Komandantët në luftë për “interesat” madhore të shtetit!

Politika

Komandantët në luftë për “interesat” madhore të shtetit!

Nga: D.Rr Më: 4 mars 2019 Në ora: 13:59
Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Përplasjet dhe paralajmërimet ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi, kanë filluar kur ky i fundit e hodhi në publik idenë e tij për prekje kufijsh.

Mirëpo, ditëve të fundit, këto përplasje janë shtuar dhe kanë eskaluar në akuza të ndërsjella mes tyre.

Presidenti e ka vazhduar idenë e tij për ndryshim kufijsh të Kosovës, duke thënë edhe të shtunën se do ta ndryshojë Kushtetutën dhe do ta bashkojë Luginën e Preshevës me Kosovë.

Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur kryeministri Haradinaj duke e akuzuar presidentin e vendit se i ka bërë shumë dëme Kosovës. Së fundmi, Haradinaj ka zgjeruar akuzat edhe në drejtim të zyrtarëve të PDK-së. Ka akuzuar edhe Kadri Veselin se shpejt është dorëzuar përballë kërkesave të Serbisë për heqjen e taksës. E ka akuzuar edhe Vlora Çitakun se nuk është ambasadore e Kosovës në SHBA por e Hashim Thaçit.

E sot Veseli ka paralajmëruar prishjen e Qeverisë së Kosovës, dhe në këtë mënyrë Haradinaj do të përshëndetet me postin e tij prej kryeministri.

Dy njerëzit që e udhëheqin Kosovën, po kanë qëndrime ekstremisht të kundërta për çështjen më madhore që mund të ndodh këtë vit, marrëveshjen finale me Serbinë, që po synon të përmbyllë një konflikt shekullor me serbët.

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi është shprehur për “Bota sot” se, përplasjet ndërmjet presidentit dhe kryeministrit nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën pozitive të Kosovës, por përkundrazi për çështje interesash e inatesh personale.

Image
Sulejman Mehazi

“Përplasjet e Thaçit me Haradinaj kurrsesi s’kanë të bëjnë me politikën pozitive të Kosovës, por përkundrazi për çështje interesash e inatesh personale, teoria politike thotë, se nëse s'je me mua je armiku im, kështu ndodh dhe me Thaçin e Haradinaj, njëri është për ruajtjen e territorit të Kosovës, tjetri për ndryshime kufijsh, njëri për heqjen e taksës serbe, tjetri jo. Po t'ju bëjmë pyetje të dyve, edhe Thaçit, edhe Haradinaj, se prej nga vjen kjo përplasje e tyre politike, çfarë dobie ka Kosova nga zëniet e tyre? Përgjigja do të ishte, se mos kjo përplasje e tyre bëhet për shkak poenave politike se kush e cili do jetë më i fortë”, thotë Mehazi.

Ai shtron pyetje se pse këto përplasje u shtuan pas vizitës së një delegacioni amerikan ditëve të kaluara, e që dyshon se këta të fundit iu kanë kërkuar që të jenë unik ose të japin dorëheqje.

“Mos ndoshta u ka ra sharra në gozhdë të dyve nga Gjykata Speciale e duan të shpëtojnë. Mos ndoshta të gjitha idetë politike të gabuara për shkëmbime territoresh i dolën Hashim Thaçit të dështuara e për këtë shkak kritikon rëndë Haradinajn?, pse këto përplasje u shtuan pas ardhjes së Delegacionit Amerikan?, mos ndoshta për shkak politikës jo unike, por krye n'vete të të dyve e janë kërcënuar nga Amerikanët, Haradinaj është kritikuar e qortuar për shkak taksave serbe, e Thaçi është kritikuar për shkak shkëmbimeve territoresh me Serbinë. Ndoshta, Amerikanët të dyve ju kanë thënë, ose jeni unik gjatë dialogut me Serbinë, ose jepni dorëheqje, ndoshta këto përplasje janë parakampanjë për zgjedhje të parakohshme Parlamentare?”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat