“Thaçi abuzoi me presionin amerikan, do të mbetet në histori si një frikacak”

Politika

“Thaçi abuzoi me presionin amerikan, do të mbetet në histori si një frikacak”

Nga: N.H Më: 4 mars 2019 Në ora: 09:40
Hashim Thaçi, foto ilustrim: Bota sot

Analisti politik, Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti aktual është aksidenti më i keq politik i shkaktuar edhe nga LDK.

“Hashim Thaçi, president i Kosovës prej tri vitesh është ndoshta aksidenti më i keq politik i shkaktuar edhe nga LDK. Në këto vite president nuk e shoh Thaçin faktor unifikues, por vazhdon të jetë kryetar i PDK-së, një marksist i vogël që bën biznes politik dhe përçan faktorin shqiptar, nuk arriti të jetë bashkues dhe të mblidhte rreth vetës forca pozitive. Duke e vuajtur mungesën e kompetencave të gjëra ekzekutive Thaçi sa herë ndihet në terrin e vëmendjes publike ndan dekorata, jep çmime tek njerëz pameritorë. Zgjat dorën dhe përçan deri në Tiranë duke caktuar ai meritorët dhe jo meritorët në kontributin e tyre për Kosovën”, ka thënë Shahu.

Ai ka kritikuar Thaçin edhe për listat e fryra të veteranëve, për të cilën shprehet se në tri vitet e tij si president Hashim Thaçi nuk reagoi asnjëherë kundër kësaj shëmtie që e kaploi Kosovën.

“Hashim Thaçi i ka dhënë të drejtën vetës që ai të certifikojë meritorët dhe jo meritorët dhe gjithmonë meritorë për të janë marksistët, tregtarët e armëve të cilët ai i shpall lehtësisht veteranë duke i konsideruar të gjithë votues të tij pasi titullin veteran e ka dhënë kurdoherë në masën 70 për qind vetëm në këmbim të votave dhe pa meritë. Në tri vitet e tij si president Hashim Thaçi nuk reagoi kundër kësaj shëmtie që e kaploi Kosovën ku dolën veteranë më shumë se sa kishte Kosova meshkuj të aftë për luftë në vitet 1998-1999”, ka thënë ai.

Majde, Shahu shton me tej duke thënë se Thaçit do t'ia njohë historia me turbullirat që bëri dhe tradhtinë që tentoi të bëjë të jepte Serbisë territor.

“Një kontribut turpi në këto tri vite Hashim Thaçit do t'ia njohë historia me turbullirat që bëri dhe tradhtinë që tentoi të bëjë të jepte Serbisë territor Kosove. Duke e vet shpallë vetën si njeriu që bëri e drejtoi luftën, ai kujtoi se ka tagrin të bëjë paqen. Nëse do të flitej për luftën në kohën para erës së re, edhe mundet që ai ta ketë bërë luftën, por para 20 vitesh në këtë erën e re, kur u çlirua Kosova prej amerikaneve e NATO-s, luftën e bënë shqiptarët pa dallime politike, të rreshtuar në LDK, të rreshtuar në UÇK e në FARK, dy grupe të një qëllimi, si mbështetës të NATO-s e amerikanëve që bënë luftën e ajrit dhe drejtuan gjithë punët e luftës”, ka shtuar ai.

Ai thekson se, Thaçi duke e kujtuar Kosovën si arë të babës mendoi të korrigjojë kufirin, duke dhënë territor për t’u pajtuar me Serbinë, mirëpo, sipas Shahut, Kosova nuk është investim i Thaçit.

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik potencon se presidenti Thaçi abuzoi me presionin amerikan dhe për këtë do të mbetet në histori si një frikacak.

“Ai bën lojëra të ulëta. Kosova nuk mund të pakësohet në territor pasi ajo është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve serioze dhe vendosëse të botës dhe për të nuk vendos dot asnjë individ. Thaçi abuzoi me presionin amerikan dhe për këtë do të mbetet në histori si një frikacak. Edhe lojcak pasi del e deklaron tani se nuk copëtohet Kosova pa kaluar mbi trupin tim. Shkurt, Hashim Thaçi president është karikature e keqe e presidentit të Kosovës, është joserioz e jo bashkues, por një partiak që shikon bizneset e partisë të ecin mirë”, ka përfunduar Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat