21 vjet pas rënies heroike të familjes Jashari, Kosova në duar të matrapazëve

Politika

21 vjet pas rënies heroike të familjes Jashari, Kosova në duar të matrapazëve

Nga: Armira Shaqiri Më: 5 mars 2019 Në ora: 22:48
Prekaz

 Këto ditë po shënohet manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, që lidhet me rënien heroike të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.

21 vjet më parë, familja e Komandantit legjendar Adem Jashari, ra heroikisht për lirinë e vendit. 

Sulme të njëpasnjëshme, ndodhën në familjen Jashari nga forcat paramilitare serbe,brenda një periudhe të shkurtër.

Por,  më i rëndi që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari.

Por, a është Kosova e sotme ajo për të cilën u flijua familja e Komandatit Legjendar Adem Jashari dhe familja e tij.

Jashari: Duhet bashkimi i shqiptarëve si në Tuz

Image
Bekim Jashari

Bekim Jashari, djali i komandantit Hamëz Jashari, sot, kryetar i Komunës së Skenderajt, për gazetën “Bota Sot” ka thënë se, ka ende shumë punë për të bërë në Kosovë.

E sipas tij, për t`i arritur qëllimet e idealet atdhetare nevojitet bashkimi, sikurse ai i shqiptarëve në Tuz.

“Kemi ende shumë për të bërë në Kosovën tonë të dashur. Por, në qoftë se neve qëndrojmë të bashkuar padyshim që do ja arrijmë qëllimeve tona. Shembulli janë vëllezërit tanë në Malësi që fituan Tuzin. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara”, është shprehur Bekim Jashari.

Shahu: Kosova si Shqipëria qeverisen me matrapazë

Image
Rexhep Shahu

Kurse, publicisti Rexhep Shahu, për gazetën“Bota Sot” tha se, në 21 vjetorin e rënies së familjes Jashari, Kosova është shteti i dytë i shqiptarëve në Ballkan.

“21 vite pas sakrifikimit të familjes Jashari Kosova është shteti i dytë i shqiptarëve në Ballkan, shqiptarët janë më shumë se kurrë faktor shtetformues në Maqedoni, kemi më shumë shqiptarë jashtë Kosovës e Shqipërisë se sa brenda Kosovës e Shqipërisë, kemi shqipatro-zvicrranë, shqiptaro-gjermanë etj. Gjithë gjërat janë për mirë, shqiptarët kurrë nuk kanë pasur vëmendje më shumë në historinë e tyre se sa që nga rënia e familjes Jashari, por vazhdojnë të shoqërohen nga një fatkeqësi: shqiptarët drejtohen nga një klasë politike injorante, bashpozuke, dallkauke, matrapaze që e shohin Kosovën si çiflig të tyre, që e konsiderojnë si pronë të tyre, që thirrin në qeverisje familjare e farefis të tyre e të grave të tyre e të dajve të tyre, e të tezeve të tyre, pra Kosova si Shqipëria qeverisen me matrapazë, haracista”, është shprehur publicisti Shahu.

Po ashtu, Shahu thekson se, ata që ranë në luftë për Kosovën e ata që mbetën invalidë nga kjo luftë nuk përfillen, pasi komandantët që janë gjallë mendojnë e thonë se të gjitha meritat janë të atyre që kanë dhënë jetën për Kosovën.

“Pra komandantët e trimat që kanë ikë prej lufte, janë më shumë trima se ata që nuk kanë ikë e janë vra në luftë. Ikja është trimëria më e madhe”, ka përfunduar ai.

Haziri: Kosova nuk mund të quhet e lirë plotësisht

Image
Ismet Haziri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, për “Bota Sot”, ka thënë se sakrifica e familjes Jashari, ndryshoi për të mirë kahjen e historisë sonë më të re.

“Flaka e zjarrit të luftës, së kësaj familje dhe bashkimi i forcave kombëtare, e vunë çështjen tonë madhore në ecje drejt rrugës, e cila çonte kah liria e shumëpritur. Me gjithë flijimet e tilla të familjes Jashari, e cila u ringjall si Feniksi nga hiri i heroizmave të saj për liri, sakrificave të familjeve të tjera shqiptare dhe rënies së shumë dëshmorëve nga te gjitha trojet shqiptare për lirinë e vendit.  Kosova edhe 21 vjet nga këto ngjarje të jashtëzakonshme në historinë më të re shqiptare dhe evropiane, dhe 11 vjet të kaluara nga shpallja e Pavarësisë së saj, mjerisht, as sot nuk mund të quhet plotësisht e lirë dhe në tërësi sovrane”, është shprehur Haziri.

Sipas tij, çështjet madhore kombëtare duhet ta bashkojnë politikën shqiptare sot dhe në çdo kohë.

Ai ka theksuar se, para çështjeve madhore të kombit nuk guxon të jetë e përçarë asnjëherë.

“Kosova e pavarur nuk ishte vetëm ëndërr e shqiptarëve të Kosovës, por e të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe, megjithëse tanimë ajo është bërë shtet i pavarur, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, përderisa nuk janë të çliruara të gjitha trojet shqiptare dhe për absurd edhe po bisedohet për tkurrje të trojeve për të cilat luftoi me aq vendosmëri Baca. Këtë me siguri nuk e deshën ata që kanë dhanë jetën në ditët më të vështira duke derdhur gjakun për lirinë e shqiptarëve, këtë nuk mund ta donte as Adem Jashari. Është e ditur për të gjithë ne, se copëtimi i trojeve shqiptare u kthye ne tragjedi kombëtare, ku shume pjesë të kombit nuk arritën t’i mbijetonin atij copëtimi”, ka shtuar ai.

Kosova me dëshpërime të njëpasnjëshme

Për Hazirin, është shumë e çuditshme se si ka mundësi që tani shqiptarët ta pranojnë vetë ndarjen, kur dihet se për mbrojtjen e shtetit amë dhe forcimin e pozitës historike të popullit shqiptar në tërësi përveç luftërave të brezave kombëtar, u desh edhe ndihma e miqve e sidomos ndihma nga SHBA.

“Por, sot Kosova ka dëshpërime të njëpasnjëshme nga udhëheqjet e paafta, të cilat vendit nuk i sollën prosperitet, por varfëri, korrupsion dhe izolim total, duke mbytur kështu shpresat e dikurshme të popullit për begati familjare dhe lëvizje të lirë me pasaportën e shtetit tonë të pavarur, anë e kënd botës, te shqiptarët e dëshpëruar sikur ka ndryshuar çdo gjë, që nga humori, hareja dhe këngët tona dikur të bukura, të cilat sot, ose janë bastarduar tërësisht ose pothuajse gati nuk ekzistojnë fare”, ka nënvizuar ai.

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani, ka thënë se, lufta ishte domosdoshmëri për të sjellë lirinë.

“Idealet e luftës kanë qenë të pastra të çlirohet Kosova, kjo ndodhi duke ofruar logjistikën kryesore ushtarake të SHBA dhe shtetet tjera të NATO-s, erdh liria, idealet e luftës mbetën në luftë përderisa idealet tjera vazhduan, ndërtimi i shtetit dhe pavarësia. Por krahas kësaj, gjatë kësaj periudhe pati shumë gjëra të tjera që u shndërruan në interesa personale të llojeve të ndryshme e kjo dëmtoi shtetin dhe nuk po e lë integrimin në BE dhe NATO”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat