozicion të Thaçit

Image
Faik Krasniqi

E analisti politik, Faik Krasniqi ka thënë se, presidenti Thaçi e ka pasur gjithmonë LDK-në në dispozicion LDK-në për t’i zgjidhur problemet e veta.

“Presidenti Thaçi sa herë që ka pasur nevojë për të realizuar qëllimet e tij, e ka pasur LDK dhe Isa Mustafën që t'i zgjidh problemet dhe lëmshet e krijuara. Kam frikë që vizita e Presidentit Thaçi në shtëpinë e Isa Mustafës, është bërë që LDK të bëhet pjesë e kësaj Qeverie”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Ai mendon se nuk është për t’i çuditur nëse LDK bëhet pjesë e kësaj Qeverie.

“Për mua nuk është për t'u çuditur nëse LDK bëhet pjesë e kësaj Qeverie, sepse edhe në të kaluarën ka qenë patericë e PDK-së. Kësaj here do të arsyetohen që do behën pjesë e Qeverisë për të mirën e Kosovës. Por për një gjë duhet të jemi të sigurt, se nëse edhe një here bëhet pjesë e kësaj Qeverie ku është edhe PDK, në zgjedhjet e ardhshme do të pësojnë debakël të thellë. Nëse nuk është e tepërt të them do zhduken nga faqja e dheut”, është shprehur Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat