“Serbia u tmerrua, doli mend, e alarmoi tërë botën”

Politika

“Serbia u tmerrua, doli mend, e alarmoi tërë botën”

Nga: D. B Më: 1 mars 2019 Në ora: 16:52
Foto Ilustrim

Shteti i Kosovës është në shkatërrim e sipër, kjo për faktin se gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara të pavarësisë së brishtë të Kosovës karakterizohet më shumë të meta, duke filluar nga qeverisja, e cila mbahet mend si qeveritë më të këqija të pasluftës.

Kështu ka vlerësuar Profesor Dr. Binak Maxharraj i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kjo qeverisje ka lulëzuar me korrupsion dhe krim të organizuar në të gjitha segmentet e jetës, duke krijuar kështu edhe një imazh të errët për Kosovën.

“Njeriu i cili është më meritori për një gjendje të këtillë në Kosovë është Presidenti i tashëm dhe Kryeministri i mëparshëm Hashim Thaçi. Ky njeri i pa definuar si duhet, për sjelljet e tij të çuditshme erdhi aksidentalisht për të kapë shtetin pas luftës, jo më meritën e tij, jo për shkak të mençurisë së tij, por për kapjen e shtetit i cili u ndihmua nga mbeturinat e enverizmit në Shqipëri. Ky njeri për shumë vite ishte i përfshirë nga agjenturat e ndryshme të spiunazhit. Hashim Thaçi e rrëmbeu, e zaptoi pushtetin në emër të luftës, ani pse vetë kishte deklaruar se ka qëndruar larg saj, e instaloi përmes Klanit të tij “Pronto” në rrjetin në kapjen e shtetit në tërë Kosovën e, sidomos në nivel qendror, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, Thaçi ka keqpërdor çdo gjë, duke vjedhur e plaçkitur vendin deri në pasurim milionëshe të krejt ekipes së tij.

Image
Prof. dr. Binak Maxharraj

“Hashim Thaçi e uzurpoi edhe dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë dialog ai hyri krejtësisht i pa përgatitur, pa dije, plane dhe platformë për dialog. Thaçi hyri në dialog pa ia vënë asnjë kusht Serbisë, dhe për të gjitha ato që Serbia iu ka shkaktuar shqiptarëve gjatë luftës, nuk kërkoj madje nga Serbia, as kërkim falje, e as dëmshpërblimin e luftës, as për vrasjen e mbi 10 mijë shqiptarëve civil, mbi 20 mijë të grave të përdhunuara, për tokën e djegur në Kosovë. Pra për të gjitha këto ai nuk e tha asnjë fjalë, dhe mundësoi që gjatë gjithë kohës së dialogut Serbia, t’ia merr anën Kosovës më kushtëzime, shantazhe ndër nga më te ndryshmet sikur ajo të ishte viktima e jo agresori”, ka thënë profesor Maxharraj.

Ai konsideron se gjatë periudhës së këtij dialogu Hashim Thaçi vetëm prodhoi marrëveshje të dëmshme për Kosovën në krye në vete pa kurrfarë transparencë me askënd, sikur në Kosovë mos të kishte institucione.

“Thaçi nuk u ndalë më kaq, pasi ai që një vit e më shumë bëri shumë gjëra në krye në vete dhe me insistimin e Serbisë ai e hapi edhe çështjen e rrezikshme për lëvizjen e kufijve, midis Kosovës dhe Serbisë. Në vend se ai ta refuzon diskutimin rreth kufijve, Thaçi zhvilloi këtë duke i dhënë zjarr kahdo që shkoi duke lobuar për lëvizjen e kufijve, që as vetë nuk e kishte të qartë, se çka po kërkon, pasi ai herë thoshte ndarje, herë copëtim, e herë korrigjim të kufijve. Ai thoshte se do ta marrim Luginën e Preshevës pa dhënë asgjë, dhe se nuk e japim me asnjë çmim veriun e sidomos Trepçën dhe Ujmanin. Thjeshtë ky njeri hyri në një rrugë te pakrye duke pasur edhe takime të fshehta me krerët e Serbisë për copëtimin e Kosovës. Këtë e tregojnë madje edhe marrëveshjet e ndryshme që këto ditë po dalin nëpër media dhe portale”, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, Serbia nga ana tjetër të tërë strategjinë e vetë gjatë gjithë dialogut e drejtonte kundër Kosovës duke e shantazhuar dhe penguar në të gjitha anët, duke e penguar madje edhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Për të gjitha këto çfarë i bënte Serbia Kosovës kohë më parë Kosova e ndërmori hapin më të guximshëm duke i vu taksën Serbisë në mallrat e importuar. Tregoi se më në fund ajo është shtet dhe po vepron si shtet i vërtetë. Me venien e taksës Serbia u tmerrua, doli mend, madje e alarmoi tërë botën. U çuditë më në fund se si ka guxim që Kosova të veprojë kështu, pasi ekonomia e Serbisë filloi të hallakatët dhe u dëmtuan edhe interesat e biznesmenëve në Serbi. Duke e pa një situatë të këtillë në të cilën Serbia kishte rënë me efektet negative të taksës nga Kosova, ajo e alarmoi Evropën. Kështu që Evropa bëri trysni në Qeverinë e Kosovës, për heqjen e saj apo në pezullimin e saj”, ka thënë profesor Maxharraj.

Ai konsideron se kryeministri Ramush Haradinaj nuk luan nga vendi duke thënë se Kosova ka të drejtë në këtë, dhe se taksa nuk do të hiqet pa e njohtë vet Serbia, Kosovën si shtet.

“Kryeministri edhe përkundër insistimit edhe të Presidentit për taksën nuk luan nga vendi, dhe nga qëndrimi i tij. Këtu fillon edhe keqësimi i raporteve midis Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj, jo vetëm për taksën por edhe rreth korrigjimit të kufijve, të cilën Thaçi po bënë çmos që të ndodhë dhe kundërshtimi i Harajdinaj se kufijtë e Kosovës nuk do të ndryshojnë dhe se askush nuk ka të drejt ti prekë. Por derisa Hashim Thaçi kurrë nuk e kushtëzoi Serbinw me asgjë, ani pse kishte shumë se për çka. Presidenti i Serbisë, Vuçiq është qartë tërësisht rreth mundësisë së heqjes së taksës, madje ai shkoi aq larg saqë e kushtëzojë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës nga ana e Kosovës. Për këtë qëndrim aspak parimor të Vuçiqit u alarmua Evropa e cila po insiston vazhdimisht për heqjen e taksës, por pa sukses sepse Qeveria e Kosovës duke i pa efektet e taksës insiston me ngulim se taksa nuk do te hiqet pa e njohtë Serbia Kosovën”, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, në këtë drejtim rreth taksës u fut edhe miku i jonë i madh Amerika e cila insiston që taksa të hiqet për të vazhduar dialogu, por në këtë nuk ka ndonjë pajtim për tu hequr taksa me gjithë respektin për SHBA-në.

“Është shumë simptomatike se pse Amerika si fuqi më e madhja botërore të interesohet për një gjë kaq të vockël siç është taksa me Serbinë. Do të ishte më mirë që Amerika të insistonte edhe te Serbia që ta vazhdoi dialogun pa kushte, sepse në çdo dialog nuk duhet të vihen kushte, sepse ai atëherë nuk do të ishte dialog. Është shumë interesant insistimi i SHBA-së në taksën bile, edhe me disa kërcënime, sikur edhe që i bëri mosdhënia e vizave, moslejimin e Gjeneralit të saj ta vizitoj Kosovën dhe tashti së fundit, edhe heqja nga programet Marshal. Mendoj së Kosova nuk ka bërë mjaft aktivitet që të ia sqaron më mirë dhe dendur se pse është vënë taksa, sepse Serbia është ajo e cila e shkaktoi vënien e taksës”, ka thënë profesor Maxharraj.

Ai konsideron se është fatkeqësi se në këtë drejtim krerët shtetëror nuk janë unik, madje nuk janë të një fjale në qëndrime dhe veprime.

“Taksa sipas mendimit tim nuk duhet të hiqet pa u kushtëzuar Serbia, se si duhet të sillet në raporte me Kosovën, këtë duhet me ia bërë të çartë edhe mikut tonë SHBA-se. Sepse nuk mendoi se për shkak të një takse raportet e Kosovës me mikun tonë do të luhatet. Mendoj se raportet miqësore do të vazhdojnë edhe më tutje, sepse Amerika është kryesorja që sot Kosova është shtet, dhe për këtë ka investuar shumë. Së këndejmi raportet me SHBA-duhet të ruhen, sepse pa Amerikën, Kosova nuk është asgjë, dhe pa SHBA-në Kosovën do ta gllabëroheshin sa mshel e qel sytë Serbia dhe Rusia, që mezi po presin që Projekti i Kosovës të dështoi”, ka thënë profesor Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat